Kryeministri Berisha priti ditën e sotme në takim ministrin e Jashtëm të Serbisë Ivan Mrkiç. Ministri Mrkiç u shpreh se në këtë vizitë ai sillte mesazhin e ndjenjave miqësore të Qeverisë së re serbe për popullin shqiptar.


“Dy kombet kanë jetuar pranë njëri-tjetrit ndër shekuj dhe do të ishte në interesin më të mirë të marrëdhënieve dypalëshe që raportet bilaterale të bazohen në pjesën më të mirë të marrëdhënieve shumë shekullore”, u shpreh Mrkiç, bën të ditur njoftimi i Kryeministrisë.


Ministri theksoi se vërtet ekzistojnë diferenca në marrëdhëniet dypalëshe, por këto marrëdhënie në të ardhmen duhet të bazohen në qëllimet e mira të përbashkëta pavarësisht diferencave.


Kryeministri Berisha, nga ana e tij, u shpreh se Qeveria shqiptare është e interesuar për një kapitull të ri marrëdhëniesh pozitive mes dy vendeve dhe se një zhvillim i tillë është edhe në interes të rajonit dhe të qëllimit të përbashkët për integrim në Bashkimin Europian.


Kryeministri gjithashtu theksoi se dallimet mes të dy vendeve nuk duhet të bëhen pengesa për zhvillimin e marrëdhënieve bilaterale dhe se pavarësisht të shkuarës, e ardhmja e këtyre marrëdhënieve duhet të jetë ajo e miqësisë dhe bashkëpunimit në të gjitha fushat me interes reciprok si në edukim, kulturë, turizëm, ekonomi.


Në këtë kuadër Kryeministri vlerësoi se përmirësimi i lidhjeve infrastrukturore lehtëson shkëmbimet ekonomike, tregtare, kulturore etj. Kështu ndërtimi i autostradës Nish – Merdarë dhe i një hekurudhe që lidh portet e Shqipërisë me Europën Qendrore do të krijojnë hapësirat të mëdha bashkëpunimi në të ardhmen.


Të dy bashkëbiseduesit u shprehën për nevojën për të rikapur shanset e humbura në të shkuarën dhe se në këtë kuadër është me rëndësi zhvillimi i takimeve në kuadrin e një komiteti ndërqeveritar, i cili do të identifikojë fushat me interes dypalësh.


Panariti takon Mrkiç: Njohja e Kosovës nga ana e Serbisë na ndihmon drejt të ardhmes europiane


Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Ivan Mrkiç deklaron në Tiranë, se historia nuk ka lejuar që Shqipëria të ketë marrëdhënie të mira me Serbinë. Mrkiç deklaron se shpreson që në të ardhmen bashkëpunimi mes dy vendeve tona të vazhdojë të forcohet.


“Ne serbët e kemi provuar gjenocidin dhe e mbajmë mend gjatë këtë. Ne kemi interpretime të ndryshme për historinë, prandaj duhet sa më pak t’i referohemi kësaj periudhe. T’ia lënë historianëve dhe njerëzve të shkencës këtë çështje. Ne si politikanë duhet të përpiqemi që të vëmë në pah çdo gjë që na bashkon”, – tha Mrkiç, kur u pyet se kur Serbia do të kërkojë falje për gjenocidin ndaj shqiptarëve.


Këto deklarata, ministri i Jashtëm serb i dha në një konferencë të përbashkët me homologun e tij shqiptar, Edmond Panariti, në kuadër të vizitës së tij në vendin tonë, zhvillim politik që është pritur me reagime nga Aleanca Kuqezi e po ashtu edhe nga PDIU-ja.


Nga ana e tij, kryediplomati shqiptar, Panariti u shpreh se Tirana zyrtare është e preokupuar që marrëdhëniet mes Serbisë dhe Kosovës, dy vende sovrane, të vazhdojnë në rrugë të mbarë, ashtu sikurse po ecin.


Ministri Panariti theksoi se ka biseduar me homologun e tij serb për njohjen reciproke të diplomave, ndërsa theksoi se duhet bërë më shumë për bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar.


“Duhet të përmirësohet jeta e faktorit shqiptar në jug të Serbisë. Kërkova që autoritetet serbe të ndahen nga aktet e dhunës ndaj shqiptarëve”, u shpreh Panariti.


Ministri, ndër të tjera u shpreh se njohja e Kosovës do të ndihmonte të dyja vendet drejt të ardhmes europiane. Më herët Mrkiç ka thënë se vizita e tij në Tiranë ka një rëndësi të veçantë për ripërtëritjen e marrëdhënieve në rajon.

23 tetor 2012 (gazeta-Shqip.com)