Dëshirat – Kryeministri Berisha rrëfeu dje në nisje të grupit parlamentar të PD-së se ai kishte shprehur tri dëshira në ditën e lindjes. Dy të parat, sipas tij, kishin të bënin me qëndrimin në pushtet dhe jetën e gjatë, ndërsa të tretën nuk e rrëfeu
Ceremonia – Dje paradite, stafi i Kryeministrit Berisha në Këshillin e Ministrave i organizoi një ceremoni të thjeshtë, për t’i uruar kreut të qeverisë 68-vjetorin e tij. Shumë buqeta me lule iu dhuruan Kryeministrit me rastin e ceremonisë
Rama – Kryesocialisti Rama ironizoi shprehjen e dëshirave të Berishës me rastin e ditëlindjes. “Saliu njoftoi sot futjen e Zotit në koalicionin qeveritar për 2013! Tallje me shqiptarët deri në përbuzje apo thjesht i dalë mendsh?”, pyeti ai në “Twitter”.
Kryeministri feston ditëlindjen: Dëshira, të rri sërish në pushtet
Sulmi – Tufën e cilësoi si tutor prostitutash, Ndrecën pijanec dhe bixhozxhi, Valterin po njeri që luan kumar. Karamuçën si gënjeshtar…
Fatjona Mejdini
Në ditën e 23-të të grevës së urisë së të përndjekurve politikë, Kryeministri Berisha jo vetëm që përjashtoi negociatat me grevistët, por i konsideroi koordinatorët e saj dhe një pjesë të tyre si kriminelë dhe njerëz me vese. Në mbledhjen e djeshme të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Berisha deklaroi se një nga koordinatorët e grevës, përkatësisht Skënder Tufa ishte një njeri i cili kishte zhvilluar prostitucionin në Tiranë dhe nga ana tjetër, Gjergj Ndreca, ishte një bixhozxhi dhe njeri i alkoolizuar. Pavarësisht se mbledhja e djeshme e grupit parlamentar të PD-së nisi me batutat e Kryeministrit për ditëlindjen e tij të 68 dhe dëshirat për pushtet dhe jetë të gjatë, vijimi i saj u karakterizua nga një gjuhë e ashpër në lidhje me grevën e urisë, e cila është bërë kryefjala e zhvillimeve të fundit politike në vend.
Akuzat
Kryeministri Berisha deklaroi dje se greva e urisë së të përndjekurve politikë ishte kryekëput politike dhe ajo i shërbente drejtuesve të partive opozitare në vend, siç ishin Edi Rama dhe Bamir Topi. “Ky grup i vogël grevistësh ka qenë që në fillimet e veta me Partinë Socialiste. Njëri prej tyre është azilant politik në një vend. Më thotë një miku im se që prej viteve ‘90 ai villte vrer ndaj PD-së, sepse i mori pushtetin partisë së kuqe. Tani vjen në grevë. Pra, ky grup i vogël, e vërteta është se përfaqëson vetëm Skënder Tufën, Edi Ramën, Gramoz Ruçin dhe bamirësit e tyre”, deklaroi Berisha. Ai theksoi gjithashtu se disa grevistë ishin pjesë e ish-sigurimit të shtetit. Kryeministri nuk i kurseu as akuzat e ashpra ndaj drejtuesve të grevës dhe atyre që ishin pjesë e saj. Sipas tij, grevistët gënjejnë kur thonë se nuk kanë përfituar asgjë nga qeveria. Berisha deklaroi se të ardhurat që ata kishin përfituar i kishin lënë duke luajtur bixhoz dhe duke pirë raki. “Më nisi njëri sms për këtë Valterin që është aty në grevë: Ka marrë një shtëpi 3 plus 1 dhe e ka shitur në bixhoz. Dhe ky njeri deklaronte se nuk ka marrë asgjë nga qeveria. Zoti Karamuça ka marrë dy dhoma e kuzhinë, ndërsa zotohej se nuk ka marrë asgjë”, theksoi Berisha. Ai gjithashtu u shpreh ashpër ndaj Gjergj Ndrecës, njeriut i cili ishte i pari që tentoi të vetësakrifikohej për kauzën e tij. “Ndreca mori fabrikë për mbarështimin e derrave. Ato duan punë, jo raki dhe bixhoz. Banka do të paguash borxhin, jo të bëhesh delenxhi. I ikën dhe derrat dhe tani në grazhdin e PS-së do të ndërtojë bizneset e veta”, theksoi Berisha. Nga ana tjetër ai lëshoi një lum akuzash ndaj koordinatorit të grevës së urisë, Skënder Tufa. Ai e konsideroi atë një person ordiner, me precedentë të rrezikshëm penalë. “Një kriminel ordiner, i vendosur për të damkosur ish të përndjekurit. Skënder Tufa, për vite të tëra kishte ndërtuar bordello në mes të Tiranës dhe shfrytëzonte për vite të tëra gra dhe vajza. Nuk është rastësisht i përzgjedhur ai. Jo. Është përzgjedhur nën kujdesin më të madh”, theksoi Berisha në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së. Nisur nga këto konstatime, ai i bëri thirrje të gjithë familjarëve të grevistëve të tjerë, që të mos lejonin njerëzit e tyre të përdoreshin për interesa të ngushta. “U bëj thirrje familjarëve që të mos shkelmohen për këta njerëz, që nuk kanë asgjë në moralin e tyre. E dini çfarë u thoshte ky disa gazetarëve. Ato prostituta m’i solli PD-ja. Këta janë menaxherët dhe pjesëmarrësit e kësaj greve”, deklaroi Berisha.