Përurimi
Kryeministri Sali Berisha inauguroi paraditen e djeshme një pjesë të superstradës Levan-Tepelenë. Ndonëse në segmentin Levan-Damës ka ende pjesë të papërfunduara të superstradës dhe mungojnë një pjesë e tabelave sinjalizuese, Berisha ka vendosur dje të presë shiritin e inaugurimit. Ky aks i superstradës është i gjatë 38 kilometër dhe gjerësia e tij është rreth 10.5 metër. Ndërkaq, vlera për ndërtimin ka arritur në rreth 42 milionë euro. Gjatë fjalimit të tij Berisha theksoi se superstrada Levan-Tepelenë, pjesë e korridorit veri-jug, gjatësia e së cilës shkon në 70 km, kalon në Fier, Vlorë dhe Gjirokastër. Ai shtoi se nga viti 2005 deri më sot në këto tre qarqe janë investuar mbi 1.8 miliardë euro për rrugët. Por, Kryeministri Berisha nuk ka harruar të lëshojë akuza ndaj opozitës duke pohuar se të majtët donin ta bllokonin ndërtimin e kësaj rruge. “Ata nuk votuan në Parlament shtesën që u kërkua për ndërtimin e kësaj rruge. Ata nuk votuan sepse donin të bllokonin përfundimin e saj para zgjedhjeve. Zoti Rama donte me çdo kusht që të shkonte në Vlorë me rrugën e vjetër. Kishin problemin që ne të mos i inaugurojmë rrugët para zgjedhjeve, por ne do të vazhdojmë në mënyrë të vazhdueshme ndërtimin e tyre. Jo bllokimi, por zhvillimi është ai që kanë nevojë jetike shqiptarët dhe brezat e këtij vendi. Ne do të bëjmë gjithçka për të zhvilluar Shqipërinë”, deklaroi kreu i qeverisë. “Sot ne jemi një vend që ecim me shpejtësi drejt nivelit të vendeve të zhvilluara, sepse zhvillimin tonë ne e bazojmë te liria. Shqipëria renditet e 12-ta për sa i përket lirisë ekonomike. Kjo fton investitorët e huaj të investojnë në Shqipëri”, vijoi më tej Berisha. Para se të inaugurohej në këtë segment kanë ndodhur mjaft aksidente edhe me pasojë vdekjen. Kjo për shkak se drejtuesit e mjeteve kanë ecur me shpejtësi të madhe dhe kanë munguar tabelat sinjalizuese, që ende nuk janë vendosur në gjithë aksin e rrugës në fjalë. e.h
Rama në “Twitter”
Rrugët i bëjnë lekët e popullit, standardet e rrugëve i imponon qeveria. Sot kemi shumë lekë të hedhura në rrugë, po asnjë rrugë me standarde!