Kryeministri Sali Berisha, në mbledhjen e sotme të qeverisë i ka bërë sërish thirrje kreut të PS, Edi Rama që të votojnë së bashku heqjen e imunitetit më 6 gusht. Berisha në fjalën e tij iu referua një letre që kishte marrë nga komisioneri i BE-së, Stefan Fyle, ku sipas tij heqja e imunitetit ishte një kusht i rëndësishëm për integrimin.


“Fyle më ka dërguar një letër ku më përgëzon për reformat, por kërkon përmbushjen edhe të imunitetit. Bëri të qartë se detyrim madhor duhet të jetë qëndrimi ynë ndaj imunitetit”, – komentoi kryeministri.


Ai e ftoi Ramën që të linte mënjanë retorikat boshe dhe të bashkoheshin për të rrëzuar murin e korrupsionit dhe për t’i hapur rrugën vendit tonë drejt reformave të rëndësishme.


“Ne kemi në dorë të rrëzojmë së bashku murin e korrupsionit, që i ka zënë derën procesit të integrimit të vendit. Të votojmë në një akt historik, një hap që e presin shqiptarët kudo që ndodhen, sepse duan progresin e Shqipërisë drejt Europës”, – tha Berisha.


Berisha i ka kujtuar kreut të PS se, nëse bllokon edhe një herë statusin e vendit kandidat, atëherë votuesit shqiptarë do ta ndëshkojnë në zgjedhjet e ardhshme, duke theksuar gjithashtu se mazhoranca ka bërë gjithmonë lëshime kur ka ardhur puna për kërkesat e opozitës lidhur me imunitetin.


1 gusht 2012 (gazeta-Shqip.com)