Kryeministri e lidh krizën ekonomike botërore me piramidat e ‘97
BLEDAR HOTI
Kryeministri Sali Berisha e lidh krizën ekonomike botërore me atë të piramidave në Shqipëri, duke fajësuar në të njëjtën kohë dhe sistemin e demokracisë. Këto qëndrime Kryeministri i mbajti dje në Strasburg në punimet e Forumit Ndërkombëtar për Demokracinë, që zhvillohet nga Këshilli i Europës. “Po ilustroj rastin me Shqipërinë, jo se jemi vend i madh, apo se ka ekonomi. Vendi im është hasur me një ndër krizat më të këqija siç ishin skemat piramidale, ku shqiptarët humbën të gjithë kursimet e tyre. Ajo çka ndodhi ishte për shkak të një vakumi të tmerrshëm ligjor. Është shumë e rëndësishme që tregjet të zhvillohen në mënyrë të shëndetshme dhe ne kemi punuar për një kuadër ligjor të shëndetshëm, se pas 20 vitesh nuk ishte radha jonë për një krizë financiare, por e vendeve të tjera. Dhe kjo krizë ishte njësoj si Shqipëria në vitin ‘97 që vuajti nga skemat piramidale. Kjo krizë ndodhi se elita bankare ka minuar ligjet, ka vënë në heshtje bordet që mbrojnë interesat e tyre ambicioze”, tha në fjalën e tij Berisha. Ai theksoi më tej se “gjatë krizës së viteve të fundit, ekonomia shqiptare njohu rritje prej katër herë më shumë, se sa mesatarja e ekonomive të rajonit. Investimet e Huaja Direkte në katër vite janë rritur 315%, në 6 vjet eksportet u zhvilluan shumë dhe u trefishuan. Është e vërtetë që ekonomia i ndjeu pasojat e kësaj krize, por besoj se Shqipëria ka shumë arsye për të qenë e lumtur me rrugën që ka zgjedhur. Shqipëria provon se ekonomia e tregut dhe demokracia nuk ka të bëjë vetëm me privatizimet, liberalizimin dhe zgjedhjet e lira”.
Sistemi i demokracisë
Për Kryeministrin shqiptar, ajo që ka sjellë prishje të tregut është sistemi, pa mohuar se demokracia është jetike. Sipas tij, fajin e ka dhe rendi botëror që aplikojnë të gjitha shtetet perëndimore të përparuara. “Demokracia është jetike, por nëse do shohim veprimet e saj, demokracia mund të sjellë disa prishje të tregut. Jemi këtu mes rajoneve më të begata, por, 15% të vendeve po përballojnë faturën sociale të botës. A është i mbingarkuar tregu në këtë rast dhe problemi që shtrohet është që qeveritë e elitave duhet të marrin përsipër reforma shumë serioze”, u shpreh Berisha. Në fjalën e tij, kreu i ekzekutivit pohoi se ekziston një lidhje e ndërsjellë mes tregjeve dhe demokracisë dhe duke iu referuar krizës financiare me të cilën përballet Europa, ai pohoi se demokracia, në disa raste, mund të sjellë edhe prishje të tregut. “Jam mjek në profesion dhe si rezultat do të doja ta ilustroja këtë gjë me lidhjen mes koshiencës dhe subkoshiencës. Demokracia është shumë e rëndësishme, është jetike, – do të thoja, por nëse do të shikojmë veprimet e saj sigurisht që demokracia mund të sjellë disa prishje të tregut. Le t’i hedhim një sy Europës sot, jemi këtu një ndër rajonet më të begatë, por 11% e popullsisë së botës po konsumojnë 50% të faturës sociale të saj, ndërkohë që ata po prodhojnë thuajse 70% të PBB-së. A është i mbingarkuar tregu në këtë rast? Duket se po. Problemi që shtrohet tani është që qeveritë e elitave ta marrin shumë seriozisht krizën, duhet të ndërmarrin reforma shumë serioze, se opinioni publik nuk është shumë mbështetës. Problemi i tretë madhor lidhet me tregun e punës. Demokracia i ka vendosur tregut disa kufizime serioze dhe tregu i punës sot është më shumë i ngurtë se sa fleksibël. Ne shpresojmë se përdorimi i lirive është mënyra e vetme për të kaluar këtë krizë. Kjo është një nga qindra krizat me të cilën sistemi është përballur prej viteve ‘70 deri më sot. Sistemi ka potencial për t’u reformuar, ndaj besoj se ai është më i mirë, dhe ta vendosësh në pikëpyetje është e gabuar”, u shpreh Kryeministri Berisha. Kreu i Ekzekutivit është fokusuar edhe në arritjet e Shqipërisë gjatë këtyre 20 vite, ku vendi ynë aplikon sistemin e demokracisë. “Shqipëria është një rast unik, sepse 20 vjet më parë e filloi nga zero. Shqipëria hyri në vitet ‘90 si vendi në të cilin prona private, iniciativa e lirë, liritë dhe të drejtat themelore të njeriut ishin të ndaluara me Kushtetutë. 20 vjet më parë, vendi im, i cili është i vendosur në zemër të Europës, renditej i treti më i varfër në botë, pas Ugandës dhe Angolës, me vetëm 204 USD për frymë, ishte me të vërtetë një vend ku koha kishte ndalur. Pas rënies së perdes së hekurt, vendi im përqafoi rrugën e ekonomisë së tregut dhe demokracisë. 20 vjet më vonë, ajo çfarë Shqipëria arriti në këtë kohë, nga vendi i cili kishte të ardhurat më të ulëta për frymë në botë, sot renditet në grupin e vendeve me të ardhura të mesme – të larta, me 9000 USD për frymë. Shqipëria, që ishte një nga vendet më pak të urbanizuara në botë, gjatë këtyre viteve ka pasur normën më të shpejtë të urbanizimit”, theksoi Berisha. Diskutimi i Kryeministrit ka qenë tejet i gjatë, por një nga drejtuesit e panelit, i ndërhyri, duke i kërkuar Berishës që të përfundonte diskutimin. Ndërsa pas diskutimit, në momentin kur po ulej, Kryeministri u kthye në drejtim të panelit për t’i shtrënguar dorën drejtuesve të Forumit. Veprimi u shoqërua disi me habi nga drejtuesit e panelit.