Thirrje për protesta, Topalli: Të rrëzojmë qelbësirat! Berisha: Ngjarja u fsheh


Herion Mesi

lul bashaKa qenë i ashpër reagimi i përfaqësuesve të opozitës ndaj ngjarjes së rëndë në Laç, ku i përfshirë është deputeti socialist, Armando Prenga. Për Partinë Demokratike, Prenga nuk është i vetmi përgjegjës për këtë kasaphanë, pasi, sipas saj, krimi u krye brenda ambienteve të komisariatit të policisë, ndërkohë që nuk munguan tentativat për manipulim të provave me urdhër të Kryeministrit Edi Rama e ministrit të Brendshëm, Sajmir Tahiri. Në reagimin zyrtar, nga foltorja e selisë blu, kryedemokrati Lulzim Basha dha edhe një argument tjetër, ku bëri përgjegjës Edi Ramën për ngjarjen e rëndë të Laçit. “Ky është fundi i shtetit ligjor në vend, dhe pavarësisht se armët i shkrehu një bandit deputet, autori i kësaj gjendjeje të rëndë është Edi Rama. Nuk do të ishim në këtë situatë sot, kur banditi dhunon me armë qytetarët brenda komisariatit, nëse Edi Rama nuk do ta kishte kërkuar e përzgjedhur për ta bërë deputet të Parlamentit të Shqipërisë, Armando Prengën, pikërisht për këto cilësi që ai ka. Që vret e pret, që bën të fortin, që sulmon qytetarët, merr vota me dhunë, godet edhe përfaqësuesit e opozitës brenda Parlamentit. Nuk do të ishim në këtë situatë, të rënies së shtetit, ku krimineli bën ligjin, nëse Edi Rama nuk do ta kishte shpërblyer deputetin e tij me lagunën e Patokut, me një tender skandaloz, në shkelje të të gjitha kritereve dhe procedurave, duke ua hequr peshkatarëve që mbanin familjen me këtë aktivitet prej dekadash”, deklaroi Basha, duke akuzuar më tej se Kryeministri Rama dhe ministri i Brendshëm, Sajmir Tahiri, e fshehën për 10 orë ngjarjen.


BErishaNdërsa deputeti demokrat, Sali Berisha, në një nga reagimet e shpeshta të ditës së djeshme në rrjetet sociale, jep versionin e tij të ngjarjes, që fshihet pas konfliktit në Laç. Sipas Berishës, konflikti ka të bëjë me lagunën e Patokut, padia që peshkatarët e Fushëkuqes kanë bërë në gjykatë pas heqjes së licencës nga Edi Rama për peshkim në lagunë dhe dhënies së ekskluzivitetit të peshkimit deputetit Armando Prenga. “Në oborrin e komisariatit kishte zënë pritë skuadra e pushkatimit e drejtuar nga vrasësi me imunitet Armando Prenga, e cila, sapo burrat e familjes Cali kanë zbritur nga furgoni i policisë, kanë shkrehur armët e mbushura mbi ta duke plagosur katër prej tyre”, theksoi Berisha, duke akuzuar se me urdhër nga lart po bëhet gjithçka për të fshehur krimin.


Deputetja e PD, Jozefina Topalli, duke folur gjate nje seance parlamentare, ku eshte debatuar mes deputeteve te opozites dhe mazhorances. /r/n/r/nLawmaker Jozefina Topalli speaks during a parliamentary session.


Ndërsa, deputetja tjetër e PD-së, Jozefina Topalli, akuzoi Kryeministrin Edi Rama se po mbron deputetët e tij kriminelë, të cilët, siç thotë ajo, Rama i zgjodhi me qëllim me të shkuar kriminale, ndërsa akuzon aleancën Rama – Meta si ‘Aleanca e qelbësirave’, duke bërë apel për revolta. “A nuk e zgjodhi Rama këtë dhe 18 kolegët e tjerë të tij në Parlament pikërisht për këto cilësi specifike? A nuk i mbrojti Rama të gjithë këta edhe kur këta hiqnin rripin me godit si kafshë kolegët e opozitës! Dhe po bën edhe sot çdo gjë për ta mbrojtur! Të çuditesh për ngjarjen e sotme është njëlloj si të çuditesh se Meta merr ryshfet dhe se Rama është i lidhur me krimin! Nuk keni parë asgjë akoma, jo! Këto janë vetëm Aleanca e Qelbësirave! Dhe qelbësirat duhen përmbysur!”, thekson Topalli. Ndërkohë, kreu i republikanëve, Fatmir Mediu, u shpreh dje se kjo është Rilindja që sollën socialistët, ku deputeti i tyre plagos me armë zjarri katër persona. “Kjo është Rilindja miq. Armando (Edmond) Prenga, deputet i PS-së, ka plagosur me armë zjarri katër persona të familjes Cali”, tha kreu i PR-së, Fatmir Mediu.