Takimet


Ministri i Jashtëm serb nuk pranon gjenocidin në Kosovë, por flet për marrëdhënie të mira


Fatjona Mejdini


Kryeministri Sali Berisha deklaroi dje, se Shqipëria dhe Serbia duhet të rikapin shanset e humbura përgjatë viteve dhe për këtë kuadër ngritja e një komiteti ndërqeveritar do të ishte hapi i duhur. Këtë deklaratë, kreu i qeverisë Berisha e bëri gjatë një takimi që zhvilloi me ministrin e Jashtëm të Serbisë, Ivan Mrkiç dje në Tiranë. Kreu i qeverisë theksoi se bashkëpunimi ekonomik mes dy vendeve vinte si një domosdoshmëri dhe nevojë për më shumë mirëqenie në rajon. Më herët, ministri i Jashtëm serb zhvilloi një takim me homologun e tij, Edmond Panariti, në të cilën u diskutuan edhe çështje të nxehta mes dy vendeve si Kosova. Por pavarësisht mendimeve diametralisht të kundërta për këtë çështje, dy ministrat ishin të qartë se marrëdhëniet mes dy vendeve duhet të forcoheshin, pavarësisht faktit e kontradiktave të rastit. Një temë tjetër që u diskutua mes dy ministrave, ishte edhe ajo e pakicave. Ministri serb Mrkiç deklaroi se ai kishte pasur kontakt me përfaqësuesit e minoritetit serb në Shqipëri dhe, nga ana e tij, ministri Panariti deklaroi se qeveria serbe duhet të bënte më shumë për shqiptarët, të cilët jetonin në Komunën e Preshevës dhe zonën përreth. Vizita e djeshme e ministrit serb mund të quhet e rëndësishme, nisur nga fakti se prej rreth 10 vitesh Shqipëria nuk ka pritur ndonjë përfaqësues të lartë të qeverive të Beogradit. Nga ana tjetër, kjo vizitë vjen vetëm pak ditë pasi Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ai i Serbisë, Ivica Daçiç, u takuan në Bruksel me ndërmjetësinë e faktorit ndërkombëtar.


Minoritetet


Ministri i Jashtëm serb pranoi dje se ai kishte zhvilluar dy ditë më parë një takim me përfaqësuesit e minoritetit serb gjatë qëndrimit në Tiranë dhe se këtë çështje e kishte diskutuar në takimin me homologun Panariti. “Unë e kam njoftuar që më përpara ministrin Panariti se, ne kemi bërë takime me përfaqësuesit e disa shoqatave, sepse këtu në Shqipëri jeton një pjesë, një minoritet serb, ata ndihen qytetarë të Shqipërisë dhe ata janë besnikë të atdheut të vet. Ata mundohen që të ruajnë trashëgiminë dhe gjithçka që i lidh me shtetin amë. Ne do të bëjmë gjithçka dhe do të japim ndihmë që ata të ndihen sipas konventave që janë miratuar në Këshillin e Europës dhe në OKB”, deklaroi Ivan Mrkiç gjatë takimit me Panaritin. Nga ana tjetër, ministri shqiptar i kërkoi homologut të tij kujdes të veçantë për shqiptarët që jetojnë në jug të Serbisë. “Evidentova gjatë takimit se, përmirësimi i gjendjes ekonomike, plotësimi i kërkesave për arsimim, informim, përfshirje të këtij komuniteti në proceset vendimmarrëse dhe një mbështetje më e madhe financiare nga shteti serb, është ajo që ne presim”, deklaroi Panariti, duke u kërkuar autoriteteve serbe të ndërpresin dhe të ndahen nga aktet e dhunës ndaj këtij komuniteti, sepse këto janë prerogativa për zhvillimin normal dhe ruajtjen e identitetit të këtij minoriteti dhe i shërbejnë forcimit të mëtejshëm të urave të bashkëpunimit midis dy vendeve.


Kosova


Ministri i Jashtëm i Serbisë, Mrkiç, deklaroi dje në Tiranë se do të ishte historia ajo që do të përcaktonte rolin e serbëve dhe kosovarëve gjatë luftës mes dy vendeve. Pyetjes nëse Serbia do t’i kërkonte falje Kosovës për gjenocidin e zhvilluar, ai theksoi se vendet duhet të shihnin nga e ardhmja. “Ju e dini që ne kemi interpretime të ndryshme për sa i përket historisë. Prandaj, sipas mendimit tim, ne duhet t’i referohemi sa më pak kësaj periudhe. Këtë them që t’ua lëmë historianëve dhe njerëzve të shkencës, kurse ne si qeveri dhe si politikanë do të përpiqemi që të vëmë në plan të parë gjithçka që na bashkon dhe që të mos lëmë asnjëherë që të përsëriten gjërat në këto hapësirat tona, po ashtu e kemi të pamundur të interpretojmë ato që kanë ndodhur”, theksoi ministri serb.