Deklaratë e ashpër e Brukselit, një ditë para vizitës së Ashton


Deklarata – “BE-ja shpreh shqetësim dhe ndan shqetësimet e partnerëve të tjerë lidhur me pasojat e mundshme të një votimi në Parlament te besimi i njerëzve në procesin elektoral. Të gjithë krahët politikë kanë përgjegjësi për të siguruar natyrën e paanshme të administratës elektorale”


Axhenda – Catherine Ashton do të zhvillojë paraditen e sotme takime me të gjithë krerët e lartë të politikës shqiptare, për të përfunduar vizitën e saj njëditore me një deklaratë për mediat në mesditë


Fatjona Mejdini


Ashton & Fule Bashkimi Europian, përmes një deklarate të posaçme për Shqipërinë, shpërndarë pasditen e djeshme, i kërkon në mënyrë të qartë mazhorancës të heqë dorë nga zëvendësimi i anëtarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Duke pasur një qëndrim të njëjtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në deklaratën e BE-së, e cila përbëhet vetëm nga dy fjali, u kërkohet palëve politike të respektojnë pavarësinë e KQZ-së. “BE-ja shpreh shqetësimin e saj dhe ndan shqetësimet e partnerëve të tjerë lidhur me pasojat e mundshme të një votimi në Parlament te besimi i njerëzve në procesin elektoral. Të gjithë krahët politikë kanë përgjegjësi për të siguruar natyrën e paanshme të administratës elektorale”, theksohet në deklaratë. Kjo thirrje e rëndësishme vjen vetëm një ditë përpara se shefja e diplomacisë së BE-së, Catherine Ashton, të zhvillojë një vizitë pak orëshe në Tiranë. Kështu, përfaqësuesja më e lartë e diplomacisë së Bashkimit Europian, Catherine Ashton, do të zhvillojë paraditen e sotme takime me të gjithë krerët e lartë të politikës shqiptare, për të përfunduar vizitën e saj njëditore me një deklaratë për mediat në mesditë.


Kuti numerimi


Pavarësisht se kjo vizitë e baroneshës Ashton në Tiranë vjen në kuadër të një turi të saj në Ballkanin Perëndimor, përsëri zgjedhja e këtij momenti për të qenë në Shqipëri konsiderohet si mesazh më vete. Ajo do të takojë në Tiranë, Kryeministrin Sali Berisha, kreun e opozitës, Edi Rama dhe Presidentin Bujar Nishani. Burimet bëjnë të ditur se Ashton do të mbajë mes të tjerave dhe një qëndrim të qartë në lidhje me debatin e fundit në vend, në kuadër të kërkesës së mazhorancës për të zëvendësuar një anëtar të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe kundërshtimit të fortë të opozitës së bashkuar. Këtë qëndrim Ashton pritet ta bëjë publik në një deklaratë në lidhje me këtë çështje në kuadër të nevojës së vendit për të mos pasur klimë të ashpër politike përpara zgjedhjeve parlamentare të qershorit, të cilat konsiderohen kyçe nga ndërkombëtarët për sa i përket vijimit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Përveç informacionit që ajo do të marrë nga vetë drejtuesit politikë në lidhje me këtë çështje, përfaqësuesja e lartë e BE-së do të informohet dhe nga i dërguari special i BE-së për këtë çështje, eksperti për çështjet ligjore, Nikolai Vulçanov, i cili në fundjavën e shkuar ka zhvilluar takime me përfaqësuesit politikë shqiptarë. Por, nga ana tjetër, në kuadër të integrimit në BE, Catherine Ashton pritet t’i bëjë thirrje klasës politike të vijojë miratimin e reformave të përbashkëta, pavarësisht se zgjedhjet e ardhshme janë në prag. Një pikë tjetër e rëndësishme që pritet të ngrihet nga drejtuesja e diplomacisë së BE-së, është dhe çështja e lënies mënjanë të retorikave nacionaliste nga politikanët shqiptarë dhe thellimi i përpjekjeve për të zhvilluar bashkëpunimin mes vendeve të rajonit. Nevoja për reforma dhe ajo për fqinjësi të mirë janë përcaktuar qartë dhe në deklaratën paraprake që Ashton ka bërë për këtë vizitë. “Unë udhëtoj për në vendet e Ballkanit Perëndimor për të përforcuar angazhimin e BE-së ndaj perspektivës europiane për vendet në rajon. Unë do të nxis liderët në rajon që të vazhdojnë procesin e reformës dhe promovimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore”, ka theksuar ajo. Në fakt, kjo vizitë është e rëndësishme edhe në kushtet kur Ashton e viziton Tiranën për herë të parë, pas shumë vitesh që qëndron në krye të diplomacisë europiane. Ashton ka zhvilluar dje një takim në Malin e Zi dhe nga atje do të vazhdojë me Shqipërinë e më pas me ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë. Sipas zyrës së shtypit të BE-së, ndalesa të mëtejshme të kësaj vizite do të shpallen në një fazë të mëvonshme.