Kryeministri kërkoi dje konsensus nga opozita për kufizimin e imunitetit
Kryeministri Sali Berisha i bëri dje thirrje kreut të Partisë Socialiste, Edi Rama, që të votojë në datë gjashtë gusht pro kufizimit të imunitetit të zyrtarëve të lartë dhe gjyqtarëve, duke theksuar faktin se nëse nuk e bënte do të përballej me zemërimin e shqiptarëve. Kreu i qeverisë deklaroi se kërkesa për kufizimin e imunitetit nuk vinte vetëm nga ana e PD-së, por edhe ndërkombëtarët. Dje, Kryeministri bëri publike dhe një letër të dërguar në adresë të tij nga komisioneri për Zgjerim në Bashkimin Europian, Stefan Fule, në të cilën kërkohej dhe kufizimi i imunitetit të zyrtarëve të lartë nisur nga kërkesa e Shqipërisë për të marrë statusin e vendit kandidat në Bashkimin Europian. Ndaj Berisha theksoi se në rast se Rama mendonte se përmes mbajtjes së bllokuar të integrimit të Shqipërisë do të përfitonte politikisht, gabonte rëndë. “Edhe një herë shfrytëzoj rastin, të bëj thirrje se është një kalkulim tmerrësisht i gabuar, në qoftë se mendon se duke bllokuar statusin, dëmton më shumë qeverinë. Sigurisht dëmton Shqipërinë. Sigurisht dëmton interesat jetike të çdo shqiptari dhe i bën ata të rikujtojnë thënien e Konicës: Atë që i kanë bërë shqiptarët Shqipërisë, nuk ia ka bërë kush. Apo Zoti e ruajt Shqipërinë nga shqiptarët! Por të jesh i bindur se shqiptarët do të flasin në mënyrën më serioze dhe kanë 100 motive për të të dhënë atë që meriton, nëse bllokon kësaj radhe”, deklaroi Kryeministri Berisha. Ai gjeti rastin të theksonte se kërkesat që Rama kishte bërë ndaj mazhorancës për procesin e kufizimit të imunitetit ishin plotësuar pa asnjë hezitim dhe në këtë kuadër, Rama nuk mund ta përligjte dot qëndrimin e tij kundërshtues ndaj kësaj nisme. Po kështu, Berisha theksoi se data 6 gusht për votimin e nismës ishte përcaktuar bashkarisht nga mazhoranca dhe opozita. “Ato që kërkove, t’u plotësuan. Pavarësisht se del dhe i zhvlerëson të deleguarit e tu, paçka se njëri ishte Kryeministër, i çove për t’u tallur me ta. Ne e marrim si proces shumë serioz dhe bëmë çdo lëshim që u kërkua. Edhe ne dinim të thoshim jo, por ishte muri që duhej shembur, në mënyrë që të hapej. Ne dërguam në Parlament një draft edhe më të thellë, por u pajtuam me propozimet tuaja, sepse njëra palë duhet të lëshojë dhe lëshuam ne, në mënyrë që muri i korrupsionit të mos zërë derën e statusit të integrimit të vendit”, theksoi Berisha, duke i rikërkuar Ramës ta vlerësonte dhe njëherë qëndrimin e PS-së për çështjen e imunitetit.
Balla: Jo arnim të Kushtetutës
“Partia Socialiste e Shqipërisë e ka shprehur fare qartë qëndrimin e saj në lidhje me kufizimin e imunitetit. Ne jemi jo vetëm iniciatorët e kësaj nisme. Por mbi të gjitha dakordësinë tonë në lidhje me kufizimin e imunitetit për zyrtarët e lartë, e kemi shprehur edhe përmes votës sonë pro secilit prej neneve të draftit të miratuar me konsensus. Çdo debat mbi këtë temë është i nxitur artificialisht, pasi të gjitha palët jo vetëm janë dakord me draftin e negociuar, por edhe e kanë miratuar në parim dhe nen për nen këtë projektligj. Ne socialistët jemi të mendimit se Kushtetuta e Republikës nuk mund të arnohet, sepse i teket Sali Berishës. Kushtetuta është e shqiptarëve, jo e Saliut. Duke qenë se nga njëra anë kufizimi i imunitetit kërkon ndryshime kushtetuese, ndërkohë që nga ana tjetër edhe propozimet tona në lidhje me pavarësinë e disa institucioneve të rëndësishme kërkojnë po ashtu ndryshime kushtetuese, ne kërkojmë që këto ndërhyrje në Kushtetutë të bëhen një herë e mirë. Këtu ndahemi ne nga ata, dhe për këtë duam të diskutojmë edhe propozimet e tjera përpara se të votojmë. Unë që po flas sot jam një deputet i Parlamentit të Shqipërisë që e ka dorëzuar imunitetin. E vërteta e madhe është se deri më sot të vetmit që kanë përfituar nga imuniteti janë anëtarët e Këshillit të Miliarderëve të Saliut. Lulzim Basha i shpëtoi drejtësisë prej imunitetit. Fatmir Mediu i shpëtoi drejtësisë prej imunitetit”, tha Balla.
LSI: Nuk ka arsye që të mos votohet
“Nuk ka asnjë arsye madhore, prioritare dhe që lidhet me interesat e vendit që Partia Socialiste të mos e votojë projektin që është produkt i konsensusit midis dy partive dhe që çon në përmbushjen e këtij detyrimi të madh. Partia Socialiste nuk ka asnjë gjë kundër interesave europiane të vendit. Madje në historinë e vet politike Partia Socialiste është dhe mbetet një kontributore shumë e rëndësishme, me një rol të pazëvendësueshëm, në tërë këtë proces të integrimit europian të vendit dhe në datën 6 gusht ajo është përballë sfidës që të dëshmojë se mbetet në të njëjtën hulli apo që është pjesë e të njëjtit angazhim dhe e të njëjtit kontribut pozitiv për integrimin europian të vendit. Unë personalisht dhe i gjithë opinioni i vendit pret që Partia Socialiste të shfaqet në atë dimension që meriton edhe vetë angazhimi politik, qytetar dhe atdhetar i Partisë Socialiste. Domethënë, nuk ka vend, pavarësisht polemikave dhe debatit me të cilin është paraprirë kjo çështje, të gjykojmë apo të analizojmë me sikur, në të kundërt pastaj do të duhet të mbajmë një qëndrim pasi kjo gjë të jetë bërë fakt. Edhe njëherë theksoj që unë nuk besoj dhe nuk kam arsye të besoj që PS është e interesuar të bllokojë një proces që nuk është partiak. Forca e partive matet në zgjedhje. Nuk matet duke bllokuar çështje të rëndësishme në të mirë të interesit europian të vendit”, tha sekretari i Përgjithshëm i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Luan Rama.