Mazhoranca


Kryeministri pret të parin Mediun. S’ka konfirmim për konsultimet me Metën


Pas ngjarjes së dhimbshme të Himarës, politika shqiptare duhet të kthejë sytë nga një çështje e rëndësishme dhe e mprehtë siç është ajo e zgjedhjes së presidentit të ardhshëm të vendit. Zhvillimet më të mëdha pritet të ndodhin në dy ditët në vazhdim brenda gjirit të mazhorancës, ku diskutimet mes Kryeministrit Sali Berisha dhe drejtuesve të partive të koalicionit qeverisës, do të  të konkludojnë në daljen e një emri si kandidaturë kryesore për garën. Burimet brenda mazhorancës bëjnë të ditur se ngjarja e rëndë e ndodhur dy ditë më parë në Himarë, ka sjellë një vonesë të kuptueshme në procesin e negociatave mes aleatëve. Por gjithsesi burimet bëjnë të ditur se ato pritet të nisin sot dhe të vijojnë edhe nesër. Ajo që është e sigurt në këto momente lidhet me faktin se negociatat nuk do të zhvillohen në një tryezë të përbashkët, ku mendohej se do të mblidheshin të gjithë drejtuesit e partive të djathta në vend. Burimet bëjnë të ditur se do të zhvillohet një diskutim për këtë çështje në takimin që kreu i qeverisë ta ketë me kreun e Partisë Republikane, Fatmir Mediu. Ky takim pritet të ndodhë dhe për shkak se kreu i republikanëve do të shoqërojë sot te Kryeministri dy kongresmenë amerikanë, të cilët kanë ardhur për një vizitë pranë strukturave të PR-së.


F.Mejdini


24 maji


Reforma zgjedhore, ende pa konsensus mes PS-së dhe PD-së


Mazhoranca dhe opozita nuk po arrijnë një konsensus për të mbyllur çështjet e reformës zgjedhore. Kur duhen edhe 24 orë nga përfundimi i këtij afati, mësohet se palët ende nuk po arrijnë një kompromis për çështjen e formulës së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. “Jemi ende larg për arritjen e një konsensusi”, tha dje për gazetën “Shqip”, ish-bashkëkryetari i komisionit të posaçëm, socialisti Damian Gjiknuri. Ndërsa kanë arritur një konsensus në lidhje me numërimin elektronik, si dhe për verifikimin e kartave ID të zgjedhësve, palët janë ende larg në çështjen e KQZ-së. Ndërkombëtarët janë shprehur të qartë se reforma zgjedhore duhet të përmbyllet para 24 majit, pra përpara përfshirjes së Kuvendit në procesin e zgjedhjes së presidentit të ardhshëm të vendit. Një apel i tillë u bë nga vetë komisioneri për Zgjerimin e BE-së, Stefan Fule, gjatë takimit me përfaqësuesit e ekzekutivit shqiptar dhe të opozitës parlamentare në Bruksel.


 


Nisma e PS-së


Kufijtë, Beja riparon gabimin e ligjeve


Komisioni Parlamentar i Politikës së Jashtme ka miratuar nismën e opozitës për ligjin e kufijve. Kreu i këtij komisioni, Fatos Beja i PD-së, ka bërë riformulimin e amendamentit të ministrit të Brendshëm, Bujar Nishani. “Nuk mund t’i referohemi një ligji të shfuqizuar”, tha Beja, i cili paraqiti një riformulim të tijin, duke lënë në fuqi nenin 3 dhe duke kërkuar shfuqizimin e neneve 1, 2, 4 dhe 5 të ligjit të kufijve të vitit 2001. Deputeti Islami në komision kërkoi sqarime në lidhje me faktin se pse po realizohet një rikthim i ligjit të tillë. Demokrati Kadilli u shpreh se kjo bëhet për çështje sensitive, por Islami tha se “mbi bazën e kësaj i bie që qeveria ka gabuar në shfuqizimin e ligjit të vitit 2001, të realizuar nga mazhoranca e djathtë në vitin 2008, përpara nisjes bisedimeve Shqipëri-Greqi për paktin e kufijve”.