Projekt/buxheti për vitin 2013 ka qenë kryefjala e kryeministrit Sali Berisha në mbledhjen e sotme të grupit kuvendor demokrat. Sipas shefit të Qeverisë ky buxhet, që do të jetë më i madhi në gjithë historinë e Shqipërisë, është i fokusuar në infrastrukturë dhe do të krijohen mijëra vende pune.


“Investime të mëdha do të ketë në ujësjellësa, kanalizime e shkolla. Buxheti parashikon heqjen e TVSH-së për të gjitha makineritë, ndërsa qëllim kryesor ka krijimin e vendeve të punës”, ka thënë Berisha. Në fjalimin e gjatë përpara deputetëve demokrat, Berisha tregoi për mënyrën sesi u tentua të realizohej një ‘puç’ ndaj tij në një mbrëmje ditëlindjeje, ku ishin të ftuar dhe anëtarë të opozitës, duke e pagëzuar këtë darke me titullin e romanit të Ismail Kadaresë, “Darka e gabuar”.


“Më duhet t’ju përkthej një ‘darkë të gabuar’, jo si ajo e Kadaresë, por me ca nuanca shumë të gabuara që pati vend 5 ditë më parë në Restorant ‘Rozafa’. Aty po festohej një ditëlindje e një prej bashkëpunëtorëve të mi, në thelb me disa dëshmitarë dhe ishte, ta quajmë përpjekje për një gjysmë komploti apo ‘puç’. Cilët ishin ata? Së pari darka filloi me tezat, se Enver Hoxha bëri shtet. Ideolog i tezës ishte përzgjedhur nënkryetari i PS, Portokokëdhima. Dëshmitarë të çështjes, kush thoni ju; Edi Rama, Spartak Ngjela. Dhe i thotë një gazetar i një gazete që nuk botohet më, ‘O Spartak çfarë shteti bëri Enver Hoxha’? Pastaj i kthehet Edi Ramës, këtu keni ardhur për të bërë enverizëm apo për të festuar?. Muhabeti u prish komplet kur ky gazetari që nuk po ja përdor emrin, u thotë atyre, (Ramës me deputetë), e di si është problemi, kur unë kisha muhabet me Berishën i kisha thënë në mënyrë të përsëritur, që 3 vetë s’të duhen më, i pari Spartak Ngjela, i dyti, Mero Baze dhe i treti, Bamir Topi. Kjo e xhindosi atë”, tha Berisha, i cili shtoi më tej se Rama duhet t’u kërkojë falje shqiptarëve për dëmet e Enver Hoxhës.


Kryeministri Berisha i ka bërë thirrje sërish thirrje opozitës dhe kreut të PS-së Edi Rama të votojë 3 ligjet e kërkuara nga Brukseli me qëllim integrimin e vendit në Bashkimin Europian. “Unë i bëj thirrje Ramës të votojë ato 3 ligje, pavarësisht se dëmin e ka bërë dhe dëmi është i pariparueshëm se mesazhi që u dërgua në Bruksel, ishte qartësisht negativ. Ka një gjë të thjeshtë, kur ju nuk votoni 3 ligjet për statusin, pse të votojmë ne për ju. Megjithatë procesi i integrimit është një proces i gjatë dhe kompleks ndaj kështu i bëj thirrje që në nderim të 100-vjetorit dhe në reflektim për dëmin që i bëri vendit të votojë 3 ligjet e kërkuara. Është kalkulim i gabuar nëse beson se votimi i tyre ndihmon qeverinë. Jo votimi i tyre ndihmon çdo shqiptar, por mosvotimi do jetë faturë shumë e rëndë për ata që përdorën qytetarët për pushtet. Pavarësisht se e bllokove statusin, voto që të dëshmosh se nuk mund të qëndrosh për një politikë bllokuese”, tha Berisha.


10 dhjetor 2012 (gazeta-Shqip.com)