Kreu i opozitës Lulzim Basha, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se i ka falur CEZ-it 600 milionë euro me justifikimin e marrjes së statusit kandidat të vendit për në BE.
Por kryedemokrati, në një postim në profilin e tij në “Facebook”, kujton se ka qenë Rama ai që bllokoi për tre vjet statusin duke mbajtur të bllokuar shqiptarët me çështjen e “kryetarit të qarkut Fier”.
Postimi i plotë
“I falëm CEZ 600 milionë euro, se Çekia mund të vendoste veton për statusin e vendit kandidat për në BE! Ky është justifikimi më i fundit i Edi Ramës. Po a nuk ishte Edi Rama që bllokoi statusin e vendit kandidat për kryetarin e qarkut të Fierit?
Më i rëndësishëm kreu i qarkut Fier se 600 milionë euro të shqiptareve? Nëse do të ishte kaq i interesuar për statusin, Edi Rama nuk e bllokonte tre vjet me radhë.
“Veto” është argument për mega-aferën e CEZ. 600 milionë eurot e shqiptarëve janë falur dhe ndarë. Gjithçka tjetër është përrallë e kokoshit 200 milionësh. Por nuk e ha më njeri këtë çorbë. Do t’i shkojmë deri në fund kësaj afere. Këto janë lekët e shqiptarëve të cilët sot po burgosen e shtyhen drejt vetëvrasjes për 2000 lekë”.
29 shtator 2015 (gazeta-Shqip.com)