Fule: Presidenti të zgjidhet sipas frymës së Kushtetutës
Pas Këshillit të katërt të Stabilizim-Asociimit, Bashkimi Europian i caktoi Shqipërisë dhjetë ditë kohë, për përmbylljen e reformave parlamentare dhe zgjedhore që burojnë nga marrëveshja e nëntorit, para nisjes së procesit të zgjedhjes së presidentit, më 24 maj. “Është e një rëndësie kritike që marrëveshja e nëntorit, duke përfshirë reformën zgjedhore, të përmbyllet para nisjes së procesit për zgjedhjen e Presidentit. Është e një rëndësie kritike që kjo të arrihet përpara 24 majit, sepse është e vetmja mënyrë, që paketa e nëntorit dhe finalizimi i saj të jetë pjesë e zgjidhjes, sepse në të kundërt, kam frikë se paketa e nëntorit mund të bëhet pjesë e problemeve”, tha komisioneri europian për zgjerimin e BE-së, Stefan Fule. Të pyetur nga “Top Channel”, mazhoranca dhe opozita dhanë qëndrimet respektive lidhur me këtë afat të ngushtë. “Sigurisht që afatet duhen respektuar, afatet janë të rëndësishme po aq sa cilësia e ndryshimeve në ligj. Me komisionerin ndamë vlerësimin se afati nuk është një mur i palëvizshëm, me kusht që të japë rezultate dhe zgjidhje pozitive për disa çështje që mbeten pezull dhe për të cilat po diskutohet edhe sot (dje)”, tha ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto. “Në politikë, dhjetë ditë janë më se të mjaftueshme dhe gjithçka mund të ndodhë. Unë besoj se, nëse do të ketë vullnet politik, ne do të mund t’ia arrijmë shumë më shpejt se më 24 maj”, tha kryetari i Komisionit Parlamentar për Integrimin, Ditmir Bushati. Për presidentin, Bashkimi Europian përsëriti se ky i fundit duhet zgjedhur sipas tekstit dhe frymës së Kushtetutës. Pyetjes nga “Top Channel”, nëse mjaftojnë vetëm reformat politike për marrjen e statusit, Komisioni Europian dhe Presidenca daneze iu përgjigjën Fule dhe Villy Sovndal. “Përgjigjja ime ndaj pyetjes se a mjafton vetëm reforma zgjedhore, është jo. Kjo është arsyeja pse së bashku kemi përcaktuar 12 pika e kjo do të thotë që nuk duhet plotësuar vetëm një prej këtyre pikave. E në lidhje me pyetjen se a mund të arrihet statusi kandidat këtë vit, mendoj se kjo varet nga Shqipëria dhe nga politikanët shqiptarë. Ne i kemi kërkuar Komisionit dy gjëra: njëra është të ndihmojë dhe lehtësojë procesin politik dhe tjetra është të vëzhgojë progresin e bërë”, tha Villy Sovndal, ministri danez i Punëve të Jashtme. “Ky nuk është vetëm një ushtrim që kërkon plotësimin e disa katrorëve, por keni absolutisht të drejtë se gjurmët e provave, veçanërisht në luftën kundër korrupsionit janë një pjesë e domosdoshme për këtë”, tha Fule.
PD-PS
Të pranishëm, si në dëgjesën në Parlamentin Europian, njësoj edhe në Këshillin e Stabilizim-Asociimit me Bashkimin Europian, ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, dhe deputeti i Partisë Socialiste, Ditmir Bushati, konfirmuan për “TCH” nga Brukseli vullnetin e palëve për përmbylljen në kohë të reformave që burojnë nga marrëveshja e nëntorit. Për përfitimin e statusit kandidat, ministrja theksoi reformën zgjedhore dhe zgjedhjen e presidentit, kreu i Komisionit Parlamentar për Integrimin kujton edhe fushat e tjera ku vendit i kërkohen rezultate.
Bregu
“Besoj se ky mesazh, ndoshta dhe i pathënë në afat kohor të përcaktuar, pra në momentin kur duhet të fillojë zgjedhja e presidentit, ka qenë i qartë për të gjithë. Gjithsesi, afati i Komisionit të Reformës Zgjedhore është sot. Unë di që Komisioni i Reformës Zgjedhore është mbledhur dhe po punon sikurse kanë punuar deri dje vonë. 99% të propozimeve që janë sjellë nga opozita janë pranuar dhe sot raporti final po shkruhet edhe me sugjerimet e OSBE/ODIHR-it.
Bushati
Ditmir Bushati, kryetar i Komisionit Parlamentar për Integrimin, tha nga ana e tij se: “Duhet përmbyllur reforma zgjedhore dhe reforma parlamentare, në mënyrë që marrëveshja e nëntorit të konsiderohet e përmbushur”. Elementi i dytë ka të bëjë me zgjedhjen e Presidenti të Republikës dhe jo më kot, nga Bashkimi Europian kërkohet që paketa e nëntorit të përmbyllet para fillimit të procedurave për përzgjedhjen e Presidentit të ri të Republikës, i cili kërkohet të dalë nga një proces gjithëpërfshirës dhe të garantojë një president mbi palët, simbol i unitetit të popullit”.
Paketa: “Është e një rëndësie kritike kjo të arrihet përpara 24 majit, sepse në të kundërt, kam frikë se paketa e nëntorit mund të bëhet pjesë e problemeve”
Sovndal: “Ne i kemi kërkuar komisionit dy gjëra: njëra është të ndihmojë e të lehtësojë procesin politik dhe tjetra është të vëzhgojë progresin e bërë”
Wollfarth: Jo numërim elektronik
Koha e mbetur përpara zgjedhjeve nuk mjafton për të instaluar teknologjinë e re, por edhe për të trajnuar njerëzit që do të menaxhojnë identifikimin dhe numërimin elektronik. Kjo, sipas ambasadorit të OSBE-së në Tiranë, Eugen Wollfarth, është edhe arsyeja pse ODIHR-i, ndryshe nga konsensusi PD-PS në Komisionin e Reformës Zgjedhore, rekomandoi që ky sistem i ri të nisë të zbatohet pas 2013-s.
