“Votoni numrin 44 për mandatin e tretë. Në Dibër do marrim pesë deputetë”
Fushata elektorale, ndër të tjera është kthyer edhe në një fushëbetejë batutash, humori dhe ironizimesh mes liderëve të forcave kryesore. Nga Mirdita, kreu i mazhorancës, Sali Berisha, ironizoi deklaratat e kryesocialistit Rama, sipas të cilit origjinën e katragjyshërve të tij e ka nga Mirdita. Sipas tij, ai është një njeri që nuk e di origjinën e tij. “Shkoi Rama dikur në Rrashbull, bëri një takim me qytetarët, një mirditor u ngrit dhe pyeti ç’do bësh ti me ne”. Do shkosh atje në mal i tha, se tokën do ta marrin ata që e kanë pasur. Mirditori e pa njëherë dhe i tha unë këtu jam në shtëpinë time. Pasi e kuptoi çfarë bëri doli me origjinë nga Mirdita, shkon në Tropojë dhe ju thotë të njëjtat gjëra, një njeri që nuk di se nga është, por nuk do ta dijë se nga është. Ai është nga një fshat shumë i mirë, që unë e kam vizituar, por i duhet të thotë njëherë jam këtej, njëherë jam andej”, tha Berisha. Teksa prezantoi kandidatët për deputetë për zgjedhjet e 23 qershorit, në fjalën e tij, Berisha premtoi më shumë rrugë, shkolla, kanalizime e ujësjellës për banorët e Mirditës për katër vitet e ardhshme nëse forca që ai drejton do të shpallet fituese e garës elektorale. “Do bëjmë gjithçka për të mbrojtur interesat tuaja, për ta bërë Mirditën me infrastrukturën moderne që meriton, siç kemi ndërtuar deri më sot rrugët më moderne, shkollat më të mira, ujësjellës-kanalizime. Do bëjmë gjithçka që nëntoka e pasur e Mirditës, ujërat dhe pasuritë e tjera të shndërrohen në mirësi, punësim e rroga për ju”, theksoi Berisha. Ndërsa në përurimin e rikonstruksionit të rrugës së Kalasë së Dodës në Dibër, Berisha i ftoi banorët e kësaj zone që t’i besojnë kësaj qeverie një tjetër mandat. Kryeministri u shpreh i bindur se koalicioni i djathtë do të sigurojë 5 mandate në Qarkun e Dibrës.
H.Mesi