“Kryebashkiak i fjalës së mbajtur”! Kështu e quajti kryedemokrati Lulzim Basha, kreun e Bashkisë së Kamzës, Xhelal Mziu në takimin e sotëm në Paskuqan ku u kërkua pjesëmarrje masive në protestën e 16 marsit, për të rrëzuar Edi Ramën.
Fjalët e mira të Bashës në drejtim të Mziut ishin konfirmim i qartë i kandidimit të këtij të fundit për herën e 4-të në zgjedhjet për pushtetin lokal.
Kryebashkiaku i Kamzës, i favorizuar edhe nga moskalimi i kërkesës së PS në KQZ për bllokimin e kandidimeve për drejtuesit e bashkive me 3 ose më shumë mandate, pritet të garojë sërish nën siglën e PD, por dilema është se në cilat zgjedhje.
Dyshimi në fjalë është legjitim dhe lind nga referimi te deklaratat e kreut të PD-së, Lulzim Basha gjatë dy muajve të fundit.
Në çdo dalje në media dhe gjatë protestave të opozitës, Basha ka theksuar se PD dhe aleatët nuk do të hyjnë në zgjedhjet lokale të 30 qershorit, nëse atyre nuk u bashkëngjiten edhe zgjedhje të parakohshme.
Synimi i lideri opozitar është i qartë. Ai kërkon rrëzimin e qeverisë së drejtuar nga Edi Rama, ngritjen e një kabineti tranzitor që ta çojë vendin në zgjedhje, pasi sipas Bashës me shefin aktual të qeverisë votat do të vidhen e blihen sërish më 30 qershor.
Në një vizitë në Shkodër pak ditë më parë, Basha e la të nënkuptuar se opozita është e gatshme që pas djegies së mandateve të kryejë një tjetër akt ekstrem, duke mos marrë pjesë si “fasadë” në zgjedhjet lokale, por për të qëndruar përkrah qytetarëve.
“Kemi kohë deri atëherë! Mos dalim nga tema! Ne do të gërshetojmë protestat, mosbindjen civile me turin tonë të shpresës, të alternativave që kemi për qytetarët! Ne jemi me njerëzit dhe për njerëzit!”, tha Basha kur u pyet rreth zgjedhjeve për pushtetin vendor.
Ndërkohë në krahun tjetër kryeministri Edi Rama i qëndron stoik bindjes se vendi nuk do të shkojë në zgjedhje të parakohshme, pavarësisht mungesës së opozitës.
Ndërkohë që Basha me aleatët e “kërcënojnë”, ai ka nisur përzgjedhjen e kandidaturave për lokalet 2019 dhe po zhvillon turin “BashkiaQëDuam”, një lëvizje për të testuar elektoratin para hedhjes së votës në kuti.
E gjithë kjo klimë e tensionuar dhe hijet e misterit që rrethojnë procesin zgjedhor të 30 qershorit, tregojnë se ndoshta Xhelal Mziu, i pari i PD-së për “Lokalet 2019” i konfirmuar nga Basha, rrezikon të mbetet pa kandiduar fare.
Gazeta Shqip