Kryeministri ndodhej në komunën Prekal, ku inauguroi segmentin Ura e Mesit-Prekal


Kryeministri Sali Berisha mori pjesë ditën e sotme në inaugurimin e segmentin Ura e Mesit-Prekal, në komunën e Postribës, në rrethin e Shkodrës.


Kreu qeverisë u shpreh se kjo rrugë dhe vazhdimi i saj, nga Prekali, Kiri drejt Shoshit, do t’i japë një gjallëri të madhe, të gjithanshme, njërës prej zonave më të bukura të vendit, Parkut kombëtar të Thethit dhe gjithë Dukagjinit.


“Rruga që ne inaugurojmë sot lehtëson shumë daljen e prodhimeve tuaja bujqësore, në një nga tregjet më të mëdha të vendit, siç është tregu i Shkodrës. Rruga është një nxitje e madhe për ju që të krijoni sera diellore e të tjera, në mënyrë që të shtoni prodhimin, të nxisni bizneset aty ku ju jeni. Rruga është, para së gjithash dhe mbi të gjitha, një kusht themelor për krijimin e vendeve të punës”, – shtoi kryeministri.


Nga Postriba, kryeministri Berisha foli për modelin e taksimit që propozojnë socialistët në programin “Për një rilindje kombëtare”, duke e quajtur atë “si taksa e Marksit”.


“Modeli tjetër që kemi përballë është ‘taksa e Marksit’. Se çfarë i bëri Shqipërisë taksa e Marksit nuk mund ta harrojmë kurrë. Në një kohë kur na thoshin se jemi pa asnjë taksë, punonim si skllevër për shtetin diktatorial me taksa indirekte, 8 muaj të djersës sonë. Ndaj, ju jeni vet të mençur. Po shkojmë drejt një fushate elektorale, drejt një fitoreje të re. Themelore është të mbrojmë vizionin tonë. Me këtë vizion, ne po ndryshojmë Shqipërinë, me këtë vizion ne kemi ndërtuar në këtë vend mbi 10 mijë km rrugë, nga vetëm 2430 km të asfaltuara që ishin në 2005-ën. Cili është qëndrimi tjetër: Ai është një dhe vetëm një: ‘Bllok-bllokim-bllokator’”, – shtoi Berisha.


9 shtator 2012 (gazeta-Shqip.com)