21 janari – “Për një akuzë tjetër shumë më të paktë në shumë, ortaku i tij i sotëm (Edi Rama) jo vetëm mori dorëheqjen e Ilir Metës, por nuk u mjaftua me këtë, u vuri edhe flakën institucioneve të shtetit”
Deklarata – Tri ditë më parë, Meta shprehu habinë e tij kur tha se Basha është i vetmi kryeopozitar që kërkon të dorëhiqet kreu i Kuvendit dhe jo Kryeministri
Hetimi – Akuzat e PD-së për vjedhjen e 500 milionë eurove mbeten në rrafshin e akuzave që ne duam t’i nënshtrohen një ekspertize nga prokurorë dhe ekspertë ndërkombëtarë
Diversioni – “Nuk bëj komente se për çfarë kushtëzohen, për çfarë shiten dhe për çfarë blihen ata mes njëri-tjetrit”
Kauzat – “PD-ja për dekriminalizimin dhe luftën kundër korrupsionit, nuk bën pazare dhe kompromise”
Ndërkombëtarët – “Për luftën ndaj korrupsionit e për dekriminalizimin, kemi mbështetje të plotë e të gjithanshme të partnerëve”
Kreu i PD-së, takim njëorësh me ambasadorin Lu
HERION MESI
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, u është përgjigjur akuzave që i bëri tri ditë më parë nga Skrapari, kryeparlamentari Ilir Meta, duke shpjeguar edhe arsyet se përse ka kërkuar dorëheqjen e këtij të fundit dhe jo atë të Kryeministrit. Pas një takimi njëorësh me ambasadorin e SHBA-së në Tiranë, Donald Lu, në të cilën është folur dhe për çështjen e dekriminalizimit dhe reformën në drejtësi, Basha para medias deklaroi se kërkesa për dorëheqje nuk i bëhet Metës si kryeparlamentar, por për kohën kur ai ishte zv.kryeministër e ministër i Jashtëm dhe mori ryshfet nga lobimi për kompaninë DIA. “Unë nuk kam kërkuar dorëheqjen e Ilir Metës si Kryetar Kuvendi, ndonëse ai është një shkelës serial i Kushtetutës, siç e ka konfirmuar edhe Gjykata Kushtetuese, ku Parlamenti i drejtuar prej tij, në disa raste ka dhunuar rregulloren dhe Kushtetutën e vendit, ka dhunuar të drejtat e opozitës, për të cilat nuk mund të rrahë gjoksin. Unë e kam kërkuar dhe e kërkoj dorëheqjen e Ilir Metës për akuzat që i janë bërë për kohën që ishte zv.kryeministër dhe ministër i Jashtëm, si personi që ka lobuar, që qëndron prapa kompanisë DIA dhe marrjes së 135 milionë eurove të shqiptarëve nga kjo kompani. Dhe këto janë akuza që nuk i kam bërë publike unë, por i kanë bërë publike avokatët e qeverisë, avokatët e ortakut të tij, të cilin nuk ka pse ta kërkojë prapa pemëve në oborrin e selisë së Partisë Demokratike, sepse e ka në krah. E ka poshtë kur e ka në Parlament dhe e ka në krah politikisht që prej marrëveshjes së 1 prillit. Pra kjo është e vërteta. Nuk ia kam kërkuar dorëheqjen dhe nuk ia kërkoj si Kryetar Kuvendi, por ia kërkoj se është nën një akuzë me dokumente zyrtare të bëra publike nga mediat ndërkombëtare, si personi që ka përfituar ryshfet në aferën më të madhe të korrupsionit në Shqipëri. Këto janë fjalët e avokatit të qeverisë shqiptare”, u shpreh Basha. Por kreu i PD-së do të risillte në vëmendjen e medias dhe ngjarjet e janarit 2011, ku sipas tij, kreu i opozitës në atë kohë, Edi Rama, kërkoi dorëheqjen e Metës për një aferë shumë herë më të vogël në shumë, dhe për këtë, tha Basha, u vuri flakën institucioneve të shtetit. “Dua të kujtoj këtu se ky është minimumi që mund t’i kërkoj, sepse për një akuzë tjetër shumë më të paktë në shumë, ortaku i tij i sotëm jo vetëm mori dorëheqjen e Ilir Metës, nuk u mjaftua me këtë, por u vuri edhe flakën institucioneve të shtetit”, tha ish-ministri i Brendshëm i asaj kohe. Por, nga ana tjetër, Basha e përgëzoi qëndrimin e kreut të LSI-së për të pasur një hetim ndërkombëtar të kësaj çështjeje dhe e ftoi atë të mblidhte që dje Konferencën e Kryetarëve, me qëllim që projektligji i depozituar dje në Kuvend “Për lejimin e hetimit ndërkombëtar për akuzat e bëra publike për çështjen CEZ-in”, të kalojë ditën e enjte në seancën e radhës plenare. Ftesa e Bashës për ta votuar draftin e opozitës për një hetim ndërkombëtar të kësaj çështjeje ishte edhe për socialistët. “Kryetari i LSI-së, që është dhe kryetari i Parlamentit, ka shprehur gatishmërinë dhe ky është momenti që nga shprehja të kalojë në vepra dhe të njëjtën gjë, të njëjtën thirrje i bëj edhe Partisë Socialiste e kryetarit të saj, që është kreu i ekzekutivit, të votojmë bashkërisht, sepse edhe ai sigurisht, do të ketë interes të zbardhet pjesa e tij, në faljen apo ndarjen e 500 milionë eurove, po t’i heqim 135 të CEZ-DIA, ku akuzat janë për ortakun e tij. Pra të votojmë ligjin, t’i hapim dritën jeshile pranisë së prokurorëve dhe ekspertëve ndërkombëtarë në hetimin e aferës më të madhe korruptive në vend. Dua të përshëndes gatishmërinë e kryeparlamentarit për të mbështetur këtë iniciativë ligjore në Parlament dhe t’i kërkoj që këtë mbështetje me fjalë, ta kthejë në një veprim të menjëhershëm, duke thirrur që sot konferencën e kryetarëve, duke e futur ligjin që sapo kemi depozituar për shqyrtim këtë të enjte në Parlament”, u shpreh kryedemokrati. Sa i përket takimit me Lu, kryedemokrati tha se mori mbështetje për ligjin e dekriminalizimit. Ky është takimi i tretë mes tyre që zhvillohet brenda dy javësh dhe sërish në fokus të bisedimeve mbetet çështja e dekriminalizimit dhe reformës në drejtësi, ku kreu i diplomacisë amerikane në vendin tonë kërkon bashkëpunimin politik mes palëve për t’i realizuar sa më shpejt këto iniciativa.