Kreu i opozitës Lulzim Basha ka deklaruar nga çadra e protestës përballë kryeministrisë se modeli i qeverisë Rama është droga dhe krimi në zyrat e pushtetit.


Ai tha se opozita e bashkuar ka marrë dy vendime të rëndësishme: ngritjen e Kuvendeve Qytetare dhe se opozita nuk do t’i bojkotojë zgjedhjet.


“Opozita e bashkuar ka marrë një vendim që është i thjeshtë dhe i qartë. Vendimi përbëhet nga dy pjesë. Organizimi në territorin e Shqipërisë të Kuvendeve qytetare për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Këto do të jenë hapësirat e lirisë, ku do të bashkohen të gjitha shtresat për t’i dhënë thellësi dhe qëndresë qëllimit tonë madhor, zgjedhje të lira përmes një qeverie teknike. Këtu do të marrë formë Republika e re, e vlerave europiane, e barazisë së qytetarëve përpara ligjit. Në këto forume, gjithkush ka mundësinë është i mirëpritur të jetë pjesë e hartimit të këtij projekti madhor kombëtar, – shpjegoi kryedemokrati. – Vendimi i dytë i opozitës së bashkuar, nuk është bojkoti i zgjedhjeve. Nuk do t’ja hidhni kaq lehtë. Nuk do të ketë bojkot zgjedhjesh, sepse zgjedhje fasadë me krimin nuk do të ketë. Qytetarët shqiptarë janë të vendosur, rezistenca civile, mosbindja civile, armata e Republikës së re do të pengojë me të gjitha mjetet popullore, qytetare, demokratike dhe paqësore zgjedhje me krimin, drogën dhe zgjedhje fasadë”.


Ai shtoi se ka gati një plan kombëtar për krijimin e një republike të re, që nuk do të përfaqësojë modelin e krimit dhe të drogës që ka pushtuar zyrat e qeverisë dhe administratës.


8 mars 2017 (gazeta-Shqip.com)