Kryeministri Berisha organizoi ditën e sotme një pritje për anëtarët e kabinetit qeveritar me rastin e festave të fundvitit.
Pasi iu shprehu të pranishmëve dhe gjithë punonjësve të administratës mirënjohjen dhe vlerësimin për punën e përkushtuar dhe mbështetjen e dhënë në përmbushjen me sukses të detyrimeve të qeverisë, kryeministri bëri edhe një bilanc të arritjeve të qeverisë gjatë vitit që mbyllet, duke theksuar se 2012 ka dëshmuar progresin e pandërprerë të Shqipërisë në të gjitha fushat, si dhe suksesin e padiskutueshëm të reformave të ndërmarra në të gjithë jetën e vendit.
“Asnjë vend nuk ka rritur rroga dhe pensionet siç i ka rritur Shqipëria. Është përmirësimi i infrastrukturës dhe asnjë vend tjetër, ndoshta, në 5-6 vite nuk ka ndërtuar mbi 10 mijë kilometra rrugë në mënyrë që të lehtësojë jetën e qytetarëve. Është furnizimi me ujë. Është përmirësimi i arsimit dhe asnjë vend tjetër nuk ka trefishuar numrin e studentëve siç ka trefishuar Shqipëria në një hark kohor gjashtëvjeçar. Matet dhe është tregues, sigurisht, aksesi në shërbimin shëndetësor. Shqipëria renditet e treta në Evropë për aksesin më të lehtë të mundshëm në shërbimin shëndetësor”, tha Kryeministri.
Më tej Berisha premtoi se me gjitha bllokimin që është bërë deri më tani nga ana e opozitës, viti i ardhshëm do të jetë gjithashtu i begatë dhe i mbarë për gjithë shqiptarët, ndërsa premtoi se mandatin tjetër qeveria do të bëjë të mundur integrimin e vendit në BE.
28 dhjetor 2012 (gazeta-Shqip.com)