Mazhoranca nuk ka dalë me një qëndrim të unifikuar për dekretin
Fatjona Mejdini
Vetëm Kryeministri Sali Berisha dhe ish-presidenti Bamir Topi e kanë mirëpritur emërimin e Adriatik Llallës. Ndërkohë, opozita socialiste pret të japë sot qëndrimin zyrtar, ndërsa LSI-ja, aleatja kryesore e PD-së dhe partia që ka çelësin e votave në Kuvend, hesht, qëndrim që të paktën tani për tani, duket se synon të thotë diçka politikisht.
Kandidimi i Adriatik Llallës në krye të organit të akuzës ka sjellë reagime të ndryshme në skenën politike shqiptare. E para parti që ka reaguar ka qenë Fryma e Re, e cila përmes një deklarate për shtyp ka theksuar se kjo parti nuk e ndryshon qëndrimin e saj për mënyrën jo kushtetuese përmes të cilës po zgjidhet kryeprokurori, ndonëse vlerëson figurën e Adriatik Llallës. Kryeministri Berisha nga mbledhja me dyer të mbyllura e grupit parlamentar të PD-së, ka theksuar mbështetjen e demokratëve për këtë kandidaturë që e kanë quajtur atë jo politike dhe të duhurën për në krye të organit të akuzës. Partia Socialiste nga ana tjetër nuk ka shprehur asnjë qëndrim. Pyetjes se cili do të ishte qëndrimi i PS-së, deputetët e opozitës kanë preferuar t’i shmangen duke theksuar se do të jetë grupi parlamentar i PS-së, ai që do të marrë një vendim në lidhje me këtë çështje. Interesant është fakti që Lëvizja Socialiste për Integrim nuk ka preferuar të japë një qëndrim në lidhje me kandidaturën e Adriatik Llallës. Eksponentët e saj kryesorë nuk kanë preferuar ta komentojnë këtë kandidaturë, duke e lënë mister qëndrimin e aleatit kryesor të PD-së për këtë çështje.
FRD
“Fryma e Re Demokratike, në dallim nga procesi dhe debati kushtetues, mirëpret dhe përshëndet kandidaturën e zotit Adriatik Llalla për Prokuror të Përgjithshëm. Zoti Llalla përfaqëson një zyrtar korrekt, person me integritet profesional, drejtues të suksesshëm të ILDKP-së dhe një emër që ka të gjitha potencialet për të vijuar ta mbajë institucionin e akuzës jashtë ndikimeve partiake, si dhe përmes profesionalizmit dhe vullnetit pozitiv, për t’i dhënë dinjitetin e duhur postit të Prokurorit të Përgjithshëm”, theksohet në deklaratën për shtyp të publikuar pak orë pas nxjerrjes së dekretit nga ana e Presidentit Nishani.
PD
Pak orë më vonë dekretit të Presidentit, ishte Kryeministri Berisha që dha vlerësimin e tij për këtë kandidaturë në pjesën me dyer të mbyllura të grupit parlamentar. Berisha e konsideroi zgjedhjen e Nishanit për Llallën si pozitive, nisur nga profili i tij si jurist i suksesshëm dhe drejtues i një institucioni të pavarur në vend. Berisha përmendi në fjalën e tij faktin se Llalla është një person jopolitik dhe që në vitin 2008 ka marrë konsensusin e të gjithë Parlamentit të Shqipërisë, duke qenë konsensual.
PS dhe LSI
Partia Socialiste ende nuk ka shprehur një opinion dje për kandidaturën e Adriatik Llallës, duke e lënë qëndrimin për mbledhjen e grupit që do të mbahet sot. Pritet që PS të mos e ndryshojë qëndrimin për sa i përket procedurës që është ndjekur nga Nishani për këtë kandidim, pavarësisht emrit të kryeprokurorit. Interesant është fakti se përfaqësuesit e LSI-së nuk kanë shprehur asnjë qëndrim në lidhje me kandidaturën e Llallës, duke e bërë të dyshimtë unitetin e mazhorancës aktuale rreth kësaj kandidature.
Votimi – Në vitin 2008, Llalla ka marrë votat e PD, PS dhe aleatëve të tyre për kreun e ILDKP
Qëndrimi – Gjatë kohës që ai ka mbajtur këtë funksion asnjë nga partitë nuk ka pasur akuza të forta ndaj tij
Portreti
Ngritja dhe rënia në mandatin e trazuar pesëvjeçar
Ina Rama, zonja e akuzës që egërsoi mazhorancën pas hetimit të tre ministrave
Sali Berisha, Kryeministri dhe kreu i mazhorancës, e metaforizoi emrin e sapozgjedhur të kryeprokurores së Republikës, Ina Rama, me famën e një figure letrare të ekranizuar në luftën ndaj mafies si Silvia Konti. Por ky perifrazim dhe vlerësim i Berishës zgjati fare pak… As një vit. Gjithçka erdhi duke u ashpërsuar e duke i egërsuar kohë pas kohe, kur kreu i qeverisë e lëshoi fjalorin ndaj Silvias së fillimit dhe e quajti…. po, po, “lavire bulevardi”. Kjo ndodhi pas 21 janarit kur Prokurori i Përgjithshëm kërkoi të hetonte zinxhirin komandues të Gardës së Republikës për vrasjet në demonstratën e 21 janarit 2011. Në 22 nëntor të vitit 2007 zgjedhja e Ina Ramës ishte një “çlirim” i madh për mazhorancën, e cila prej më shumë se një viti ishte përfshirë në një betejë të ashpër për shkarkimin e Theodhori Sollakut. Prokurorja e re e Përgjithshme, e cila vinte nga Gjykata e Apelit, u pa me dyshim nga opozita, pasi PS ishte alarmuar se Berisha po kapte të gjitha pushtetet me Bamir Topin në Presidencë dhe 35-vjeçaren Ina Rama në krye të organit të akuzës. Euforia e Kryeministrit Berisha ishte lehtësisht e lexueshme kur përdori vlerësimet më të larta për Ina Ramën. Por periudha e artë nuk zgjati shumë për shkak të vendimit të Prokurores së Përgjithshme për të vazhduar hetimet rreth rrugës Durrës-Kukës. Një tjetër vendim i Ina Ramës për të hapur dosjen e zhdukjes së shtetasit Remzi Hoxha dhe hetimi i Arben Sefgjinit, ish-zyrtar i SHIK-ut dhe drejtor i tatimeve në momentin e rihapjes së çështjes. 15 marsi i 2008-s me tragjedinë e Gërdecit vendosi ndarjen përfundimtare mes mazhorancës dhe Prokurores së Përgjithshme, Ina Rama. Në fjalorin e Kryeministrit akuzat ndaj Ina Ramës sa vinin dhe shtoheshin dhe nuk munguan edhe kërcënimet për një komision hetimor për shkarkimin e saj. Situata u përsërit me çështjen e Damir Fazlliç, i cili mbërriti në Tiranë, kur për të kishte akuza publike dhe u lëshua urdhër ndalimi nga ana e prokurorisë. Ne 2011, kur demonstrata e 21 janarit rezultoi me 4 viktima, Sali Berisha përdori ndaj Ina Ramës fjalorin më të ashpër që kishte artikuluar ndonjëherë… Zgjedhja e Bujar Nishanit si President i Republikës në 11 qershorin e këtij viti vulosi largimin e Ina Rames nga posti në nëntor, pavarësisht debatit për kohën. Kryeprokurorja tentoi dhe disa herë ia doli të çonte para gjykatës ministra dhe figura të rëndësishme të qeverisë si Lulzim Basha, Fatmir Mediu, Ilir Meta, u përball me akuza për bashkëpunim politik me opozitën, për pjesëmarrje në grusht shteti e deri me akuza për paaftësi profesionale. Zonja e akuzës, nuk u shpëtoi as diskutimeve për mënyrën e të veshurit dhe fotot sensuale të botuara në një prej revistave shqiptare u komentuan edhe nga ambasadori amerikan i asaj kohe, John Withers, i cili theksoi se shqiptarët i perceptuan keq fotot me fund të shkurtër të Ina Ramës.