Rompuy dhe Barroso nuk e përmendin imunitetin gjatë takimit me Nishanin


Fatjona Mejdini


Dy krerët e lartë të Bashkimit Europian, Van Rompuy dhe Jose Manuel Barroso, kërkuan që Shqipëria të bënte progres në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si elemente thelbësore në kuadër të përfitimit të statusit të vendit kandidat. Këto deklarata, dy drejtuesit më të lartë të BE-së i bënë gjatë takimit që zhvilluan në Bruksel me Presidentin Bujar Nishani, cili kreu një vizitë zyrtare në selinë e Komisionit Europian në prag të daljes së raportit të radhës për progresin e Shqipërisë. Në deklaratat për media të presidentit të Këshillit Europian, Van Rompuy dhe presidentit të Komisionit Europian, Barroso, nuk u përmend heqja e imunitetit si kusht thelbësor për marrjen e statusit kandidat, por u theksua nevoja për forcimin e bashkëpunimit mes dy forcave kryesore politike. Dy drejtuesit e lartë të BE-së u treguan të kujdesshëm të mos zbulonin sesi do të ishte vlerësimi i radhës i BE-së për çështjen e marrjes së statusit, ndonëse vlerësuan faktin se në Shqipëri ishte bërë progres i dukshëm në lidhje me plotësimin e 12 prioriteteve kyçe.


Rompuy


Presidenti i Këshillit Europian, Van Rompuy, theksoi se Shqipëria ka të gjithë potencialin e duhur për të bërë dhe më tepër përparim në kuadër të përmbushjes së qëllimit për të marrë statusin e vendit kandidat në Bashkimin Europian. Me rëndësi të veçantë, Rompuy cilësoi nevojën e vijimit të reformave politike, në kuadër të përmbushjes së 12 prioriteteve. Por ai nuk harroi të theksojë edhe faktin se forcimi i shtetit ligjor, lufta kundër korrupsionit dhe ajo ndaj krimit të organizuar, janë gjithashtu elemente me rëndësi thelbësore në vlerësimin e KE-së. Drejtuesi i lartë i BE-së gjeti rastin t’i kërkonte edhe Presidentit të vendit, Bujar Nishani, kontribut të prekshëm në kuadër të reformës në gjyqësor. “Të mos harrojmë që respektimi i shtetit të së drejtës, duke përfshirë edhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, është thelbësore. Unë e mirëpres përkushtimin e fuqishëm të Presidentit Nishani ndaj reformës në gjyqësor”, deklaroi Rompuy, duke i bërë thirrje politikës ta shikonte integrimin europian si një përpjekje kombëtare dhe gjithëpërfshirëse.


Barroso


Presidenti i Komisionit Europian, Barroso, tha se pavarësisht progresit të bërë në vend, në këtë fazë kritike, për sa i përket integrimit, Shqipëria duhet të japë prova se ka vullnet për të luftuar korrupsionin dhe për të ndërtuar një shtet të së drejtës. Barroso vlerësoi progresin në vend, duke numëruar edhe pikat e plotësuara të 12 rekomandimeve të plotësuara, por, sipas tij, ka ende punë për të bërë. “Miratimi i Kodit Zgjedhor, madje edhe arritjet në 12 pikat kyçe të integrimit në Bashkimin Europian, reformat e ndryshme që kanë të bëjnë pikërisht edhe me të drejtat e njeriut, janë edhe hapat e parë drejt rrugës së duhur. Nuk duhen kursyer lëvizjet dhe përpjekjet për t’i plotësuar këto reforma, dhe mbi të gjitha për të luftuar korrupsionin, si dhe për të forcuar zbatimin e ligjit”, deklaroi drejtuesi më i lartë i Komisionit Europian.


 


Vlerësimi – Në fillim të muajit tetor, Shqipëria do të njihet me progres-raportin e radhës së Komisionit Europian dhe njëkohësisht me përgjigjen për marrjen ose jo të statusit të vendit kandidat


Kriteret – Barroso deklaroi dje, se Shqipëria do të marrë statusin e vendit kandidat në BE vetëm në momentin kur do të plotësohen kriteret që komisioni ka vendosur për të, pavarësisht zhvillimit të përgjithshëm në vend


Qeveria – Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, shoqëroi Presidentin Nishani në vizitën zyrtare në Bruksel. Pak ditë më parë ishte ministri i Jashtëm, Edmond Panariti, që vizitoi “qendrën” e Europës


Nisma – PS-ja çeli dje në Bruksel, në ambientet e PE-së, ekspozitën “Euro-Albanian Contacts”. Nesër, zëvendëspresidenti i PE-së, Miguel Angel Martinez, do të shpallë zyrtarisht të hapur ekspozitën në një ceremoni të posaçme, ku do të marrë pjesë kryetari i PS-së, Edi Rama, dhe deputeti Taulant Balla. Kjo ekspozitë ka si qëllim të promovojë imazhin e Shqipërisë në Europë, në përvjetorin e 100 të Pavarësisë së Shqipërisë.


 


Ambasadori i SHBA


Arvizu: Duhet të mbyllet urgjent reforma në drejtësi


Ambasadori amerikan në Shqipëri, Aleksandër Arvizu, i ka kërkuar klasës politike në vend që të thellojë dhe të përmbyllë pa humbur kohë reformën në sistemin e drejtësisë. Këtë deklaratë, Arvizu e bëri gjatë prezantimit të një projekti të USAID-it për të mbështetur me kredi fermerët shqiptarë. Pavarësisht se tema e projektit duket larg asaj të sistemit të drejtësisë, ambasadori amerikan vlerësoi se kompletimi i kësaj reforme do të sillte më shumë zhvillim edhe në sektorin e biznesit privat. “Që sektori privat t’i rikthehet rritjes, nevojitet që Shqipëria të mbështesë reformën në drejtësi dhe që gjykatat të krijojnë një mjedis transparent e të barabartë”, deklaroi Arvizu, duke theksuar rëndësinë e kësaj reforme. Ambasadori amerikan deklaroi gjithashtu se kreditë e këqija kanë njohur rritje dhe gjykatat nuk krijojnë mundësi për mbledhjen e borxheve. “Kredidhënia kundrejt fermerëve shqiptarë shihet shpesh si e rrezikshme dhe mungesa e efikasitetit të gjykatave e bën të vështirë dhe të kushtueshme që huadhënësit të mund të mbledhin borxhet. Përqindja e kredive të këqija është rreth 20 për qind. Kredidhënia është ngadalësuar”, deklaroi ai.