Kryebashkiaku i Tiranës, Lulzim Basha, i ka cilësuar deklaratat e liderit të opozitës, Edi Rama, si duf për mosarritjet e tij në 13 vjet qeverisje.


“Ja ndjej ankthin që ka sepse për 13 vite në pushtet la si gjurmë qendrën e kryeqytetit në katrahurë, Zogun e Zi në kolaps, planin urban që nuk e bëri kurrë e shumë gjynahe që rëndojnë edhe sot qytetarët. Kuptoj edhe dufin kundër planit urban, qendrës së rregulluar, festave të qytetit dhe në veçanti ndaj projekteve të mëdha që po marrin jetë si: Bulevardi i Ri, stacioni multimodal i pasagjerëve dhe trami. Ndryshimin e sheh çdokush. Por bën mirë që e nxjerr dufin në Twitter. E ka kuptuar, uroj, që shqiptarët janë ngopur duke e parë plot vrer e shfajësime për ato që nuk na bëri gjatë 13 viteve të tij në pushtet”, ka deklaruar Basha.


Më herët, gjatë konferencës live në faqen e tij në Twitter, lideri socialist Edi Rama ka deklaruar për Bashën se : “Më kujton Tit Sojlin, marifetçiun e rrugëve të Tiranës që gjente derdimenë dhe u shiste çfarë nuk kishte!”.


6 janar 2013 (gazeta-Shqip.com)