Kryeministri Sali Berisha zhvilloi mëngjesin e sotëm një takim me akademikët në Universitetin e Durrësit, ku ritheksoi se punësimi i të rinjve dhe kualifikimi i tyre do të jenë në qendër të punës së Partisë Demokratike për 4 vitet që do të vijnë.
Sipas kryeministrit, trajnimi profesional dhe lidhja e shkollës me tregun e punës janë shtylla kryesore në punësimin e të rinjve duke shtuar se arsimi profesional mbetet promotor i fuqishëm i zhvillimit rajonal.
“Për ne si forcë politike të rinjtë kanë qenë dhe mbeten në krye të axhendës sonë. Ne do bëjmë gjithçka për krijimin e vendeve të punës për të rinjtë. Në këtë kontekst, arsimi profesional është vendimtar. Do bëjmë çmos të orientojmë universitete drejt këtyre profileve”, tha Berisha.
Gjatë fjalës së tij, Berisha e vuri theksin tek ekonomia dhe punësimi, duke dhënë garancinë e tij për nxitjen e këtyre sektorëve.
“Reforma në ekonomi bëhet përmes përgatitjes së personelit. Reforma do të shtrihet në të gjitha universitetet. Roli i universiteteve duhet të jetë ai i promotorit të zhvillimit rajonal. Ne do ecim në drejtimin e duhur”, tha Berisha.
16 prill 2013 (gazeta-Shqip.com)