Kryeministri Sali Berisha ka akuzuar sërish kreun e PS-së, Edi Rama se po bën pazare dhe i ka kërkuar të bashkëpunojë sipas ligjit për zgjedhjen e KQZ dhe kreut të ri të saj,e të mos punojë me dy standarte. Në mbledhjen e sotme të grupit kuvendor demokrat, Berisha ka akuzuar opozitën se po e konsideron shumicën njësoj si etërit e tyre trajtonin kulakët.
“Si mund të kërkosh ti dëgjim për katër dhe jo për të gjithë. Parlamenti e ka të drejtën e dëgjimit, ky refuzon për të tjerët dhe kërkon vetëm për këta, se këta janë të deklasuarit, tani do kërkojnë pazare, se si të bëjmë për mazhorancën dëgjim dhe për opozitën jo, se është bërë dëgjimi në selinë e partisë. I bëj thirrje po të dojë të gjithë le të futen në proces dëgjimi, normale, por s’mund të bëjmë njëri i njerkës, tjetri i nënës, se dy standarte janë fyese”- tha ai.
Sipas tij, Rama duhet të përcaktojë e të deklarohet për një standard e të heq dorë nga pazaret. “Ky njeri mendon nga mëngjesi në darkë, pazare, pazare, pazare, por politika kërkon parime, jo pazare, se ndodh që të blesh më lirë, por do të kushtojë sa frëngu-pulën, dhe njëherë zotëri, mos krijo përshtypje të gabuar nga mbështetësit e tu dhe pazaret. Parlamenti nuk është seli partie. Ky ka zëvendësuar çdo sens ligjor me pazare, nuk bëhet kështu, ligji është kontrata mor zotëri, kjo na bashkon të gjitha palët. Merr mendjen e njerëzve që u futën në universitet dhe ngelën në vit parë katër vite rresht. Zgjedhjet i bën ai vetë, i bëj thirrje të heqë dorë nga mania e pazareve që e ka ngërthyer e nuk përmbahet dot, politika është arti i parimeve, kompromiseve”- ka akuzuar Berisha. Ai ka ftuar opozitën të votojë dhe pr/ligjin për Gjykatën e Lartë. “PS të votojë amendamentet që shtoi për Gjykatën e Lartë. Të bësh pazar politik për vendime gjykatash, gjëja më absurde. Rama ka dy javë që nxjerr deputetët nga Komisioni i Ligjeve”, ka thënë Berisha.
Më herët, kryeministri Berisha është ndalur në çështjen e privatizimit të Albpetrol-it, duke theksuar se ky proces ka nisur 3 vjet më parë dhe nuk ka asnjë lidhje me zgjedhjet e ardhshme parlamentare.Duke iu përgjigjur akuzave të opozitës për shitjen e pasurive publike, Berisha ka deklaruar se nuk është shitur asnjë centimetër tokë, pasi dhënia me koncesion për shfrytëzim të pasurive është interesi jetik i të gjithë qytetarëve. “Dua të theksoj edhe njëherë se disa qëndrime, të shfaqura gjatë ditëve, disa shpifje dhe trillime nga eksponentë të opozitës dhe mediave që ata kontrollojnë, kanë qenë të motivuara nga ligësia njerëzore, keqdashja e plotë, nga smira e pakufijshme. Dua të informoj shqiptarët se ky proces ka nisur 3 vjet me parë. Është një proces i gjatë, serioz, i shumëanshëm dhe nuk ka në mënyrë absolute asnjë lloj lidhje me zgjedhjet. Procesi ka nisur 3 vjet më parë, po si një privatizim madhor strategjik natyrisht ai do të kalonte në të gjitha etapat dhe proceset e domosdoshme dhe kështu ndodhi. Ndaj nuk ka asnjë arsye tjetër përveç vendosmërisë së kësaj qeverie për të thelluar gjithnjë e më shumë proceset e privatizimit, si kushti më kryesor për të përmirësuar dhe rritur perfomancën ekonomike.”- u shpreh kryeministri.
1 tetor 2012 (gazeta-Shqip.com)