Pas kthimit nga Baku (Azerbajxhan) ku mori pjesë në Festivalin Evropian të këngës – Eurovizion 2012 dhe u rendit e 5-ta në natën finale, këngëtarja Rona Nishliu dhe ekipi shqiptar u pritën në një takim nga Kryeministri Berisha.

Kryeministri Berisha i shprehu Rona Nishliut urimet më të përzemërta për suksesin e shkëlqyer të saj në Eurovizion dhe e konsideroi atë si një sukses të shumëfishtë, duke theksuar këtu se ajo, me interpretimin dhe këngën e saj, arriti të tërheqë fuqishëm vëmendjen e mediave ndërkombëtare, që në natën gjysmëfinale të festivalit.


“Në finale, – vijoi Kryeministri, – ju ishit zëri absolut i festivalit, interpretimi më i shkëlqyer, ishit një përfaqësim shumë dinjitoz dhe arritje e madhe për gjithë shqiptarët, për Shqipërinë dhe për Kosovën”.


Edhe për sa i përket vlerësimit, Kryeministri shprehu kënaqësinë për mbështetjen e madhe që pati nga të gjitha vendet. Ai theksoi se përfaqësimi dinjitoz i Ronës në Eurovizion është dhurata më e bukur që kënga shqiptare i bën Shqipërisë në këtë 100 vjetor të pavarësisë.

Nga ana e saj, këngëtarja Rona Nishliu falënderoi Kryeministrin Berisha për mbështetjen e tij në këtë përfaqësim të saj në Eurovizion. “Ndihem e privilegjuar që sot ndodhem këtu në këtë takim me ju dhe ju falënderoj jashtëzakonisht shumë për mbështetjen dhe telefonatën që më bëtë menjëherë pas festivalit, e cila ka qenë befasia më e këndshme, gjë që më bëri të ndihem edhe më krenare për atë që realizova në skenë”, u shpreh këngëtarja Rona Nishliu..

29 maj 2012 (gazeta-Shqip.com