“Për ‘Vollgën’ i vuri pistoletën në kokë Muhos. Dhuruesi është kushëriri i ministrit Beqaj. Ja dy pronat e reja në Tiranë”
Telefonatat – “Burime të besueshme pohojnë se Rama ka mbi dy kilometra biseda telefonike të regjistruara nga shërbimet partnere me Milin e Partisë dhe ka frikë të tmerrshme se mos Mili flet në prokurori”
Dhuruesi – “Dhuruesi real është djali i xhaxhait të Beqes, se arabët kanë deleguar te ky pronën dhe nuk vijnë kurrë në Shqipëri. I bëj thirrje prokurorisë të hetojë lidhjen mafioze të Beqajve me Milin e Partisë”
Kryeregjistruesi – “Ilirjani ka njoftuar direkt Kryeministrin Rama, i cili i ka thënë se je i LSI-së dhe unë nuk ndërhyj në çështje të hipotekës. Këto thuaja Ilirit! I ka dalë përpara te stadiumi ‘Dinamo’ dhe e ka kërcënuar me jetë”
Ish-kryeministri Sali Berisha, nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, bën të ditur se e kanë informuar se Emiljano Shullazi ka marrë në formë presioni dhe dy prona të tjerë në zonën e kryeqytetit. “Prona të tjera të perandorisë qeveritare të krimit Shullazi!
Karburant në Rrugën e Kavajës ‘Veliaj’, përballë Shkollës së Hoteleri-Turizmit. Pronë truall rreth 3000 mijë m² në rrugën ‘Vangjel Noti’, pas karburant ‘Eldës’. Flitet se ka marrë dhe një leje ndërtimi multifunksionale …”, shkruan Berisha, i cili më poshtë rendit dhe denoncimin e një personi që ai e cilëson si qytetar dixhital. “Karburantin te Rruga e Kavajës ‘Veliaj’, përballë Shkollës së Hoteleri-Turizmit, të zotin e ka detyruar që t’ia shesë dhe i ka dhënë në dorë kesh 500 000 euro! Prona, tokë-truall te sheshi ‘Shqiponja’, kryqëzimi i rrugës ‘Dritan Hoxha’ me rrugën ‘Vangjel Noti’, është një karburant aty, ‘Elda’, pas tij, rreth 3000 metër katrorë, pa asnjë lekë! Ia kërkuan që ta shiste, jo i tha ai, pastaj ia morën me forcë, pa asnjë lekë! Është folur se ka marrë edhe një leje ndërtimi, multifunksionale!”, thuhet në postimin e Berishës.
Historia e “Vollgës”
Gjithashtu, ish-kryeministri jep detaje dhe në lidhje me shitjen e një pjese të pronësisë të hotel “Vollgës” në Durrës, duke bërë të ditur se Shullazi ka kërcënuar me armë kryeregjistruesin Ilirjan Muho për t’i firmosur. “Dokumentet për pronësinë e hotel ‘Vollgës’ i ka firmosur, duke i vënë revolen në kokë kryeregjistruesve të Durrësit dhe Tiranës. Kryeregjistruesi i Tiranës ka njoftuar për këtë akt Edvin Shullazin, por ai i ka lënë në mëshirë të fatit të LSI-së, duke i thënë mos më ngatërro me këto probleme! Për regjistrimin e pronës në Durrës, Shullazi bashkë me një tjetër ka hyrë në zyrën e kryeregjistruesit Ilirjan Muho, duke e kërcënuar me armë pistoletë. Ilirjani ka njoftuar direkt Kryeministrin Rama, i cili i ka thënë se je i LSI-së dhe unë nuk ndërhyj në çështje të hipotekës. Këto thuaja Ilirit! Disa ditë më vonë, pasi prona nuk po regjistrohej, i ka dalë përpara te stadiumi ‘Dinamo’, duke i ndaluar makinën me forcë dhe duke i rënë me shpulla e ka kërcënuar sërish me jetë. Pasi ka ndodhur e gjitha kjo, është regjistruar prona. Dhe në fund e ka pështy”, thuhet në statusin e ish-kryeministrit, i cili bazohet tek informacioni që i ka dhënë qytetari dixhital nga Lapraka. Ish-kryeministri Berisha ka zbuluar dhe disa fakte të tjera sa i përket dhuruesit të një pjese të pronësisë së hotel “Vollgës”. Ylvi Beqja, sipas informacioneve që Berishës i kanë ofruar, rezulton të jetë kushëriri i ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj. “Qytetari dixhital informon se: Arapi, bamirësi i madh që e bëri të lumtur Milin e Partisë, duke i dhuruar hotel ‘Vollgën’, është fiks Ylvi Beqaj, djali i xhaxhait të Ilir Beqes. Qytetari informon se arabët e vërtetë, të paktën prej 10 vitesh, nuk janë dukur në Shqipëri. Këtu na del një tjetër Shullaz në qeveri. Dhuruesi real është djali i xhaxhait të Beqes, se arabët kanë deleguar te ky pronën dhe nuk vijnë kurrë në Shqipëri. I bëj thirrje prokurorisë të hetojë lidhjen mafioze të Beqajve me Milin e Partisë!”, shkruan Berisha. Ndërsa nuk ka ngurruar të komentojë dhe faktin se si ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, ashtu dhe Kryeministri Edi Rama nuk përmendin asnjëherë me emër Emiljano Shullazin. “Të dashur miq, sot Edvin Shullazi, për të larë m… me sh… me atë që bëri, duke futur Shullazin për të emëruar rektorin që do vetë, shkoi në universitet. Ashtu si në rastin e Saje qorrit, edhe Rama nuk guxoi të shqipërojë emrin e Emil Shullazit as dhe një herë të vetme. Përkundrazi, ai tha se “ajo që ndodhi para tri ditësh nuk dëshmon UT (sikur ndodhi mbrapa Dajtit dhe jo në universitet), por dëshmon vullnetin e plotë që të mos cenojë askush UT. Kjo është e vërteta e thjeshtë”. Pra Rama nuk i referohet me emër askurrkund Shullazit në fjalën e tij. Kjo, sepse burime të besueshme pohojnë se Rama ka mbi dy kilometra biseda telefonike të regjistruara nga shërbimet partnere me Milin e Partisë dhe ka frikë të tmerrshme se mos Mili flet në prokurori për lidhjet e tij me kreun e meduzës së krimit të organizuar të Shqipërisë, që është njëkohësisht dhe kreu i ekzekutivit i ‘Aleancës së Qelbësirave’!”, shkruan Berisha.
