Ish kryeministri Sali Berisha dhe kryeministri Edi Rama, gjate nje seance parlamentare, ku eshte debatuar ne lidhje me ceshtjen e CEZ. /r/n/r/nFormer Prime Minister Sali Berisha and Prime Minister Edi Rama, during a parliamentary session.Ka nisur me debate dhe akuza të forta seanca e jashtëzakonshme për “Vetting”-un në Kuvend (ligji për pastërtinë e figurës së funksionarëve të lartë), ku ish-kryeministri Berisha dhe kreu i qeverisë Rama kanë replikuar me njëri-tjetrin.


Berisha e ka nisur fjalimin e tij me “kabalizimin” e vendit siç e cilësoi ai dhe paralajmëroi Ramën se ky që vjen do të jetë shtatori i tij i fundit në pushtet. Ndërsa shefi i ekzekutivit e paralajmëroi Berishën se asnjë nuk do t’i shpëtojë drejtësisë nëse ka shkelur ligjin, qoftë gjyqtar, prokuror apo politikan i madh apo historik në vend.


Rama: Asnjë nuk i shpëton drejtësisë, qoftë edhe politikan historik


Menjëherë pas kryeministrit, e ka marrë fjalën kreu i qeverisë Edi Rama, i cili ka paralajmëruar paraardhësin e tij se asnjë nuk do t’i shmanget drejtësisë, qoftë ky gjyqtar, prokuror, apo një politikan, sado i madh apo historik të jetë ai në Shqipëri.


Rama theksoi eedhe një herë se miratimi i ligjit të “Vetting”-ut do të spastrojë ata persona që kanë marrë peng drejtësinë.


“Ligji i hap rrugë fshesës në pallatin e drejtësisë. Ata që i kundërvihen reformës në drejtësi, kanë probleme me drejtësinë, ata që bëjnë çmos për të penguar këtë proces, janë ata që me të drejtë e dinë se çfarë vjen nga kjo reformë. Shqiptarët e dinë shumë mirë kush e ka penguar sistemin e drejtësisë që të reformohet. Këtu s’ka shumë për të argumentuar dhe folur. Ne jemi këtu për të spastruar ata njerëz që kanë marrë peng drejtësinë. Ne duam ta votojmë këtë ligj kaq të rëndësishëm. Ne i bëmë të gjitha përpjekjet për të bërë konsensus. Por nuk mund të ketë një konsensus ‘alla shqiptarçe’ që bie ndesh me rekomandimet e miqve tanë ndërkombëtarë”.


Rama tha se duhet të respektojë vullnetin e popullit për të bërë shtet në këtë vend. “Ky është vullneti i popullit shqiptar dhe nuk është zgjedhje e një partie apo një partie tjetër. Ndaj them që ta votojmë këtë ligj si shumicë, duke mbrojtur themelet e programit tonë qeverisës, të mbrojmë me vendosmëri e me fakte konkrete zotimet tona para shqiptarëve, – shpjegoi Rama. – Jemi koalicioni i parë qeverisës që e kemi pasur në program nisjen e reformës në drejtësi”.


Rama pastaj iu drejtua Berishës, duke e paralajmëruar se asnjë gjyqtar apo politikan, sado legjendar apo historik ka qenë ai, nuk do t’i shpëtojë drejtësisë nëse ka shkelur ligjin: “Çdo gjykatës e prokuror do ta ketë të pamundur të ushtrojë profesionin e tij para këtij ligji dhe ku çdo politikan, sado i madh, historik e legjendar, do ta ketë të pamundur të mos përballet me drejtësinë, edhe pse ai kërcënon dhe shan dhe duke i bërë thirrje një pjese të Shqipërisë për t’u hedhur kundër një pjesë tjetër të Shqipërisë. Kjo poilitikë e degjeneruar, e ka kufirin te thana dhe kjo është reforma në drejtësi dhe një nga pjesë thelbësore të saj, është ligji që miratojmë sot. Dhe shqiptarët duhet ta dinë se në këtë sallë ka një shumicë, e cila është e gatshme që t’i nënshtrohet thirrjes për të goditur në zemër pushtetin e korruptuar të drejtësisë. Dita do të vijë, drejtësia vonon, por nuk harron”.


Berisha: Po prishet konsensusi, reforma drejt bllokimit 


Ish-kryeministri Sali Berisha në fjalën e tij jashtë radhe në seancës e sotme e cilësoi si emergjencën e emergjencave shndërrimin e vendit në kanabistan, duke nisur nga veri e deri në jug.


Sipas Berishës, ky përbën zhvillimin më të rrezikshëm e më të dëmshëm në këto vite.


“Është thirrur në mënyrë të jashtëzakonshme kjo seancë, kur në vetëdijen e çdo shqiptari, emergjenca e emergjencave është shndërrimi i vendit të tyre të kanabistan, duke filluar nga zonat më të thella të alpeve, gjer në Konispol përbën zhvillimin më të rrezikshëm, më të dëmshëm në këto vite. Kjo është piramida më të cilën përballet vendi”, tha Berisha.


Duke folur për reformën në drejtësi, Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama se po kërkon të hedhë në erë 2 vjet punë të përbashkët të opozitës dhe mazhorancës për reformën në drejtësi duke prishur konsensusin.


Berisha paralajmëroi Ramën se çdo përpjekje e tij për të prishur konsensusin dhe standardin e reformës në drejtësi, të cilin ka ndjekur që nga fillimi opozita, do t’i kushtojë atij pushtetin. Sipas Berishës, urrejtja krahinore e kryeministrit ndaj Veriut është më e madhja që nga koha e Enverit.


“Opozita ka luftuar shumë për standardet siç e keni parë ju dhe prapë është e vendosur të diskutojë. Këtu po prishet në mënyrë të verbër ai konsensus i sanksionuar në Kushtetutë. Si do t’i thyejmë me ligj këto? Ju a doni që të funksionojë reforma? Ne po themi t’u përmbahemi amendamenteve. Ka një ndërgjegje dhe mos mendoni ju se jeni thyer. Jeni thyer nga ato qeveri, të cilat kreu juaj u thoshte se i kemi me vete dhe pas dy orësh merrte kartonin e kuq. Mos të bëjmë gjëra qesharake. Kemi rënë dakord dhe i kemi sanksionuar në Kushtetutë dhe hajde t’i përmbahemi Kushtetutës. Është e vërtetë që ka probleme edhe defekte materiale dhe të tjera, por është në detyrimin tonë t’i korrigjojmë dhe t’i përmirësojmë”, – tha Berisha.


“Të bëjmë gjithçka që reforma të ketë me sukses. Në qoftë se votuam me ndërgjegje që ky sistem duhet reformuar, hajde ta reformojmë. Hajde t’i përmbahemi parimeve. Pse u dashka bërë kjo? A nuk jeni ju që nxorët atë zonjën t’i thotë Kolegjit Elektoral se do ta shohësh me vettingun? Për gjah shtrigash e përdorni Vettingun ju? S’do do ta bëni dot kurrë! Do thyeni qafën! Do bllokoni reformën. Jo 1 t’u thotë, por 100 t’u thonë. E provuat dy vjet rresht se si u thyet nen pas neni, pasi pikërisht donit të bënit këto që s’i bëtë dot me Kushtetutë, doni t’i bëni tani. Të organizoni gjahun e shtrigave. Në demokraci nuk ka gjah shtrigash, ka dinjitet njerëzor. Nuk të lejon ai të bësh gjahun e shtrigave. Ai të lejon të bësh vlerësime objektive. Të lejon të rrisësh performancën. Hajde urdhëro! Ne e bëmë Kushtetutën e drejtësisë. E bëmë me qëllimin më të mirë”, – shtoi Berisha.


Mes të tjerash, Berisha iu drejtua Ramës: “Ky do të jetë shtatori i fundit në pushtet i yti”.


Seanca e jashtëzakonshme për vettingun, opozita e pranishme, por s’do ta votojë


Në kuvendin e Shqipërisë ka nisur rreth orës 17:30, seanca e jashtëzakonshme ku pritet të votohet ligji për pastërtinë e figurës së funksionarëve të lartë, apo siç quhet ndryshe vettingu.


Opozita është e pranishme në seancë dhe qëndrimin e saj do ta shprehë përmes fjalës së deputetit Eduard Halimi, por sipas burimeve nga selia blu, të djathtët nuk do ta votojnë këtë ligj për të cilin kanë kundërshtitë e tyre të paraqitura në komisionin e posaçëm për reformën në drejtësi përmes mbi 20 amendamenteve me synim rishikimin e tij.


Gjatë seancës së sotme në emër të Partisë Socialiste pritet të flasë deputeti Pandeli Majko, në emër të PDIU, Mesila Doda dhe në emër të LSI, Petrit Vasili.


30 gusht 2016 (gazeta-Shqip.com)