Kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski ka nisur sot një vizitë zyrtare në vendin tonë. Takimi i parë ka qenë ai me kryeministrin Berisha, në përfundim të të cilit janë nënshkruar dy marrëveshje të rëndësishme sa i përket lehtësimit të komunikimit mes dy vendeve tona; Marrëveshja për njohjen reciproke të lejeve të drejtimit dhe Marrëveshja për hapjen e pikës së përbashkët të kalimit kufitar Trebisht-Xhepisht.


Pas kësaj dy kryeministrat mbajtën një konferencë të përbashkët për shtyp ku vlerësuan marrëdhëniet shumë të mira reciproke mes dy vendeve në të gjitha fushat, në bashkëpunimin ekonomik, politik dhe të respektimit të minoriteve përkatëse në të dyja vendet tona.


“Në takimet tona diskutuam për bashkëpunimin në çdo fushë dhe në projekte tonë për integrimin europian dhe euroatlantik. Shqipëria është anëtare e NATO dhe Maqedonia gjithashtu, de fakto. Maqedonia ka fituar statusin e kandidatit vite më parë dhe jemi të bindur se meriton plotësisht hapjen e negociatave. Maqedonia mbështet Shqipërinë në procesin e integrimit europian. Diskutuam për intensifikim të lidhjeve në çdo fushë dhe ramë dakord të bëjmë përpjeke të përbashkëta për Korridorin 8, për lidhen e linjave të tensionit  të lartë, për kompletimin e rrugës së Arbrit, unazës së Ohrit, lidhjen hekurudhore. Qeveria do të mbështesë, interesin e Maqedonisë, për projektin transadriatik të gazit nga Azerbajxhani”, – u shpreh kryeministri Berisha.


Gjithashtu, një tjetër çështje me rëndësi e diskutuar mes dy kryeministrave ishte edhe ajo e respektimit të të drejtave dhe lirive të minoriteteve në të dyja vendet, ku u vlerësua roli dhe kontributi i shqiptarëve dhe maqedonaseve në të Shqipëri dhe Maqedoni.


Edhe kryeministri maqedonas nga ana e tij vlerësoi marrëdhëniet mes dy vendeve si të shkëlqyera, ndërkohë që theksoi se e ardhmja e dy vendeve është në BE si dhe uroi kryeministrin shqiptar për marrjen e rekomandimit nga BE për statusin e kandidatit.


23 nëntor 2012 (gazeta-Shqip.com)