Kreu i qeverisë ka theksuar edhe prioritetin për arsimin, duke kërkuar ndarjen e mësimdhënies së gjuhës nga letërsia


Kryeministri i vendit, Sali Berisha gjatë mbledhjes së sotme të qeverisë ka thyer heshtjen dhe ka folur në lidhje me situatën e zjarreve në vendin tonë, duke theksuar se dëmet kanë ardhur në shumicën e rasteve nga zjarrvëniet e qëllimshme.


Në 99, 9 për qind të rasteve zjarret kanë qenë vepër e njeriut; piroman, keqdashës. Janë arrestuar mbi 70 persona të dyshuar të cilët janë kapur në flagrancë nga policia, ndërsa prokuroria i ka liruar”, theksoi kreu i qeverisë.


Vera e sivjetshme, e cila sipas Berishës ka qenë një ndër më të nxehtat, ka sjellë dëme edhe në shumë vende të tjera të Europës, ndërsa ka “akuzuar” edhe terrenin e vështirë në disa raste, si në Dajt që e ka vështirësuar punën për shuarjen e flakëve. Ai ka falënderuar për ndihmën e dhënë  partnerët europianë si Turqia dhe Italia, që dërguan helikopterë për shuarjen e zjarreve në vendin tonë. Ai më tej ka akuzuar opozitën për spekulime dhe për mungesë solidariteti si dhe për faktin se shfrytëzon fatkeqësinë natyrore për kapital politik.


Ndërkohë, në nisje të mbledhjes së sotme kryeministri ka uruar të gjithë nxënësit në prag të nisjes së vitit të ri shkollor, ndërsa ka theksuar përparësinë që qeveria e tij i ka dhënë arsimit. Berisha ka theksuar faktin se mësuesit punojnë sot në kushte optimale duke qenë se sipas tij rrogat e tyre janë 120 për qind më të lartë se në vitin 2006. Ai më tej ka theksuar nevojën që të zgjerohet kurrikula e gjuhës shqipe në shkolla dhe që ajo të shtrihet nga cikli fillor në atë universitar duke shmangur metodat tradicionale të mësimdhënies. Gjithashtu, Berisha ka kërkuar nga ministri i Arsimit që të merren masa për ndarjen e saj nga letërsia gjatë mësimdhënies, pasi sipas tij gjuha duhet konsideruar si një lëndë lider.


5 shtator 2012 (gazeta-Shqip.com)