Kryeministri Sali Berisha ka marrë pjesë në aktivitet e organizuara në kuadër të 100-Vjetorit të pavarësisë nga bashkia Elbasan, i cili ka qenë qyteti i parë që shpalli pavarësinë në 25 nëntor 1912.
Aktivitetet nisën me ceremoninë përkujtimore për patriotin e shquar Aqif Pashë Elbasanin dhe firmëtarët e Deklaratës së Pavarësisë së Elbasanit. Nën tingujt e himnit kombëtar, kryeministri Berisha së bashku me Kryetarin e Bashkisë së Elbasanit Qazim Sejdiu dhe prefektin e qarkut, Shefqet Deliallisi, zbuluan pllakën në nderim të 37 firmëtarëve të Pavarësisë së Elbasanit dhe të përfaqësuesve të Elbasanit, në Vlorë më 28 nëntor 1912, si Lef Nosi, Shefqet Daiu, Mit’hat Frashëri, Qemal Karaosmani. Pllaka, së bashku me shtatoren e Aqif Pashë Elbasanit (1860 – 1926) janë vendosur në bulevardin e qytetit që mban emrin e tij. Në fjalën e tij përshëndetëse Berisha e ka cilësuar
Elbasanin si qyteti i dritës dhe i iluminizmit të shqiptarëve, si qyteti i universitetit të parë të tyre, si qyteti që shpërndau dritë e dije. “Jam sot këtu për të shprehur nderimin tim më të madh ndaj të gjithë atyre grave dhe burrave, të cilët që nga Lidhja e Prizrenit deri më sot, u flijuan për lirinë dhe dinjitetin tonë. Të nderojmë me nderimin më të madh të gjithë luftërat e Pavarësisë, ata që ranë nga vitet ‘12 deri në vitet‘20, për mbrojtjen e Pavarësisë së Shqipërisë. Ata që ranë në Luftën e Dytë Botërore, për të renditur Shqipërinë në koalicionin e madh antifashist. Ata që ranë në vuajtjet e diktaturës, për të mbrojtur vlerat themelore të njeriut dhe të qytetërimit. Ata që ranë në fushat, malet e trojeve shqiptare vetëm pak vite më parë, në Kosovë, Maqedoni dhe kudo për liri dhe dinjitet kombëtarë. Ky 100 vjetor po festohet nga shqiptarët me një vetëdije kombëtare me një dashuri dhe respekt për veten e tyre, për njëri-tjetrin, për trojet shqiptare me shumë se kurrë në histori. Është në detyrën tonë ta zhveshim historinë nga çdo ideologjizëm.
Ne nuk mund të themi se në historinë tonë kemi vetëm lavdira. Jo dhe jo. Ne jemi një komb që jemi rrëzuar jo pak përtokë, por jemi ngritur përsëri. Ne jemi një komb që kemi bërë gabime, por jemi ngritur mbi to. Le ta shohim ne, si burra dhe gra të qytetëruar drejt në sy historinë tonë, të mbajmë çdo vlerë të saj, të nxjerrim çdo mësim që duhet nxjerrë nga gabimet, në mënyrë që së bashku të ndërtojmë të ardhmen e ndritur të bëjë realitet të plotë ëndrrën fisnike të atyre burrave dhe grave, që shpallën këtu në Elbasan, në Durrës, në Tiranë në Vlorë, në mbajë trojet shqiptare, 100 vjet më parë Pavarësinë e Shqipërisë”,ka thënë kreu i qeverisë.
Më pas kryeministri Berisha u ndal në qytetin e Librazhdit për të vizituar punishten e mjeshtrit gurgdhendës, Gëzim Hidri, i cili ka realizuar mjeshtërisht në një mozaik flamurin kombëtar. Mozaiku është realizuar me gurë të përzgjedhur nga vende ku janë zhvilluar beteja për mbrojtjen e trojeve shqiptare ndër shekuj. Mozaiku do të jetë një dhuratë për qytetarët e Tiranës në 100-vjetorin e Pavarësisë. Ky mozaik i cili do të çelë edhe festimet e pavarësisë në kryeqytetin shqiptar do të vendoset pranë Urës së Tabakëve
“Tek ju shihja në ekranet televizive më shkoi mendja menjëherë tek Marigoja që qëndisi flamurin që u valëvit në Vlorë. Pas 100 vitesh ti qëndis me gurët e kësaj toke, flamurin e Skënderbeut në 100 vjetorin e Pavarësisë, flamur që sot ka pushtuar më shumë se kurrë mendjet dhe zemrat e mbarë shqiptarëve”, i është drejtuar Berisha realizuesit të mozaikut, artistit Gëzim Hidri.
25 nëntor 2012 (gazeta-Shqip.com)