Kryeministri Berisha përuroi sot 38 kilometrat e para të superstradës Levan-Tepelenë, në segmentin Levan-Damës. Kryeministri, në fjalën e tij gjatë ceremonisë së inaugurimit, e vlerësoi përurimin e këtij segmenti si një ngjarje historike, veçanërisht për Jugun e vendit.
Berisha akuzoi opozitën se po përpiqet të bllokojë projektet në infrastrukturën rrugore, ndërsa theksoi se qeveria do të bëjë gjithçka për të ndërtuar dhe asfaltuar çdo rrugë në Shqipëri. Sipas kryeministrit, qeveria ndërton, ndërsa opozita bllokon për të penguar përurimet e rrugëve përpara zgjedhjeve të ardhshme.
“Nuk votuan në parlament shtesën që u kërkua për ndërtimin e kësaj rruge. Nuk votuan, sepse donin me çdo kusht të bllokonin përfundimin e tyre para zgjedhjeve. Kishin problemin që të mos i inauguronim para zgjedhjeve, por ne do përurojmë rrugë në të katër anët e vendit. Jo bllokimi, por zhvillimi është ajo që kanë nevojë fëmijët tuaj, ju dhe brezat që do të vijnë. Ne do të shfrytëzojmë gjithçka për të zhvilluar Shqipërinë”, – vijoi më tej kryeministri Berisha.
Berisha e ka cilësuar ndërtimin e superstradës Levan-Tepelenë si shërbimin më të mirë për qytetarët dhe turistët ndërsa ka premtuar se qeveria do të bëjë gjithçka për qytetarët duke ndërtuar dhe asfaltuar çdo rrugë, pasi ato janë sinonim i punësimit.
“Rrugët janë punësim, sepse ato janë korridoret e energjisë së tregut. Vetëm lugina që qarkon kjo rrugë me prodhimet e saj mund të mbajë për një kohë të mirë tregun e Tiranës, por nxjerrja e prodhimeve në treg më parë ishte e pamundur, distanca që shkurton rruga është punësim, se çdo investitor që ka ndërmend të investojë jashtë Tirane përzgjedh qytete të tjera të Jugut në të cilat arrin në një shpejtësi e transport shumë të mirë. Kjo është leva e Arkimedit për të nxjerrë njerëzit nga varfëria, për të bërë të vlefshme tokën e tyre, që të punojnë e të prodhojnë”, – tha kryeministri.
Superstrada Levan-Tepelenë është pjesë e Korridorit Veri-Jug me gjatësi totale prej 70 km dhe vlerë 70 milionë euro. Ajo është ndarë në dy seksione: Levan-Damës dhe Damës-Memaliaj. Sa i takon segmentit të parë të kësaj superstrade, Levan-Damës, ajo ka një gjatësi prej 38 kilometrash dhe gjerësi 10.5 metra. Shpejtësia e lëvizjes në këtë segment varion nga 80-100 km/h dhe vlera e këtij investimi është 42 milionë euro.
2 gusht 2012 (gazeta-Shqip.com)