Romët e papunë
Bashkia: Pezulluam aktivitetin e romëve, u qelb qyteti. Dhjetëra ankesa nga qytetarët
Shpresa Mezini
Konfiskimi i kanoçeve apo materialeve të tjera të riciklueshme nga policët bashkiakë, ka nxitur reagime të ashpra në radhët e komunitetit rom. Ata kundërshtojnë vendimin e bashkisë së kryeqytetit pasi mbledhja e kanoçeve është e vetmja mënyrë jetese, ajo që u siguron bukën e përditshme. Romët kanë rrethuar bashkinë e kryeqytetit, prej dy ditësh, duke i kërkuar me forcë kryetarit të bashkisë, Lulzim Basha, të tërheqë urdhrin për të penguar mbledhjen e kanoçeve apo mbetje të tjera që gjejnë në kazanët e plehrave, si në periferi ashtu edhe në qendër të qytetit.
“S’mund të na ndalojnë të mbledhim kanoçe dhe plastiket, sepse ne prej atyre hamë bukë, mbajmë frymën gjallë. Na kanë marrë të gjitha karrocat dhe biçikletat. S’na lënë të marrim asnjë kanoçe. Na shtyjnë me forcë. Nuk na lejojnë as t’u afrohemi koshave. Kjo është e padrejtë. Kam dëgjuar që ne po pengohemi sepse Basha do që mbeturinat t’ia japë me koncesion një firme private që e ka kunati i tij. Jo vetëm që po na heqin bukën e gojës, por po përdorin dhunë ndaj nesh. Disa ditë më parë, policët bashkiakë ushtruan dhunë të rëndë fizike ndaj një fëmije”, shpjegoi një zonjë rome, dje përpara dyerve të bashkisë, ku po protestonin rreth 30 persona.
E megjithatë, krahas reagimeve apo argumentimeve të komunitetit rom, zyra e shtypit në Bashkinë e Tiranës sqaron se nuk do të kthejë mbrapsht vendimin. Përfaqësuesit e kësaj zyre bëjnë me dije se vendimi për ndalimin e romëve për të mbledhur kanoçe apo materiale të tjera, erdhi si rrjedhojë e dhjetëra ankesave të qytetarëve, të cilët shprehin shqetësimin për erën e tmerrshme dhe mbeturinat, që gjenden në trotuare, rrugë e kudo.
Diferencimin e plehrave, romët e bëjnë jashtë koshave, në rrugë. Për pasojë mbeturinat enden rrugëve duke krijuar jo vetëm një pamje të shëmtuar për qytetin, por edhe erë të pakëndshme në banesat e tyre.
“Qytetarët kanë disa kohë që ankohen vazhdimisht për mbeturinat e hapura nëpër rrugë, për shkak se në mbrëmje koshat janë zbrazur nga romët, të cilët për ta pasur më të lehtë të gjejnë kanoçet apo materialet plastike i hapin ku të mundin. Banorët janë të shqetësuar për erën e rëndë, që i detyron të mbyllin dritaret, por edhe për pamjen e lagjes së tyre që shpesh transformohet si një fushë mbeturinash. Numri i ankesave arrin në rreth 50 në total, ku përveç banorëve, numërohen edhe kompanitë pastruese, të cilat përballen me shumë vështirësi për të mbledhur plehrat që ndodhen si në kazanë, rrugë, ashtu edhe në trotuare. Firma e pastrimit janë të shqetësuar për shkak se nëse qyteti gdhihet me plehra vëmendja u tërhiqet atyre”, sqaron zyra e shtypit në Bashkinë e Tiranës. Sipas specialistëve të komunikimit ankesat janë dërguar në postën e kryetarit, Lulzim Basha, në internet, në kutinë postare të këtij institucioni dhe në takimet e drejtpërdrejta me qytetarët, të cilët e kanë listuar këtë problem të dytin pas shqetësimit të tyre personal. Zyra e shtypit theksoi se nuk ka asnjë marrëveshje për dhënien e mbeturinave me koncesion. Madje zyrtarisht Bashkia e Tiranës ka sqaruar se kjo është e pamundur, për shkak se asnjë firmë private nuk pranon që të përpunojë mbetjet, që në të vërtetë janë të padiferencuara.
