Thirrja 


Kryeministri Berisha mori pjesë dje në përurimin e një shkolle 9-vjeçare në Kamzë, e cila mori emrin e mbretit shqiptar, Ahmet Zogu. Ai u bëri thirrje nxënësve t’i mbushin mendjen prindërve për të votuar Partinë Demokratike në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Sipas tij, nxënësit e 9-vjeçares duhet të shikonin edhe punimet e Parlamentit, nga ku do të kuptonin se opozita po bllokonte të ardhmen e tyre drejt Bashkimit Europian. Sipas tij, fëmijët duhet t’ju bënin të qartë prindërve që nuk po votonin vetëm për veten, por dhe të ardhmen e atyre vetë. “Ju bëj thirrje të ndiqni punimet e Parlamentit, të tempullit të demokracisë së kombit dhe do të shihni si çdo ditë, një grusht i vogël deputetësh, tani në prag të statusit, largohen nga salla e mbledhjes, për të mos votuar ligjet që kërkohen për integrimin e vendit. Me karriget bosh, ata duan të rrënojnë ëndrrën tuaj europiane. Ndaj u bëj thirrje fëmijëve të Shqipërisë, kudo që janë, të bisedojnë me prindërit e tyre. Zgjedhjet po vijnë dhe me votën e tyre, kësaj radhe, ata të votojnë jo vetëm për vete, por edhe për ju, djem e vajza të dashur, për mësuesit e Shqipërisë, për ëndrrën tuaj europiane, në mënyrë që ne të ecin të sigurt drejt së ardhmes së shkëlqyer që meritojmë”, theksoi Berisha, duke iu lënë të kuptonin se vetëm PD-ja kishte mundësinë të integronte vendin.