Lezhë
“Opozita ka qëllime pazari, cilësimin më të bukur të koalicionit ia bëri Majko”
Tri ligjet – Kryeministri deklaroi nga Lezha se do të votojë pro tri ligjeve të BE-së
200 mijë – Vota pretendon Meta se do të jetë diferenca me koalicionin e PD-së në zgjedhje
Kryeministri Sali Berisha bëri dje daljen publike me ish-deputetin e PS-së, Gjovalin Kadeli, duke konfirmuar kështu përfshirjen e tij në ekipin e deputetëve të PD-së. Kadeli dhe ministri i Jashtëm, Aldo Bumçi, i pari i listës së PD-së në Lezhë, kanë prerë shiritin e përurimit të rrugës Lezhë-Kala. Berisha, në fjalën e tij, theksoi se qeveria bëri të mundur marrjen e statusit, por PS i bllokoi votimin e tri ligjeve. “Qeveria ka ndërmarrë të gjitha reformat për statusin, më 10 tetor 2011, KE rekomandoi marrjen e statusit kandidat në BE për Shqipërinë. U gjykua nga opozita se më mirë të bllokohet statusi, se sa të vlerësohet qeveria shqiptare. Tani i bën ligjet si pazar, si pallati në pajë, ne do t’i votojmë por mbi to do rëndojë akti më i papërgjegjshëm, tregojnë se s’kanë asnjë princip përpos pazareve. Interesat e marrëveshjeve të cilat, cilësimin më të bukur ua bëri zoti Majko si ‘marrëveshje të 1 prillit’”, tha Berisha. Duke iu referuar kundërshtarëve politikë Berisha tha se, “alternativa tjetër është rritje taksash dhe mashtrime të kohës së vjetër. Rritje taksash, por shkatërron vendet e punës, rritje taksash, por largon investitorët”. Ndërsa Kadeli, në një prononcim për mediat, akuzoi kreun e PS-së, Rama dhe anëtaren e Kryesisë së PS-së, Mimi Kodheli, që kryeson listën e opozitës në Lezhë, për shmangien e kandidimit në listat e socialistëve. Kadeli bëri të ditur se do ketë fitore surprizë të PD-së në Lezhë.