Përplasja
Rama: Ajo rrugë do të ndalet në zgjedhjet e ardhshme
Kryeministri Sali Berisha akuzoi opozitën se po kërcënon investitorët e huaj. Deklarata e kreut të Ekzekutivit u lëshua nga Vlora gjatë inaugurimit të autostradës Levan-Vlorë. “Një psikologji e së shkuarës i kërcënon investitorët e huaj e investimet. Çdo ditë, zoti Rama, njëlloj sikur të betohej në Kushtetutën e ’76-s, u thotë investitorëve të huaj se do t’jua marrë këtë koncesion apo se do t’jua anulojë atë marrëveshje.
Ndaj këtu, nga Vlora, dua t’u bëj thirrje investitorëve nga rajoni, Europa e bota: Investoni në Shqipëri se këtu do të gjeni klimën më miqësorë për bizneset tuaja, këtu do të gjeni klimën më njerëzorë e më miqësore nga qytetarët e këtij vendi, se shqiptarët do të respektojnë projektet tuaja, ëndrrat tuaja dhe e marrin atë si shkallën më të madhe të besimit. Kjo rrugë është e pandalshme! Kjo rrugë është e pakthyeshme! Zërat që vijnë për anulim të investimeve, zërat që vijnë për anulim të marrëveshjeve janë arkaikë dhe anakronikë dhe mund të varen vetëm në gozhdën e asaj Kushtetute, e cila nuk do të kthehet kurrë më, në Shqipëri!”, tha Berisha. Ndërsa ka reaguar dhe lideri i opozitës ndaj një deklarate të tillë. “Kryeministri: Rruga jonë e pandalshme! Jo, të ndalet me votën e popullit në zgjedhjet e ardhshme, sepse është rruga e rrënimit të mëtejshëm. Duhet Rilindje! Kryeministri: Levan-Vlorë si autostradat më të bukura të botës! Jo, fatkeqësisë që, megjithë ato miliona ndërtohen rrugë pa standarde të BE-së, që degradojnë përditë! Kryeministri: Kjo opozitë kërcënon lirinë e investimeve! Jo, transparenca s’është kërcënim dhe rendi ligjor mbi investimet e koncesionet është detyrim!”, shkruan Rama në “Twitter”.