Ende pa u shuar jehona e detajeve rrëngjethëse të masakrimit të 18-vjeçares Aishe Vata në Xhafzotaj në Durrës, rikthehen skenat horror. Këtë herë një 63-vjeçar nga Berati është gjetur i masakruar në mënyrë makabre dhe pa kokë, në vendin e quajtur ‘Rruga e Drobonikut’, një 1 km larg qytetit.
Trupi i viktimës, Hasan Maska, banues i fshatit Drobonik, Komuna Velabisht, është gjetur i copëtuar dhe futur në një qese plasmani të zezë. Trupi pa kokë ishte hedhur në ferra dhe është pikasur nga banorë të zonës. Policia është lajmëruar nga kalimtarë të rastit dhe ka shkuar menjëherë në vendngjarje për të zbardhur vrasjen makabre të 63-vjeçarit.
Nga të dhënat paraprake dyshohet se Maska është masakruar për hakmarrje, por nuk janë përjashtuar pistat e tjera të hetimit. Mësohet se pak muaj më parë, djali i tij ka shtypur aksidentalisht një grua, pikërisht në vendin ku u gjet i masakruar Maska. Policia vijon hetimet dhe ende nuk ka një variant zyrtar të ngjarjes.
17 nëntor 2012 (gazeta-Shqip.com)