Kryeministri: Pres që të rinovohet marrëveshja me LSI-në
Fatjona Mejdini
Kryeministri Sali Berisha, doli dje në mbrojtje të ministrit të Mbrojtjes, Arben Imami, duke i quajtur akuzat e opozitës për trafikun e armëve një fushatë trillimesh banale. Përgjatë, një konference për shtyp të mbajtur dje, Berisha theksoi se çdokush që do të publikonte dokumente të klasifikuara që tregonin për import-eksportin e armëve do të mbante përgjegjësi ligjore, duke lënë të kuptohej se ndaj deputetit socialist, Erion Braçe, do të kishte padi penale. Po dje, Kryeministri theksoi se nuk kishte ndërmend të negocionte me të përndjekurit politikë, të cilët prej rreth dy jave janë në një grevë urie. Ai shprehu dje besim se LSI-ja do të vijonte të ishte pjesë e koalicionit të djathtë dhe pas prillit të vitit tjetër dhe e quajti koalicionin opozitar “një bashkim fundërrinash” që sipas tij do të fshiheshin nga politika pas zgjedhjeve parlamentare të 2013-s.
Trafiku
Berisha, i pyetur dje në lidhje me akuzat që opozita kishte artikuluar ndaj ministrit të Mbrojtjes, Arben Imami, u mjaftua të përqendrohej tek akuzat e bëra për shkëmbim të dyshimtë armësh me Malin e Zi. Ai nuk u prononcua për firmat serbe dhe emrat e veçantë të cilat përfliten për trafik armësh në Shqipëri, por theksoi se Mali i Zi ishte një vend mik i vendit tonë.
“Del e deklaron se qenka bërë trafik me Malin e Zi dhe i janë dhënë dy predha për familje. Mali i Zi është vend mik dhe këta që mendojnë se do përlyejnë mbrojtjen shqiptare, ushtrinë shqiptare nga bashkëpunimi me Malin e Zi, këta kanë ngelur fatosa me shami të kuqe në qafë. Pavarësia e Malit të Zi është parë me dhimbje të madhe nga Beogradi dhe grupe të vogla që akoma e mbajnë mend si një vend armik. Mali i Zi është një vend që ka firmosur Partneritetin për Paqen me Atlantikun e Veriut dhe që Shqipëria e mbështet plotësisht për procesin e anëtarësimit në NATO”, theksoi Berisha, duke mos folur për akuzat e tjera. Ai theksoi se të gjithë ata që publikonin dokumente të klasifikuara do të merrnin dënimin që jepte ligji.
Aleancat
Kryeministri theksoi dje se aleanca e PD-së me LSI-në po funksiononte në mënyrën më të mirë të mundshme dhe se ai ishte i hapur për ta përsëritur këtë bashkëpunim dhe për zgjedhjet e ardhshme. Pavarësisht faktit se Berisha u shpreh se PD po përjeton një periudhë të artë për sa i përket mbështetjes në elektorat, ai theksoi se do të ishte shumë i kujdesshëm për të zgjedhur koalicionin e tij. Por i ashpër Berisha u shpreh ndaj të gjitha forcave opozitare dhe mundësisë së tyre për të bashkëpunuar në prag të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. Ai i quajti këto forca fundërrina që do të fshiheshin pas zgjedhjeve. “Problemin e zgjedhjeve Rama e ka zgjidhur duke thënë ‘fundërrina të të gjitha vendeve bashkohuni për të rrëzuar Berishën’. Më duhet të them se këta të nderuar, nuk do kenë për fat disfatën, por fshesën, se ndaj tyre përdoret fshesa”, deklaroi Berisha.
Të përndjekurit
Berisha bëri të qartë dje se ai nuk negocionte me greva urie politike, duke mos lënë asnjë shpresë se qeveria do të jepte kontribut për përfundimin e kësaj greve. Le të protestojnë kundër Sali Berishës sa të kenë dëshirë. “Nga ata që janë aty, të gjithë pa përjashtim që kanë dorëzuar dokumentin në afatin ligjor, kanë marrë këstin e parë. Kanë zgjedhur studion e Kristaq Ramës, mund të zgjedhin zyrën e Edi Ramës, këto nuk më impresionojnë mua, kam respekt për kundërshtarin”, deklaroi Berisha.
Përgjigjja
Deputeti i PS-së deklaroi se ai është ndier i kërcënuar ndaj deklaratave të djeshme të Berishës. “Atë që sapo the e mora për kërcenim të hapur ndaj jetës sime dhe familjes sime. Ti do të më burgosesh! Bëje!! Unë këtu do të jem, por mos shpif më. Unë kurrë nuk kam thënë që kam dokumente sekret. Kam thënë me gojën plot që kam dokumente tregtare dhe urdhëresa publike”