Korrigjohet mazhoranca, sot në Kuvend drafti i opozitës për drejtësinë
Fatjona Mejdini
Mazhoranca është tërhequr dje nga qëndrimi politik për ta zgjatur sa më shumë shqyrtimin e kërkesave të opozitës për sa i përket reformës në sistemin e drejtësisë përmes ndryshimeve në Kushtetutë. Sinjalin në fillim për këtë tërheqje e dha Kryeministri Sali Berisha në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike. Berisha theksoi se nisur nga fakti se shtatori është një muaj kritik për çështjen e integrimit të vendit, atëherë është e udhës që të gjitha propozimet në kuadër të reformës në drejtësi të merren në shqyrtim brenda muajit shtator. Pak orë pas deklaratës së Berishës në mbledhjen e grupit parlamentar, Kryetarja e Kuvendit reagoi menjëherë duke përcaktuar pasditen e sotme si kohën në të cilën Këshilli për Legjislacionin do të merrte në shqyrtim draftin e opozitës për reformën në sistemin e drejtësisë. Ky qëndrim i ri vjen në një kohë kur demokratët kishin kërkuar dy-tri javë kohë për të shqyrtuar draftin e socialistëve për reformën dhe e konsideruan atë si të palidhur me çështjen e heqjes së imunitetit.
Berisha
Kryeministri Berisha e konsideroi dje shtatorin si një muaj kritik përsa i përket kryerjes së detyrimeve të fundit për marrjen e statusit të vendit kandidat. Nisur nga kjo, Berisha i kërkoi Partisë Socialiste që të votonte në Parlament çështjen e heqjes së imunitetit. Nga ana tjetër, në kuadër të balancës dhe nevojës për kompromis, Kryeministri Berisha i bëri thirrje Parlamentit të afronte datën e shqyrtimit të draftit të opozitës, por pa dhënë garanci se ato që kërkoheshin në këtë draft do të plotësoheshin. “Meqë shtatori është një afat kritik për vlerësimin e arritjeve të Shqipërisë, unë me njerëzi do t’ju lutesha që të bëjmë gjithçka për të afruar në përputhje me rregullat afrimin e datës së votimit në Parlament për imunitetet dhe propozimeve të PS-së, për të cilat ne kemi shprehur qëndrimin tonë. Në rast se do të mundej që kjo procedurë të kompletohej brenda afatit kohor për të cilin po bëjmë fjalë, ky do të ishte lajmi më i mirë që ne mund t’u dërgonim partnerëve tanë në Europë dhe në botë. Le ta afrojmë ne. Nuk mund të them se çfarë do të bëjnë ata saktësisht, por të paktën për datat të mos mbetet pa u votuar në muajin shtator”, kërkoi Berisha.
Topalli
Nuk vonoi shumë dhe Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, iu përgjigj thirrjes së Kryeministrit Berisha për të afruar datën në të cilën nisma e socialistëve do të shqyrtohej. Përmes një njoftimi për shtyp, Topalli lajmëroi se pasditen e sotme do të mblidhet Këshilli i Legjislacionit për të shqyrtuar nismën e opozitës. “Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, bazuar në Rregulloren e Kuvendit, thërret Këshillin për Legjislacionin dhe Komisionin për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut për t’u mbledhur të martën, në seancën e dytë të shqyrtimit të iniciativës së Partisë Socialiste për ndryshimet kushtetuese dhe pasnesër, e mërkurë, seancë dëgjimore me grupet e interesit”, theksohej në njoftimin për shtyp që i hapi rrugë kalimit të nismës për shqyrtim.
Deklarata
Sequi: Statusi i vendit kandidat? Pyesni politikanët
Pyesni politikanët për çështjen e statusit të vendit kandidat. Ky ka qenë reagimi i ambasadorit të KE-së, Ettore Sequi, pas takimit të zhvilluar me liderin e opozitës, Edi Rama, në selinë e PS-së. “Sa i përket marrjes së statusit kandidat nga Shqipëria në tetor duhet të pyesni politikanët shqiptarë, jo mua”, tha ambasadori. Pas takimit me liderin e opozitës që zgjati 60 minuta, Sequi u shpreh se “ne folëm për një sërë çështjesh me kreun e PS-së, përfshirë këtu edhe 12 prioritetet e Bashkimit Europian për Shqipërinë, Parlamentin, imunitetin, të drejtën e pronës, administratën civile etj. Domethënë pak a shumë të gjitha çështjet e 12 prioriteteve”. Data 20 shtator shihet si mundësia e fundit e realizimit të reformave të parashikuara në 12 prioritetet. Pezull kanë mbetur një sërë ligjesh, ku kryesore është edhe paketa e ndryshimeve kushtetuese për heqjen e imunitetit.