Kryeministri
Kryeministri Berisha ka kërkuar dje që emigrantët të votojnë në vendet ku ata jetojnë, por një gjë të tillë nuk e pranoi në Kodin Zgjedhor, kur i është propozuar nga opozita. Dje, në mbledhjen e qeverisë, Kryeministri deklaroi se mund ta realizojmë nga aspekti teknologjik në këta dy muaj. Berisha e konsideroi Ramën gënjeshtar përpara emigrantëve shqiptarë në botë, pasi u premtonte votën në Shqipëri dhe nuk e votonte propozimin për ta bërë të mundur këtë gjë. “I them zotit Rama, se në vendin fqinj, ku ishte dhe mashtronte duke dëshmuar se është i mbrujtur me gënjeshtrën në mënyrë të pashpresë, dhe për burrin nuk ka dobësi më të madhe, sesa gënjeshtra, është toksina e karakterit të burrit. Gratë nuk gënjejnë zakonisht, është e provuar sinqeriteti i tyre, pra në atë vend, pikërisht vota e bashkëpatriotëve italianë nga Argjentina ka përcaktuar rezultate zgjedhjesh”, theksoi Berisha, duke e ftuar që të hënën të jepte miratimin për një nismë të tillë. Sipas tij, realizimi i kësaj nisme është shumë e thjeshtë, për shkak të teknologjisë së avancuar. Për sa u përket emigrantëve, Berisha deklaroi se qeveria kishte vendosur të shtynte afatin për rivlerësimin e banesave dhe apartamenteve të tyre. Ai po ashtu nuk harroi të theksonte se i qëndronte idesë dhe për votën e 16-vjeçarëve.