Reagon anëtarja e BSH-së: Ke fantazi të sëmurë, sheh filma të Demi Murit
BLEDAR HOTI
Për dy ditë më radhë ish-kryeministri Sali Berisha po sulmon ashpër anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës, Ermelinda Meksin. Akuza e djeshme e Berishës në adresë të Meksit është se ka marrë të gjitha të dhënat për vulat dhe hyrjet e daljet sekrete të kasafortave të bankës dhe i ka dorëzuar në Parlament. Në një postim në rrjetin social Facebook, ish-kryeministri shkruan se “të dashur miq, sipas burimeve nga Parlamenti, pesë ditë më parë është dorëzuar vjedhas, thuhet nga Ermelinda Meksi, dhe fotokopjuar në Parlament dosja me sekrete e Bankës së Shtetit, e cila përmban të gjitha kodet, hyrjet dhe daljet sekrete të dhomave të kasafortave ku ruhen thesaret e gurëve, monedhave të çmuara, lingotat e floririt, kartëmonedhat e vendit si dhe vendndodhja dhe inventari i plotë i këtyre të fundit”. Sipas Berishës, “pas serverit të tatimeve, baronët e drogës, trafikantët, vrasësit, pengmarrësit e Parlamentit kanë tani në dorë çdo sekret të Bankës së Shtetit”. Ish-kryeministri ndërkohë i kërkon guvernatores në detyrë, Elizabeta Gjoni, që të marrë në dorë këtë situatë duke marrë masat e nevojshme. “I bëj thirrje guvernatores në detyrë të kërkojë përforcime për mbrojtjen e Bankës dhe objekteve të saj dhe të nisë me shpejtësi ndryshimet e kodeve, çelësave, mekanike dhe elektronike, të sistemeve të sigurisë së Bankës, për të mbrojtur vlerat bankare të shqiptarëve para se të sulmohen dhe grabiten nga bandat e qeverisë!”, shkruan Berisha.
Reagimi i Meksit
Anëtarja e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës, Ermelinda Meksi, ka reaguar menjëherë ndaj akuzave të ish-kryeministrit Berisha. “Një fantazi e sëmurë që as vetë nuk mund ta besojë për të dytën herë brenda 24 orësh, me stilin e tij me prapavijë të pastër politike, z.Berisha me sulmin e tij ndaj meje si anëtare e KM-së, cenon rëndë pavarësinë e institucionit më të rëndësishëm monetar të vendit, Bankës së Shqipërisë. Në mënyrë qesharake një ish-kryeministër, ish-president dhe ende deputet, thotë…’sipas burimeve nga Parlamenti’ …pyes nga kush në Parlament, nga kryesia, nga fotokopjuesja, apo nga roja te dera meqë zotëria paska të dhëna se qenkan fotokopjuar???!!! Qenkan fotokopjuar sipas tij sekretet e bankës. A mos vallë ka parë mbrëmë filmin me Demi Mur (Demi Moor, mbi ‘Bankën e Diamanteve’ dhe i doli sot në ëndërr?”, replikon Meksi. Sipas saj, asnjë anëtar i Bankës nuk gëzon të drejtën për të pasur këto të dhëna kaq sekrete sa i përmend Berisha. “Po cili anëtar i Këshillit Mbikëqyrës e ka këtë atribut? Po ta kishin do ia kishin dhënë të tijtë që i depersonalizon deri në keqardhje. Pastaj i bën thirrje guvernatores në detyrë të ndërrojë kodet dhe çelësat e bankës! Këtu bie brenda me logjikën e tij gjysmake. Po nëse ato qenkan në kompetencën e saj dhe zotëria i ditka aq mirë, nga do t’i njihja unë ato? Kur sipas Rregullore Nr.73 datë 14.10 2009 e Regjimit të Hyrje-Daljeve dhe Lëvizjes në ambientet të BSH, si anëtare e KM-së part-time, unë nuk kam as akses hyrjeje në Bankë?
Si mund të fantazojë ky zotëri për sa ka ndodhur në mbledhjen e KM-së të BSH-së, siç bënte në sulmin e djeshëm ndaj meje kur ato janë ligjërisht konfidenciale, duke prezantuar si të frikur prej meje, një gruaje, kolegët e nderuar të KM? Jam përpjekur me maturi të ruaj qetësinë në këtë kohë të vështirë për BSH, pavarësisht presionit nga të gjithë krahët e politikës, për të kryer me përgjegjshmëri në zbatim të ligjit misionin për të cilin jam zgjedhur dhe me votën Tuaj nga Kuvendi, duke kontribuar në ruajtjen e stabilitetit financiar të vendit, për të cilën përbetoheni, por bëni të kundërtën. Ju zoti Berisha doni të provokoni publikun, duke i thënë me gjuhën tuaj të helmuar se vjedhja e ndodhur kur drejtonte guvernator Fullani nuk ishte asgjë, sepse sipas Jush e gjithë kjo histori ishte që të merreshin kodet e hyrjes dhe pastaj të sulmohet banka nga bandat. Kjo është gjuhë e denjë për një individ që vetëm raporti mjekësor mund t’i gjejë alibi’, shprehet Meksi. Ajo ka dhe një këshillë dhe për guvernatoren në detyrë, Gjoni, ku i drejtohet se “sqaroje zotin Berisha se anëtarët e KM part-time nuk kanë akses hyrës në Bankë, kur edhe për të hyrë në mbledhjet e KM-së duhet të na shoqërojë dikush nga ju dhe jo me të dimë kodet etj. Ato vetëm Ju si administratore ekzekutive i dini. Sqaroje që mos shpenzojë më kohë as në Fb, duke lëshuar broçkulla të tilla!”. Por Berisha ka reaguar sërish nëpërmjet rrjetit social duke u shprehur se Meksi, “zëdhënësja e Edi Ramës po kërkon të mbulojë diellin me shoshë. Kështu, floririn numizmatik të Bankës e quajtën qymyr, vjedhjen e serverit të tatimeve fantazi të sëmurë, riformaton e quajtën mushkonja etj. Është fatkeqësi e vërtetë kombëtare që thagmat, skandalet dhe aferat e Ramës dhe qeverisë së tij tejkalojnë çdo fantazi”.
Braçe: PD po sulmon egërsisht prokurorin
Deputeti i PS-së, Erjon Braçe, ka reaguar ndaj deklaratave të lëshuara nga kupola drejtuese e PD-së mbi arrestimin e guvernatorit të Bankës, Adrian Fullani. “Po sulmojnë egërsisht,
prokurorin e çështjes së vjedhjes së Bankës së Shqipërisë, oficerët në ndihmë të tij, prokurorinë si institucion, për:
hetimin dhe vendimet e marra e të ekzekutuara në funksion të këtij hetimi dhe në përputhje me ligjin!! Sulmi nuk është i pashembullt! Jo! Sulmi e ka një shembull: Hetimin për 21 janarin!
Berisha dhe “klani i pasanikëve të medias” duan ta mbyllin hetimin këtu!! Nuk duan të hetohet më tej për: guvernatorin e bankës, përgjegjësit e tjerë nën urdhrat e tij! (Kështu ka funksionuar ai institucion) Madje e duan të lirë që të kenë guvernatorin e lobit ekonomik të tyre, ndryshe janë në mëshirë të hetimeve, por mbi të gjitha janë në mëshirë të rregullave të qarta të bankave ku janë klientë!”, shkruan Braçe.
Spartak Ngjela
“Berisha, simptoma si Enveri, ka frikë nga hetimi i Bankës”
Avokat Spartak Ngjela duke komentuar shpërthimin e ish-kryeministrit Sali Berisha për arrestimin e Fullanit shprehet se po shfaqen simptomat e diktatorit Hoxha. “Kur dëgjon sesi flet Saliu në median shqiptare, e kupton shumë mirë se, që nga vdekja e Enver Hoxhës e deri më sot, asgjë esenciale nuk është bërë për të eliminuar karakterin totalitar të politikës në Shqipëri. E njëjta gjuhë, i njëjti pasion i errët…dhe mbrojtje me frikë e krimit. Pse, ju mendoni se Enver Hoxha fliste me aq pasion “kundër armikut”, sepse ishte në doktrinën revolucionare, mbronte me pasion prej të çmenduri krimet që kishte kryer vetë. Kjo është arsyeja që sot shihni sërish karakter totalitar si ai i vjetri në politikën shqiptare: kanë abuzuar me pushtetin dhe kanë frikë se mos vendoset ligji”, shkruan Ngjela në Facebook. Sipas kreut të PLiD-së, Ngjela, arrestimi i guvernatorit të Bankës u ka dhënë shpresë të gjithë shqiptarëve se krimi do të goditet. “Po a do të rezistojë prokuroria për ta çuar deri në fund hetimin e nisur? A do të ndahet gjykata nga krimi? Këto janë pyetjet, duke i shtuar edhe këtë: a do të dijë të ketë forcë politike Kryeministri aktual, Rama, kundër krimit shtetëror që ka degraduar shtetin shqiptar në këta 20 vjetët e fundit? Në fakt, Rama e ka plotësisht në favor të karrierës së tij këtë akt: por, a e kupton? Dhe më shumë: a është në gjendje Rama që ta kuptojë dhe të dijë ta mbështesë shkatërrimin e krimit shtetëror në Shqipëri?”, thekson Ngjela.