PD-së i ikën partia e Zef Bushatit. Në koalicion një parti që nuk është regjistruar nga KQZ


Bode – Sekretari i Përgjithshëm, Ridvan Bode, ka lexuar tekstin hyrës të marrëveshjes së përbashkët të koalicionit ri politik me 24 parti gjithsej


Bushati – Kreu i ADK-së, Zef Bushati, ka dalë i irrituar nga takimi me dy negociatorët Bode dhe Bylykbashi. Më pas ai mblodhi kryesinë e partisë


Partia Civile – Në koalicionin me PD-në rezulton dhe Partia Civile, ajo ka qenë kundër qeverisë aktuale, por rezulton se KQZ nuk e ka regjistruar


BLEDAR HOTI


Berisha zyrtarizon koalicionet“Aleanca për Punësim, Mirëqenie dhe Integrim” është emri i koalicionit të djathtë politik në zgjedhjet e 23 qershorit, që do të kryesohet nga Partia Demokratike. Pas dy ditë negociatash, PD ka krijuar një koalicion me 24 parti politike, duke arritur të bindë së fundmi, aleatët “problematikë” PR, PDIU dhe LZHK. Përplasjet me këto parti kanë qenë për faktin se aleatët që kanë peshë më të madhe votash i kanë kërkuar dy negociatorëve të mandatuar Bode dhe Bylykbashi të jenë në listat shumemërore të PD-së. Mësohet se një kusht të tillë PD-ja e ka pranuar vetëm për PR-në, PDIU dhe LZHK-në. Negociatat nuk kanë përfunduar mirë me PD-në që synonte të nënshkruante me 25 parti politike. Partia Aleanca Demokristiane e drejtuar nga Zef Bushati nuk arriti një marrëveshje me PD-në, pasi mësohet se ai nuk do të ketë benefice si dy aleatët e tjerë si PR, LZHK apo PDIU, pavarësisht se ka marrë 13 mijë vota në zgjedhjet e fundit. Bode dhe Bylykbashi kanë paraqitur idenë e nisjes nga zero të bashkëpunimit me AKD-në, pra mbi bazën e votave që do të përfitojë, do të ndahet dhe torta e pushtetit. Mësohet se Bode i ka deklaruar se “aleatë që kanë më shumë vota në koalicion si PR do të përfshihen në lista”. Ndërkohë, pritet të konfirmohet nëse PD-ja do të vendosë në lista krerët e partive si PR dhe LZHK apo do të marrë përfaqësues të tjerë nga aleatët. Ndër aleatët e rinj, PD ka Partinë Civile, e drejtuar nga Dritan Boraka. Por këtij subjekti politik KQZ-ja i ka refuzuar regjistrimin për zgjedhjet e 23 qershorit. Nëse Kolegji i jep të drejtë KQZ-së, atëherë koalicioni i PD-së pritet të jetë me 23 parti gjithsej. Ndërsa në krahasim me zgjedhjet e kaluara, të 2009-s, PD ka në koalicionin e saj 11 parti më pak.


Berisha   


Pas siglimit të marrëveshjeve në selinë e PD-së, Berisha organizoi një takim të përbashkët me krerët e 24 partive firmëtare. “Sot, në Uashington, në një konferencë nga më seriozet do të deklarohej botërisht se opozita shqiptare për qëllime politike bllokon procesin e integrimit të vendit të vet dhe të popullit të vet në BE. Sot, në Luksemburg, në mënyrë të përsëritur u deklarua se janë tre ligje që nuk u votuan, ato që bllokuan statusin e Shqipërisë për në BE. Nuk ndodhi askurrkund, ndodhi vetëm në Shqipëri sepse udhëheqja  e sotme e PS ka për platformë, ka për program të vërtetë, testamentin  e etërve të vet. Atëherë kjo rrethanë ishte një thirrje, ishte një apel për të gjithë këta zotërinj që janë të ulur sot këtu, të bashkohemi për të bërë çdo gjë, për ta avancuar integrimin e Shqipërisë në BE. Unë jam i sigurt se 23 qershori do të jetë përgjigjja më e shkëlqyer e shqiptarëve për axhendën e vet europiane. Ne bashkohemi dhe dua t’u informoj, se nga 35 parti që morën pjesë në zgjedhjet e 2009, 24 prej tyre janë të pranishme në këtë podium, parti me histori të qartë elektorale, kundrejt halave dhe ngjalave të aleancës tjetër”, tha Berisha. Kryeministri e ka mbyllur fjalimin e tij me “shpreh besimin tim të madh se energjia, përkushtimi, devocioni, vendosmëria e forcave tona politike të bashkuara në një aleancë të vetme do të garantojë një fitore të thellë, të shkëlqyer, do të përsërisë vitin ‘92 , vitin në të cilin ne hapëm së bashku rrugën e lirisë për shqiptarët”.


PDIU zbulon paktin


Pas nënshkrimit të paktit, PDIU ka zbardhur disa prej pikave të marrëveshjes me PD-në. Ky pakt parasheh se: “Ndërmarrja e hapave sa më të shpejtë konkretë për materializimin dhe vënien në jetë  të rezolutës për zgjidhjen e çështjes çame të ripranuar në fund të kësaj legjislature, si dhe garantimi i mbështetjes për PDIU-në, që përfaqësues të saj ekzekutivë apo institucionalë ta trajtojnë këtë çështje diplomatikisht në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe parimet e fqinjësisë së mirë dhe të barazisë mes kombeve; Rritja e përfaqësimit dhe pranisë të anëtarëve dhe mbështetësve të PDIU-së në administratën shtetërore, sistemin e drejtësisë, diplomaci dhe institucionet e sigurisë për të kompensuar diskriminimin e regjimit komunist dhe për të siguruar një përfaqësim sa më të drejtë në të gjitha nivelet e pushtetit në përputhje me votën popullore dhe ligjet në fuqi;


Krijimi i Ministrisë së Diasporës dhe Emigracionit, si një institucion qeveritar përgjegjës për politika në drejtim të diasporës së re dhe të vjetër, për statusin e tyre, të drejta historike dhe aktuale; organizimi një tryeze politike mbarëkombëtare që të mblidhet në mënyrë periodike për të rritur unitetin dhe bashkëpunimin brenda kombit tonë, si dhe për të ndërmarrë konsultime në rast të ballafaqimit me një çështje a problem që i intereson mbarë kombit; fillimin e realizimit të institucionalizimit të marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Kosovës në formën e strukturave të përbashkëta, ose që takohen periodikisht; ndërtimi i muzeut dhe institutit shtetëror të tragjedisë shqiptare që të hulumtojë e ekspozojë spastrimin etnik, shpopullimin, shpronësimin, diskriminimin dhe asimilimin e ushtruar ndaj shqiptarëve në trojet shqiptare për të rritur vetëdijen dhe memorien kolektive për vuajtjet në të cilat ka kaluar kombi shqiptar. Përmirësimi i bazës ligjore për konservimin e monumenteve të kulturës dhe natyrës, rritja e fondeve për rehabilitimin dhe mirëmbajtjen e tyre, si dhe shtimin e rreptësisë së ndëshkimit ndaj atyre që dëmtojnë këto monumente.


Krijimi i një pavijoni për Çamërinë në Muzeun Kombëtar”.


 


Aleanca për Punësim, Mirëqenie dhe Integrim


1. Partia Demokratike


2. Partia Republikane


3. Partia për Drejtësi dhe Integrim


4. Lëvizja për Zhvillim Kombëtar


5. Partia Agrare Ambientaliste


6. Partia Lidhja Demokristiane


7. Partia Lëvizja e Legalitetit e Shqipërisë


8. Partia Aleanca Demokratike Shqiptare


9. Partia Bashkimi Liberal Demokrat


10.Partia Demokristiane e Shqipërisë


11.Partia Balli Kombëtar Demokrat


12.Partia e Minoritetit Grek për të Ardhmen


13.Partia e të Drejtave të Mohuara e Re


14.Partia  Aleanca për Demokraci dhe Solidaritet


15.Partia Konservatore Shqiptare


16.Partia Ora e Shqipërisë


17.Partia Bashkimi Demokrat Shqiptar


18.Partia Aleanca e Maqedonasve për Integrim Europian


19.Partia e të Drejtave të Mohuara


20.Partia Lëvizja Shqipëria e Re


21.Partia Demokracia e Re


22.Partia Bashkimi Popullor i Pensionistëve Shqiptarë


23.Partia Rruga e Vërtetë Shqiptare


24.Partia Civile e Shqipërisë