Zëvendësimet
“Krerët e departamenteve zgjidhen me votë nga Këshilli”
Herion Mesi
Në kundërshtim me procedurën e parashikuar në statutin e Partisë Demokratike, kryedemokrati Lulzim Basha vendos të bëjë ndryshimet e para në strukturën drejtuese të kësaj partie. Rotacioni “i detyruar” edhe për shkak të rregullave të reja që ka vendosur kryedemokrati Basha, ku çdo drejtues në pushtetin qendror dhe atë vendor nuk do të ketë të drejtë të jetë dhe drejtues në strukturat e PD-së ka bërë që ai vetë të shkelë sërish statutin e PD-së, duke komanduar në krye të departamenteve të Sigurisë, Rendit Publik, Luftës kundër Krimit dhe atë të Pushtetit Vendor dhe Administrimit të Territorit, respektivisht Enkelejd Alibeaj, ish-kandidati për kreun e Bashkisë së Fierit dhe Ardian Turkun, ish-kandidat për kryebashkiak të Elbasanit. Këta dy emra zëvendësojnë Bashkim Shehun dhe Voltana Ademin, të cilët i kryenin këto detyra përpara se të fitonin zgjedhjet për kryebashkiakë në Kukës dhe Shkodër. Por zëvendësimi i tyre duket se është kryer në shkelje të statutit të PD-së, i cili përcakton se krerët e departamenteve propozohen nga kryetari i PD-së dhe miratohen përmes votës nga Këshilli Kombëtar i kësaj partie. “Pranë PDSH-së ngrihen dhe funksionojnë departamentet. Numri i departamenteve dhe fusha e veprimtarisë që mbulojnë përcaktohen me vendim të Kryesisë së partisë; Drejtuesit e departamenteve zgjidhen me propozim të kryetarit nga Këshilli Kombëtar”- thuhet në nenin 43/1, që u ndryshua një vit më parë, si rezultat i ristrukturimit të të gjitha strukturave të PD-së pas humbjes së zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit 2013. Në këtë mënyrë, emërimi i Alibeajt dhe Turkut në krye të departamenteve përkatëse është një vendim që anashkalon Këshillin Kombëtar, i cili po sipas statutit të PD-së, është një strukturë e cila mblidhet të paktën dy herë në vit, dhe debaton sipas një rendi dite të vendosur nga kryesia e partisë. Po ashtu, statuti i PD-së nuk parashikon ndonjë procedurë të posaçme për emërime të përkohshme, apo komandime të krerëve të departamenteve, që mund të shkaktohen nga rrotacionet e detyruara, si ky i fundit, apo në rast të dorëheqjeve, si dhe ndarjes nga jeta të krerëve të departamenteve, etj. Mbledhjen e Këshillit Kombëtar e thërret Kryetari, ose sekretari i përgjithshëm me miratim të kryetarit, në marrëveshje me Kryesinë e PD-së. Por Këshilli mund të mblidhet edhe nëse e kërkojnë një e katërta e anëtarëve të tij. “Në këtë rast, kryetari thërret mbledhjen jo më vonë se dy javë nga data e depozitimit të kërkesës”- thuhet në nenin 41 të statutit. Por në një kohë që ende nuk ka asnjë njoftim për një mbledhje të Këshillit Kombëtar të PD-së, mbetet për t’u parë nëse çështja e zëvendësimeve të krerëve të departamenteve do të jetë pjesë e vendimmarrjes së ardhshme të këtij këshilli.
Rikthimi i humbësve
Tashmë që Voltana Ademi që drejtonte para 21 qershorit Departamentin e Pushtetit Vendor, u zgjodh kryebashkiake e Shkodrës, Basha ka zgjedhur për këtë departament një njohës të mirë të çështjeve vendore siç është Ardian Turku. Turku la mandatin e deputetit për të garuar përballë Qazim Sejdinit në garën e Bashkisë së Elbasanit, por në finale ish-deputeti demokrat nuk ia doli që të merrte revanshin ndaj rivalit të majtë, i cili do ta mundte në zgjedhjet vendore të 8 viteve më parë. Po kështu, edhe kryebashkiaku i Kukësit, Bashkim Shehu, nuk do të drejtojë më Departamentin e Sigurisë. Në vend të tij do të jetë Enkelejd Alibeaj, i cili do të humbiste përballjen e tij për drejtimin e Fierit me kandidatin e PS-së, Armando Subashi. Para pak ditësh, Basha riktheu edhe Halim Kosovën në PD pas humbjes së garës për kryebashkiak të Tiranës, duke i besuar procesin e vetëdekriminalizimit të kësaj partie.
Nënkryetari
“Kur të mblidhet Këshilli Kombëtar mund të konfirmohen edhe me votë”
Spaho: Emërimi u bë se s’kishte drejtues në departamente
Lidhur me emërimet e Enkelejd Alibeajt dhe Ardian Turkut në krye të Departamentit të Sigurisë, Rendit Publik, Luftës kundër Krimit dhe atë të Pushtetit Vendor dhe Administrimit të Territorit, nënkryetari i PD-së, Edmond Spaho, në një prononcim dhënë dje për gazetën “Shqip” theksoi se emërimi i tyre erdhi për shkak të vakancës së krijuar në drejtimin e këtyre departamenteve, pas fitoreve të Bashkim Shehut dhe Voltana Ademit në zgjedhjet e zhvilluara në Bashkitë e Kukësit dhe Shkodrës. “Alibeaj dhe Turku janë ngarkuar për të mbuluar këto dy departamente”- tha Spaho. Sa i përket mbledhjes së ardhshme të Këshillit Kombëtar të PD-së, nënkryetari Spaho thekson se nuk është parashikuar ndonjë mbledhje e tij së shpejti, ndërsa theksoi se në mbledhjen më të parë do të bëhet dhe votimi i propozimeve të kryetarit Basha për emërimet e reja në këto departamente. “Tani për tani s’ka për t’u mbledhur Këshilli. Kur të mblidhet Këshilli Kombëtar mund të konfirmohen edhe me votë. Por duke qenë se aktualisht nuk ka asnjë njeri që të merret me punët e këtyre departamenteve, janë ngarkuar këta dy persona për ta bërë”- tha nënkryetari demokrat Edmond Spaho. Këto lëvizje në strukturën drejtuese të PD-së i paraprijnë dhe mbledhjes së afërme të Kryesisë së Partisë Demokratike e cila do të ketë në fokus çështjen e analizës dhe organizimit të partisë në përputhje me prioritetet që u miratuan në mbledhjen e parë të saj. Mësohet se tashmë është përfunduar edhe raporti analitik i grupit të posaçëm të punës që u ngrit pranë PD-së, që do të bënte përllogaritjet e rezultateve të PD-së në secilën prej 61 bashkive të vendit, të cilat janë krahasuar edhe me rezultatet e arritura në këto zona gjatë zgjedhjeve të vitit 2011, 2013 dhe 2015. Raporti, të cilit do t’u bashkëngjiten dhe përfundimet dhe evidentimet e grupit të punës, do t’u shpërndahet krerëve të degëve të PD-së në rrethe, të cilët do të instruktohen lidhur me vendimmarrjet që do të marrë Kryesia e PD-së, ku janë paralajmëruar rrotacione në drejtimin e strukturave të kësaj partie në bazë.
Statuti
Procedura për zgjedhjen e drejtuesve të Departamenteve të PD-së
Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike që u mblodh një vit më parë, pas procesit intensiv të zgjedhjeve të reja në parti në nivel seksionesh, grupseksionesh dhe degësh në të gjitha rrethet e vendit, do të miratonte edhe ndryshime të shumta në statutin e saj. Sa u përket departamenteve të krijuara rishtazi, u vendos që pas nenit 43, të shtohet neni 43/1, me përmbajtje si më poshtë vijon:
Neni 43/1
Departamentet
- Pranë PDSH ngrihen dhe funksionojnë departamentet. Numri i departamenteve dhe fusha e veprimtarisë që mbulojnë përcaktohen me vendim të Kryesisë së partisë.
- Drejtuesit e departamenteve zgjidhen me propozim të kryetarit nga Këshilli Kombëtar.
- Departamentet janë përgjegjëse për përgatitjen e platformave, opinioneve, strategjive dhe programeve sektoriale, të cilat shërbejnë për formulimin e programit elektoral, programit të qeverisjes dhe veprimtarinë politike të PDSH. Departamentet sigurojnë koordinimin e veprimtarisë në fushat që mbulojnë ndërmjet partisë dhe grupit të saj parlamentar.
- Departamentet përgjigjen për punën e tyre pranë kryetarit të partisë. Çdo vit ato hartojnë një raport për veprimtarinë vjetore, i cili i paraqitet për njohje Kryesisë së partisë.
- Rregullat e hollësishme për organizimin dhe funksionimin e departamenteve përcaktohen në Rregulloren e Brendshme të PDSH.