Disa qindra shtëpi të sekuestruara nga Komunizmi nuk i janë kthyer ende pronarëve njëzet vjet pas rënies së regjimit.


Çështja e disa qindra pronave private të zëna me qiraxhinj të padëshirueshëm që nga koha e komunizmit ka qenë një problem që prej njëzet vjetësh që në disa raste është diskutuar edhe politikisht. Herën e fundit u diskutua në vitin 2006, por pa zgjidhje. Sot kryeministri Berisha e riktheu në diskutim këtë problem, gjatë mbledhjes së qeverisë. Berisha nuk po diskutonte ndonjë platformë konkrete se si të zgjidhet problemi, por thjeshtë duket se i ra ndër mend rastësisht dhe i dha një porosi ministrit të Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit.


“Përsa i përket çështjes së dytë, zoti Olldashi duhet të përgatisni menjëherë projektligjin që Banesat tu lirohen pronarëve dhe do të ngarkohet për këtë Enti i banesave  bashkë me qeveritë vendore dhe do të përdoren të gjitha mjetet e shtetit për të zbatuar ligjin. Ne u ofrojmë banuesve të tyre kredi me zero interes, por shtëpia e pronarit duhet të lirohet,” – tha Berisha.


Pronat në fjalë i përkasin përgjithësisht elitës ekonomike dhe politike të viteve ’30 e ’40. Ato u konfiskuan apo sekuestruan nga shteti komunist në faza të ndryshme me justifikime të ndryshme. Disa nga pronarët u shpallën bashkëpunëtorë të nazi-fashizmit. Disa të tjerë, e humbën nga zbatimi i ligjit “për Tatimin e Jashtëzakonshëm.” Të tjerë e humbën kur krerët e lagjeve vendosnin sekuestrimin për nevoja të shtetit. Një kategori tjetër qenë pronat e nënshtetasve italianë. Atyre iu shpronësuan me një dekret të vitit 1947, ku thuhej se pronat e tyre merreshin si reparacione lufte nga Italia dhe i kërkohej që Italia të shpërblente qytetarët e vet.


Gjatë kohës së komunizmit, në këto prona u vendosën përgjithësisht zyrtarë të lartë të regjimit, të cilët vijojnë të banojnë aty. Teorikisht, banorët kanë për detyrë të paguajnë një qera shtetërore me çmime që variojnë në 50 apo 100 lekë të vjetra në muaj.


“Pronarëve duhet t’u kthehen shtëpitë. Dhe ta dini se ka një mal të turpshëm falsifikimesh mbi to. Që të gjitha duhet të jene objekt denoncimesh në prokurori. Përpjekjet për t’u përvetësuar pronarëve shtëpinë janë të jashtëzakonshme. Shtëpitë duhet të lirohen. Ligji duhet të parashikoje se në rast se brenda një afati të caktuar bashkia nuk e zbatojnë ligjin, Enti i banesave do të ndërhyjë me gjithë forcën e ligjit për të zbatuar ligjin. Shtëpitë duhet tu kthehen pronarëve të vërtetë. Shumica janë kthyer, por përsëri janë me mijëra që kanë mbetur pa u kthyer, të cilat kryesisht janë në Tiranë , sepse këtu ka patur  më shumë”, – tha Berisha dje.


18 korrik 2012 (gazeta-Shqip.com)