Rama: Përfshiu shqetësimet e PS-së
Sequi: Fjala kyçe për qeverinë duhet të jetë zbatimi i ligjit
Fatjona Mejdini
Ambasadori i Komisionit Europian, Ettore Sequi, ishte njeriu i cili i dorëzoi raportin e progresit Kryeministrit Berisha dhe drejtuesve të tjerë politikë në vend, duke u përçuar edhe një herë nga afër kumtet e BE-së. Kryeministri Berisha e priti këtë raport me qetësi dhe e konsideroi atë si tepër objektiv dhe dokument të vlefshëm për qeverinë dhe politikën shqiptare. Nga ana tjetër, kreu i opozitës, Edi Rama, deklaroi se KE është në një linjë me opozitën ndaj qeverisë shqiptare dhe se dhënia e statusit me kushte nuk ishte një lajm fort i mirë për Shqipërinë. Ndërsa ambasadori Sequi theksoi në një konferencë pasdite se Shqipëria duhet të ishte e angazhuar në fuqizimin e ligjit dhe shtetit të së drejtës paralelisht me kushtet që i kërkoheshin për statusin dhe hapjen e negociatave për anëtarësim.
Berisha
Kryeministri Berisha e konsideroi raportin e radhës së KE-së si tepër objektiv dhe theksoi se qeveria e tij do të jepte të gjithë kontributin e duhur për të plotësuar pjesën e mbetur të rekomandimeve. Në këtë kuadër, Berisha theksoi se ai ishte i hapur për sa i përket negociatave me opozitën, por theksoi se ai nuk mund të toleronte shkeljen e ligjit, duke iu referuar këtu kushtit të opozitës për të zhbllokuar situatën në Qarkun e Fierit. “Ne kemi bërë çdo gjë për të pasur marrëveshje, por ka disa gjëra themelore, të cilat nëse shkelen dëmtohet rendi kushtetues. Nuk mund të bëhen këto, për të tjerat ne mbetemi tërësisht të hapur”, theksoi Berisha, duke shtuar se pjesës së mbetur të detyrimeve do t’i kushtohej një vëmendje e madhe deri në plotësimin e plotë të tyre.
Rama
Kreu i opozitës, përmes rrjeteve sociale, deklaroi dje se provimi i radhës në Bruksel është kaluar me kushte nga ana e Shqipërisë. Sipas tij, vlerësimet e Komisionit Europian përkojnë me ato të ngritura nga opozita dhe vlerësojnë rolin e luajtur prej saj në këtë proces. Sipas tij, një meritë të madhe në këtë proces kishte dhe opozita, e cila vendosi të mos e linte vendin në baltë por të bënte përpjekje maksimale për marrjen e statusit kandidat. Rama theksoi se, ashtu si dhe PS, Komisioni Europian e konsideron procesin e zgjedhjes së Presidentit të ri të vendit si të njëanshëm dhe jo në shërbim të konsolidimit të kompromisit dhe bashkëpunimit mes dy palëve. Ai deklaroi se me ardhjen e socialistëve në pushtet, procesi i integrimit do të çlirohej njëherë e mirë. “Në vitin 2013, me fitoren e zgjedhjeve do të çlirojmë procesin e integrimit, duke hapur një faqe të re për politikën shqiptare”.
Sequi
Ambasadori i KE-së në Shqipëri, Ettore Sequi, deklaroi dje se pavarësisht të gjitha kushteve që kishte për të plotësuar, qeveria dhe organet e drejtësisë duhet të kujdeseshin për fuqizimin e ligjit në vend dhe shtetit të së drejtës. Sipas tij, me marrjen e statusit, ndihma financiare ndaj Shqipërisë do të rritej dhe se vendi duhet të arrinte në fazën e tërheqjes vetë të fondeve të BE-së dhe jo shpërndarjes së tyre nga zyra e KE-së.
Ramës – Raporti i progresit do t’i dorëzohet sot kryetarit të opozitës, Edi Rama, nga ambasadori Sequi
Sequi – Me marrjen e statusit, ndihma financiare ndaj Shqipërisë do të rritej dhe se vendi duhet të arrinte në fazën e tërheqjes vetë të fondeve të BE-së