Lejet – “Shqipëria ka bërë progres në regjistrimin e biznesit. 7 vite më parë, Shqipëria notonte mbi licenca dhe leje. 2/3 e tyre u kthyen në vetëdeklarime, 1/3 e tyre u grumbullua në QKL”


Rruga e Arbrit – “Rrugën e Arbrit e kemi filluar dhe po e ndërtojmë ne. Ka ngadalësim të punimeve te kjo rrugë, se autostrada Tiranë-Elbasan ka qenë e parashikuar fillimisht pa tunel”


100-vjetori – “Çdo qindarkë e fondeve publike është e botuar online në Thesarin e Shtetit. Kanë qenë të parashikuara rreth 500 milionë lekë, nuk besoj të jenë shpenzuar të gjitha”


Kryeministri hedh poshtë akuzat se fondet do i përdorë në fushatë


Fatjona Mejdini


Kryeministri shqiptar, Sali Berisha, bëri një bilanc të qeverisë së tij pasditen e djeshme, duke u mbështetur te nevoja e thellimit të privatizimeve dhe te transparenca me të cilën ato janë bërë. Me një videoprojektor që shoqëronte fjalën e tij, Berisha theksoi se qeveria i kishte bërë të gjitha përpjekjet për ta kthyer Shqipërinë në një vend të zhvilluar. Berisha i konsideroi deklaratat e Ramës kundër proceseve të fundit të privatizimeve si jo realiste dhe se qeveria do të vijojë proceset pavarësisht se cili është mendimi i opozitës për këto. “Lidhur me akuzat, zoti Rama është unik. Një ditë paraqitet si mister bllokatori, ditën tjetër si mister prokurori, të vetmen gjë që s’paraqet kurrë është se çfarë do të bëjë vetë. Mos e pyesni se do të kërkojë që borxhi të vlerësohet si përqindje e GDP-së. Ka pak rëndësi nëse Rama e njeh apo jo privatizimin, rëndësi ka që ai të njohë veten e tij, po kjo është një gjë e vështirë”, theksoi Berisha. Ai foli në mënyrë të veçantë për privatizimin e katër hidrocentraleve, duke thënë se ky është një proces kryekëput transparent. Të njëjtën gjë Berisha përsëriti edhe për privatizimin e “Albpetrolit”, duke hedhur poshtë çdo akuzë se të ardhurat prej këtij privatizimi janë përfshirë në buxhetin e vitit 2013 dhe se do të përdoren për fushatë. “Ai tender ishte transparent, të gjitha ofertat u hapën para kamerave. Po ndiqet ligji dhe vetëm ligji. Ligji parashikon një muaj të drejtë për zgjatje afati, për kompaninë ofertuese është dhënë një muaj, por është i parashikuar. Buxheti prej 410 miliardë lekësh nuk ka parashikuar qoftë edhe një qindarkë të vetme nga ky privatizim. Ky është qëndrimi ndaj çdo privatizimi, transparencë e plotë”, theksoi Kryeministri. Sipas Berishës, gjatë qeverisjes së tij është bërë maksimumi që burimet e vendit të përdoren në interesin më të mirë të shqiptarëve, për t’u krijuar atyre më shumë mirëqenie. “Gjatë këtyre viteve, në mënyrë të përsëritur, duke iu përmbajtur të vërtetave, u kam deklaruar shqiptarëve se nuk ka qëndrim më madhor sesa shndërrimi i pasurive të vendit në mirëqenie për ta. Shpesh jam akuzuar se po përdor nota euforike për këtë apo atë zhvillim. Por çdo gjë që e kam bërë e kam bërë në përmbajte të së vërtetës”, theksoi Berisha. Ai foli edhe për reformën në drejtësi, duke theksuar se tashmë që vendi ka një ekip të ri në drejtimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, edhe reformat në këtë fushë po ecin pa ndërprerë. Po kështu, sipas Berishës, Shqipëria ka bërë përpjekje të mëdha për të qenë një nga vendet më tërheqëse për investimet e huaja. “Ka marrë mbi 1 miliard dollarë investime. Vitin e shkuar OECD-ja do të deklaronte se Shqipëria ka marrë investime të huaja më shumë se kapacitetet ekonomike të saj”, theksoi Berisha. Ai u shpreh se 7 vite më parë, vendi ishte i kapur nga krimi. “Me një vendim të madh të të gjitha organeve për zbatueshmërinë e ligjit u arrit të shkatërrohen 204 grupe kriminale, duke e shndërruar Shqipërinë në një ndër vendet më të sigurta në rajon e më gjerë. Natyrisht ky është një proces në vazhdim”, deklaroi ai. Po kështu, Berisha theksoi se tashmë Shqipëria është i vetmi vend në rajon që ka pasur ulje të papunësisë, falë reformave të qeverisë dhe se ka ruajtur një rritje konstante ekonomike edhe në kushtet e krizës. Ai theksoi se një bilanc i plotë i qeverisjes me të gjitha elementet e tij do të bëhet publik në fillim të muajit janar të vitit tjetër.


Interneti – “Shqipëria, që 6 vite më parë kishte një indeks 4% të hyrjes në internet, sot e ka mbi 60%”


Rrugët – “Shqipëria asfaltoi, ndërtoi dhe rikonstruktoi mbi 10 mijë kilometra rrugë, më shumë se i gjithë rajoni i marrë së bashku”


METE – Ministria e Energjetikës ka hedhur poshtë akuzat e Ramës, duke e akuzuar se frikëson investitorët


Si Nano – Berisha u është rikthyer akuzave të vjetra të Nanos ndaj Ramës si shitës ikonash të vjedhura