Topi reagon duke i konsideruar shpifje akuzat e kryeministrit


Kryeministri Sali Berisha vijoi gjatë ditës së sotme të akuzojë ish-presidentin Bamir Topi si përgjegjës për disa nga krimet më të rënda në vend, ndërsa ky i fundit reagoi duke i konsideruar “shpifje nga një njeri i çekujlibruar.”


Berisha e akuzoi Topin fillimisht si përgjegjës për emërimin e gjykatësve të korruptuar, të cilët, rezultojnë se kanë liruar si të pafajshëm një njeri të akuzuar për shumë vrasje, i cili javën e kaluar vrau edhe shefin e komisariatit të policisë.


Ilir Xhakja, një nga personat më të rrezikshëm në Shqipëri pas viteve ’90, ku u arrestua dhe lirua disa herë për vepra të rënda penale, ka fituar pafajësinë në vitin 2011 me ndihmën e punonjësve të Policisë së Shtetit. Dy inspektorë krimesh kanë dëshmuar në gjykatë në favor të këtij personi, megjithëse provat balistike kanë nxjerrë gjurmë gishtash në armë dhe fishekë. Ata kanë pohuar se i akuzuari për vrasjen e Qerim Malokut ishte në Gjermani ditën e krimit, megjithëse akuza kishte prova se vrasja ishte bërë pikërisht nga 38-vjeçari. Gjyqtari Neritan Tabaku ka zbardhur pas 20 muajsh vendimin e pafajësisë, e cila i hapi rrugën vrasjes së 13 shtatorit në fshatin Katund Sukth në Durrës, ku mbeti i vrarë shefi i Komisariatit të Shijakut, Adem Tahiraj.


Vala e madhe e kriminalitetit detyroi kryeministrin Sali Bersisha të japë një shpjegim se pse autoritetet shtetërore po dështojnë në parandalimin e vrasjeve dhe në identifikimin e ndëshkimin e autorëve. Duke folur në parlament të martën, Berisha tha se përgjegjës është ish-presidenti Bamir Topi dhe ish-nënkryetari i KLD-së Kreshnik Spahiu, (që të dy sot krerë partish politike konkurrente me Berishën), të cilët, sipas kryeministrit, kanë emëruar gjykatës përkundrejt përfitimit të shumave të mëdha monetare.


Sot, duke folur në mbledhjen e qeverisë, Berisha foli për vrasjen në krye të detyrës së së kreut të Komisariatit të Policisë së Shijakut: “Të vesh dorë dhe të ekzekutosh një njeri që po të kontrollon, po bën detyrën, meriton ndëshkimin më maksiman. Ne nuk kemi ndëshkim kapital, por kemi ndëshkimin maksimal, që është dënimi përjetë”.


Ashtu si edhe një ditë më parë në Parlament, Kryeministri akuzoi ish-presidentin Topi dhe ish-nënkryetarin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë Kreshnik Spahiu se kanë liruar vrasësin e komisarit të Shijakut, Adem Tahiraj.


Reagoi pak më vonë ish-presidenti Bamir Topi:


“Kryeministri lëshoi një lumë akuzash, fyerjesh e denigrimesh, duke tentuar të njollosë emrin tim në cilësinë e ish- kryetarit të shtetit. Kam bindjen se kushdo që e ka dëgjuar, ka krijuar atë ndjesi që pata dhe unë. Sërish u shfaq në një gjendje të çekuilibruar dhe humbje kontrolli për t’u mëshiruar. I njëjti njeri ka 22 vjet që baltos institucionet dhe jetën publike, njerëzit e ndershëm dhe kritikët e tij, duke vënë në punë një makinë gjigande denigruese, të denjë dhe të krahasueshme vetëm me kohën e udhëheqësit shpirtëror në vitet e fundit të sundimit të tij. Unë e kuptoj shumë mirë rënien e tij në nivele të tilla. Sa herë ai sheh një kërcënim elektoral, e humbet kontrollin dhe është gati të bëjë gjithçka për rivalët e tij. Sikur sjellja e tij të ishte thjesht personale, as unë dhe as bashkëpunëtorët e mi nuk do merreshin me të. Ai mbetet një pacient në fazë të rënduar mendore. Duke qenë se fjalët e tij nuk janë të një qytetari të rrugës, ndonëse me fjalor rrugësh, ai e meriton një përgjigje të drejtpërdrejtë. Me zhargonin e një njeriu të paemancipuar e ligji emrin tim tim me vrasjen e gjyqtarit Skederilajd Konomi dhe me pronat e familjes së tij. Kryeministri që drejton policinë dhe shërbimin sekret, ka detyrimin ligjor dhe aksesin për informim zyrtar, ai nuk heton dhe zbardh të vërtetat e mëdha, por vetëm shpif sepse për të nuk ka rëndësi e vërteta. Ai shpif siç ka bërë për vrasjet e mëdha politike të 22 viteve.”, tha Topi.


Deklarata e plotë e Topit mund të gjendet këtu:


Z. Topi, Deklarate per media, dt. 19.09.2012