Majko: Ish-spiunët po na qeverisin
Debate të ashpra në Kuvend për grevën e ish të përndjekurve
BLEDAR HOTI
Është shndërruar në një përplasje të ashpër në Kuvend çështja e grevës së ish-të burgosurve politikë. Kryeministri Berisha ka vijuar akuzën ndaj grevistëve dhe ka fajësuar opozitën si shkaktare të djegieve. Ndërsa kreu i grupit të PS-së, Gramoz Ruçi, i ka kërkuar Kryeministrit të negociojë. Debatet kanë tejkaluar në fyerje dhe akuza. Kulmi arriti në replikat ndërmjet kreut të Kuvendit, Topalli dhe deputetit të PS-së, Pandeli Majko. Ish-kryeministri socialist deklaroi se vendi qeveriset nga të penduarit e burgjeve të diktaturës dhe ish-spiunët e Sigurimit të Shtetit.
Berisha
Seanca e djeshme parlamentare u karakterizua me debate të ashpra mes mazhorancës dhe opozitës për grevën e ish-të përndjekurve politik. Kryeministri Sali Berisha akuzoi opozitën se është organizatorja e grevës, madje socialistët kanë furnizuar ish të përndjekurit me shishet e benzinës. “Ju që me deputetët tuaj u dërgoni shishe benzine atyre, ju merrni pjesë në vetekzekutimin e tyre, por po ju paralajmëroj këtu të mos nisni më shishe benzine! Unë ju them të mos çoni më aty shishe benzine! Jam këtu për t’u bërë thirrje familjarëve të tyre: Tërhiqini njerëzit tuaj nga greva! Unë jam i vendosur t’i respektoj ata, dhe kërkesat e tyre janë afishuar gjithë ditën. Kërkojnë me shumë të drejtë rrëzimin e armikut të tyre, Sali Berisha, dhe unë kam mirëkuptim të plotë për kërkesën e tyre. Kërkojnë rikthimin e ligjit të lustracionit, të cilin një nga hijet që ju qëndron mbrapa, nuk guxoi ta firmoste dhe unë kam mirëkuptim, dhe ju votuat kundër. Ju votuat kundër”, tha Berisha. Më tej, Kryeministri theksoi se “ai të cilit iu vu flaka për kauzën tuaj (do të vij unë dhe te fakti kush është ai dhe kush është ai që i vuri flakën, se duhet ta dinë shqiptarët), ai zotëria i nderuar, me paratë e privatizimit privatizoi fabrikën e miellit në qytetin e Laçit dhe kjo nuk i mjaftoi. Iu dha kredi e butë nga qeveria për të blerë fermën e mbarështimit të derrit dhe nuk i mjaftoi kjo. U prish me ortakun, doli, mori kredi, ndërtoi fabrikë të re mielli. Falimentoi se nuk e menaxhoi. Ia konfiskoi banka dhe kjo është historia e zotërisë që i vunë zjarrin në shtëpinë e vet”. “Cili është zjarrvënësi? Një njeri me dy emra dhe një të tretë rezervë. Ai nuk është Shtejfni, por Shqevi. Ai s’është Pal, por është Perikli. Pse i ka ndryshuar emrat? Shpirti i tij e di. Por, ia vuri me emrin e dytë apo të tretë zjarrin shokut, atë do ta tregojë drejtësia. Po ai çfarë ka marrë? Ka marrë dhe ai shumën e caktuar dhe është aksionier në 400 mijë dollarët që unë përmenda më sipër”, tha Berisha.
Ruçi
Kreu i grupit të PS-së, Gramoz Ruçi, në fjalimin e tij i kërkoi qeverisë të nisë sa më shpejt dialogun me grevistët. “Nëse ke argumente, siç pretendove sot në këtë sallë, shko atje e thuaja në sy me shifra, me fakte, por mos u fshih. Ju zonja kryetare, që jeni aty edhe pse vini nga një shtresë e persekutuar, është e pafalshme për ty që publikisht kur të pyet gazetari të thuash se ‘ç’mendim ke’, thua se nuk ke asnjë koment. Si nuk ke koment për ata dhe paske koment të anatemosh këdo nga ne? Shko atje se i bën nder vetes tënde, prejardhjes tënde, karriges në të cilën të kanë zgjedhur, votës që të kanë dhënë. Pse druhesh? Pse trembesh? Ata janë burra. Nuk vënë dorë, jo e jo mbi gratë, por mbi asnjë shtetar. Ata ndihen të vrarë nga braktisja që ju u bëni. Sa për atë që u thoni deputetëve ‘hiqni gjysmën e rrogës’ ta dini se nuk duan mëshirë ata. Ata po djegin veten. S’duan mëshirën tonë. Mëshirën tonë ata e neverisin. Prandaj nuk është vonë të shkoni të uleni e të dialogoni me ta. Ata janë shqiptarë. Nuk ka nevojë për etiketime. Janë komunistë, janë të persekutuar, le të jenë çfarë të duan. Ata janë shqiptarë dhe ju jeni qeveritarët e shqiptarëve. Shkoni atje se e keni detyrim kushtetues dhe ligjor e mos anatemoni opozitën”, tha Ruçi. Ai pati dhe debate me Topallin, e cila e akuzoi se “është ministri i fundit i Brendshëm i kohës së komunizmit”. “Je shumë cinike zonja Topalli, unë kam qenë ministër i Brendshëm i asaj kohe, por unë i kam liruar ata nga burgu, nuk i kam futur në burg. Topalli ndërkohë pati dhe debate të ashpra me ish-kryeministrin Pandeli Majko.
Bamir Topi
“Është rasti të apeloj organet përgjegjëse, qeverinë dhe Parlamentin, të ndërhyjnë pa vonesë, të ulen në dialog, të gjejnë zgjidhje, sepse kjo rrugë është detyra e tyre ligjore, është detyrim moral dhe është standard demokracie. Mjaft me etiketime e sjellje që të kujtojnë kohën e diktaturës! Një vend në NATO dhe me njërën këmbë në BE duhet të sillet si i tillë, ndaj urgjent, urgjent, urgjent të gjendet zgjidhje”
Debati Majko-Topalli, në seancë
Jozefina Topalli: Dje ishte një ditë e bukur, sot ishte një ditë e bukur. Ta gëzoni statusin! Duartrokisni edhe ju të PS-së se nuk ju kushton gja!
Pandeli Majko: Pavarësisht nga tempi entuziast i ministres së Integrimit, unë do të doja që dje të ishte një ditë e lumtur dhe të kishte si kornizë dhe ato fishekzjarrët. Dje ishte një ditë e zymtë në Shqipëri, sepse përpara se të shikonim fishekzjarrët e shkëlqimin e flakës në qiell, pamë një tjetër. Pamë shkëlqimin e flakës mbi trupin e një njeriu. Ishte i dyti nga grevistët e urisë të ish të përndjekurve. Qeveria e ulur prapa meje çon ministrin e Shëndetësisë për t’u thënë se do shëroheni, por nuk i çon as përfaqësuesit e ministrit së Drejtësisë dhe të Financave për të negociuar. Deklarata e Kryeministrit se kjo është një grevë politike, është një përrallë. Mund të bëjnë gjithçka ata të përndjekur politikë, por të digjen për PS-në, nuk bën vaki. Këto përralla shitjani atyre që e besojnë. Ajo është një grevë ekonomike e njerëzve dinjitozë…
Jozefina Topalli: Të mbaroi koha!
Taulant Balla: O Zonjë lërë të flasë se po digjen njerëz atje.
Jozefina Topalli: Ju që keni qenë Kryeministër gjatë 8 viteve pse nuk u dhatë asnjë lek, asnjë shans asnjë bursë. Pyetje e thjeshtë që ju bën të turpëroheni. S’po flas për partinë tënde nënë që i torturoi dhe i burgosi. Një Kryeministër që i dha zero lekë duhet të turpërohet ose të paktën kërkon të falur, ti e të gjithë të tjerët. Kërko të falur për krimet e partisë tënde!
Pandeli Majko: Po e filloj nga ajo që Lokja e Parlamentit më kërkoi…
Jozefina Topalli: Ty të të vijë turp, se kjo është edukata jote.
Jozefina Topalli: S’ke bërë asgjë ia ke hequr thuaj të vërtetën, ia ke hequr ato që e kishin me ligj
Pandeli Majko: Çdo qytetar i majtë e i djathë e di kohën kur kam qeverisur. Nuk ka qenë aq i qetë dhe nuk ka pasur luftë në kufi.
Uluni negocioni mos i çoni ministrin e Shëndetësisë kur i kanë vënë flakën vetes. Ata po ju presin! Nuk është grevë politike as e PS-së, por është grevë e një shtrese që ju ka mbajtur mbi supe dhe që sot qeveriset nga pentitot dhe bashkëpunëtorët e Sigurimit të Shtetit.
Topalli: Keni shkelur rregulloren. Mbaroi koha. Faleminderit zoti ish-kryeministër.
Arrestohen përkrahësit e AK
Aleanca Kuqezi protestoi paraditen e djeshme përpara Kuvendit për mosreagimin e qeverisë në lidhje me grevën politike të ish të përndjekurve që tashmë ka hyrë në një situatë kritike. Por djegia e portretit të Kryeministrit Berisha dhe cilësimet e ashpra ndaj tij duket se kanë nxitur forcat e policisë që të arrestojnë shtatë aktivistë të Aleancës pas përfundimit të tubimit. Kështu, kryetari i Aleancës Kuqezi, Kreshnik Spahiu theksoi se të rinjtë aktivistë, Dorjan Bërdëllima, Bledar Bërdëllima, Fatjon Trezhnjeva, Visar Kola, Edison Pinja, Bojken Sula dhe Dejvi Karaboja janë “rrëmbyer” nga policia menjëherë sapo ka përfunduar tubimi.