Partia Demokratike ka çelur zyrtarisht fushatën elektorale në qytetin e Vlorës, ku ka prezantuar dhe kandidatë për deputetë të këtij qarku. Kryeministri Sali Berisha, i gjendur në qytetin bregdetar vetëm një ditë pasi kundërshtari i tij politik Edi Rama prezantoi skuadrën e Rilindjes të kryesuar prej vetë tij, gjatë gjithë fjalimit të tij është kundërpërgjigjur në distancë ndaj akuzave të Ramës.
“Zoti Rama ofendoi shqiptarët dhe vlonjatët kur në dokumentarin e kujtimeve të vegjëlisë shfaqi agjentë të fuqive armike në portin e saj. Mos lëndo historinë e Vlorës, ajo krenohet pikërisht me luftën e saj. Erdhe këtu dhe shpalle izolimin në të cilin Sali Berisha e paska zhytur Vlorën. Vlora kryeqendër e historisë, anëtare e NATO-s, lëviz pa viza, Vlora qenka e izoluar apo ti që bllokove tre ligje për marrjen e statusit. 10 ditë më parë bënte thirrje që të vinte Selam Musai, ai do vijë me benz se rruga do ndërtohet”,- tha Berisha.
Ndërsa ka përsëritur se alternativa e majtë është ajo e bllokimit, Kryeministri nuk ka lënë pa sulmuar edhe kandidatin për deputet Koço Kokëdhimën që e ka cilësuar simboli i spekulimeve.
“Çfarë premton alternativa tjetër? Rritje të taksave, biznesmenë të vegjël të Vlorës dhe Shqipërisë kontrolloni taksat në mbarë botën, nëse gjeni një vend me 1.5 taksë xhiroje hajdeni dhe më thoni dhe do marr të gjitha masat që të keni taksat më të ulëta. Rama mashtron. Kur ishte kryetar bashkie i dy dhe tre-fishoi. Alternativa e Ramës, për ta kuptuar ju bëj thirrje lexoni për Kokëdhimën. Çfarë është Kokëdhima, është simboli, ikona e spekulimit mbi tokë. E nisi me Hajdinë Sejdinë, me fajdet, përfundoi në menaxherin de facto të Bashkisë së Tiranës për 11 vite. Pse zoti Rama në dokumentarin për kujtimet e vegjëlisë nuk vendose asgjë nga kujtimet e Bashkisë, si vendosje dot se modeli që vendose në bashki për 11 vite ishte modeli i drejtuar nga Kokëdhima që fitonte 80% të tenderave. Ecën me një platforme akuzash, mohimi”,- u shpreh Berisha.
Kryeministri vijon t’i qëndrojë premtimit të tij për liberalizimin e vizave me SHBA, duke shprehur bindjen se qeveria e tij do të arrijë të përmbushë të gjitha kriteret e kërkuara.
“Ne jemi një force politike serioze, ne bëjmë gjithçka për të mbajtur fjalën tonë. Premtuam rritje rrogash dhe pensionesh, i dyfishuam ato, premtuam anëtarësimin në NATO, sot jemi anëtarë të NATO-s, premtuam liberalizimin e vizave, sot lëvizim pa viza. Ju premtoj se do bëjmë gjithçka për të hequr vizat me SHBA, vendin mik”, tha Berisha.
Më herët, nënkryetari i PD-së, Astrit Patozi, njëkohësisht kryesuesi i listës së kandidatëve demokratë, deklaroi se, Rama me kandidimin e Kokëdhimës në Vlorë, kërkon të pushtojë kryeqytetin e pavarësisë.
“Ai ju premtoi rrugë, ju premtoi uljen e taksave për biznesin, ndërsa në Tiranë në 11 vite shkatërroi sheshin Skënderbej, nuk mbështeti biznesin, pasi ai punoi për Kokëdhimën, partnerin dhe ortakun e tij në grabitjen e Tiranës në 11 vite. Të njëjtën gjë kërkon të bëj edhe në Vlorë, kërkon që biznesmenët e Vlorës të punojnë për Koçon, i cili nuk di të paguaj taksa”, – tha Patozi. Ai theksoi se Vlora nuk ka për ta lejuar Ramën të kalojë përpara deh do i thotë jo modelit Rama-Kokëdhima. “Do i themi po zhvillimit të Vlorës, po vendeve të punës, do i themi po Vlorës”, tha Patozi.
19 maj 2013 (gazeta-Shqip.com)