Kryeministri Sali Berisha, teksa ka marrë fjalën në Forumin Ndërkombëtar për Demokracinë, që zhvillohet nga Këshilli i Evropës, ka paralelizuar krizën në zonën euro me skemat piramidale në Shqipëri.


“Po ilustroj rastin me Shqipërinë, jo se jemi vend i madh, apo se ka ekonomi. Miq, Shqipëria është rast unik, se 20 vite më parë, që sapo doli nga regjimi komunist, respektohen liritë fetare. 20 vite më parë, një vend i cili e ka vendin në zemër të Europës, ne ishim një ndër 3 vendet më të varfra në botë. …Në skemat piramidale, humbëm shumë dhe u krijua një boshllëk. Por ne kemi punuar për një kuadër ligjor të shëndetshëm, se pas 20 vitesh nuk ishte radha jonë për një krizë financiare, por e vendeve të tjera. Dhe kjo krizë ishte njësoj si Shqipëria në vitin ’97 që vuajti nga skemat piramidale”.


Sipas kreut të Qeverisë shqiptare, kriza financiare në zonën euro ndodhi për shkak të elitës financiare.”Kjo krizë ndodhi se elita bankare ka minuar ligjet ka vënë në heshtje bordet dhe mbrojnë interesat e tyre ambicioze”.


Kjo është hera e dytë brenda pak ditësh që kryeministri Berisha i rikthehet skemave piramidale. Pak ditë më parë, ai akuzoi Bankën Botërore se nuk parashikoi në kohë skemat piramidale.


8 tetor 2012 (gazeta-Shqip.com)