Kryeministri Sali Berisha ftoi banorët e qarkut të Durrësit në Rrashbull dhe ish-Kënetë, të bashkohen në zgjedhje me alternativën e fjalës së mbajtur të Qeverisë së tij dhe me jo alternativën e vitit zero, siç e quajti ai alternativën e Edi Ramës.
“Për këtë alternativë shtëpitë tuaja nuk janë vila të bukura, por janë shpella dhe ju jeni shpellarë. Më lejoni t’ju garantoj se brenda këtij viti secili prej jush do të marrë tapitë e tokës, do të marrë tapinë e shtëpisë. Do të finalizojmë legalizimet, do të ngremë Zyrën e Legalizimeve pranë kryetarit të komunës, do të dërgojmë aty hipotekën dhe procesi do të marrë fund me shpejtësinë më të madhe”, tha Berisha.
Për herë të pare nga Qarku i Durrësit, Kryeministri nuk krahasoi vetëm dy alternativat, por edhe dy modelet e politikanëve, mes të cilëve shqiptarët duhet të zgjedhin më 23 qershor.
“Modelit të Sali Berishës, i cili është modeli juaj, i njeriut që njësoj si ju beson tek djersa e ballit, beson tek puna dhe përkushtimi, që ju ka shërbyer si mjek, që ju ka shërbyer si politikan. Sali Berisha njësoj si ju beson tek familja e tij, tek fëmijët e tij, tek qytetarët e tij. Cili është modeli tjetër? Modeli tjetër është modeli i një njeriu që 270 ditë në vit nuk shkelte në zyrën e punës, i një burri aventurier, që ndahet dhe martohet sa herë ka zgjedhje për qëllime elektorale. Modeli tjetër është modeli që fsheh dhe nuk deklaron pasuritë. Në rast se Sali Berisha 20 vjet në politikë, ka 125 metra katrorë apartament dhe asnjë metra katrorë gjetiu, kam deklaruar njësoj si ju çdo qindarke që kam fituar me punën time, me rrogën time. Cili është modeli i shokut të autobusit mavi? Një vilë 57 metra e gjatë, një pallat në shpinë, asnjë qindarkë e deklaruar me çfarë janë ndërtuar. Këto nuk janë probleme të miat, por modelet janë modele. Mbi bazën e tyre ndërtohet e ardhmja. Prandaj ftoj socialistet të bashkohen me modelin tonë të përbashkët”, tha Berisha.
14 qershor 2013 (gazeta-Shqip)